Elezi: Hapen me kohë të gjitha qendra e votimit në vend
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se janë janë hapur të gjitha qendra e votimit me kohë.
Elezi përmes një konference për mëdia ka bërë të ditur se në 903 qendra janë gjithsej 2,533 vendvotime.
“Në orët e hershme të mëngjesit dhe me kohë janë shpërndarë materialet në të gjitha qendrat e votimit. Ju njoftojmë në 903 qendra, me gjithsej 2,533 vendvotime ka filluar procesi i votimit për Kuvendin e Kosovës.
Përveç votimit të rregullt në këto qendra, KQZ ka caktuar edhe 38 qendra të votimi me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Sipas listës së votuesve, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 1.970,944 votues”, ka thënë Elezi.
Votuesi i parë në Fakultetin Filologjik vjen nga Gjermania
Xhemshir Haziri ka ardhur dje nga Gjermania për të ushtruar të drejtën e votës ne Kosovë.
Pak para hapjes së qendrës së votimit, në Fakultetin e Filologjisë, ai bashkë me bashkëshorten e tij kanë qenë votuesit e parë në këtë qendër.
Ai për KosovaPress, tregon se ka udhëtuar vetëm për një ditë dhe se do të kthehet sot për në vendin ku jeton.
Haziri: Erdha për të votuar nga Gjermania
"Nga Gjermania, për të votuar dhe për të zgjedhur më të mirin për udhëheqje të këtij vendi të Republikës tonë për katër vjet. Kam ardhur për të votuar sepse këto zgjedhje mund të themi se nuk janë vetëm zgjedhje... gjithçka ishte në rregull, votuam për më të mirin.. do të kthehem sot në orën 16:30 nga Aeroporti "Adem Jashari", thotë ai.
Ai shton se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, meqë sipas tij, zgjidhet udhëheqja e Kosovës për katër vite mandat.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Ellek voton për zgjedhjet parlamentare
Pas një bojkoti dyvjeçar të proceseve në Kosovë nga Lista Serbe, kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, ka votuar për zgjedhjet parlamentare.
Ellek, partia e të cilit po ashtu është pjesëmarrëse në zgjedhje, votoi në shkollën “Sveti Sava” në Mitrovicë të Veriut, i shoqëruar me pjesëtarë të partisë së tij dhe qytetarë të tjerë serbë.
Në zgjedhjet e së dielës marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që nga themelimi i saj në vitin 2013, ka mbajtur të dhjeta ulëset parlamentare në Kuvendin e Kosovës, të rezervuara për komunitetin serb. Megjithatë, në dy vjetët e fundit kjo parti ka bojkotuar institucionet e Kosovës në përputhje me vendimin për të braktisur institucionet kosovare me qëllim të parandalimit të heqjes së targave serbe. Qëllimi nuk është arritur, dhe përveç riregjistrimit të automjeteve me targa RKS (Republika e Kosovës), janë mbyllur dhjetëra institucione që funksiononin në sistemin e Serbisë, të cilat Kosova i konsideron ilegale.
Edhe pse kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, gjë që çoi në ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë, këtë herë Lista Serbe u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e votës për të “ruajtur unitetin e serbëve dhe dhjetë mandatet parlamentare”.
Qytetarët mblidhen në qendër të Mitrovicës së Veriut
Qytetarët serbë në veri të Kosovës janë mbledhur në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut për të votuar, si rëndom, së bashku në zgjedhje.
Kjo është hera e parë që ata u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.
Atyre u është bashkëngjitur kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek.
Nis votimi në Pejë
Në Qendrën e Votimit “Lidhja e Prizrenit “ në Pejë tashmë kanë nisur të votojnë qytetarët.
Në këtë qendër të votimit e cila ka gjithsej pesë vendvotime kanë të drejtë vote 4393 votues.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Pejës është 115 mijë e 679 votues, të cilën mund të votojnë në 24 qendra votimi me gjithsej 132 vendvotime.
Kjo komunë ka një qendër të votimit me kusht me gjithsej dy vendvotime. Kjo qendër e votimit ndodhet ne hapësirat e universitetit Haxhi Zeka.
Në Pejë ka votuar kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi,
Radoniqi është personi i parë i cili votoi dhe e hapi këtë proces zgjedhor, të parin të rregullt që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.
Derisa, Radoniqi ka votuar në Qendrën e Votimit “Lidhja e Prizrenit” në Pejë bëri thirrje për proces zgjedhor të qetë dhe demokratik.
Teksa ftoi qytetarët të votojnë kryesuesi i KQZ-së u shpreh se i gjithë materiali sensitiv dhe jo sensitiv është shpërndarë me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit.
Hapen të gjitha qendrat e votimit në Komunën e Ferizaj
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Ferizaj ka përgatitur gjithsejtë 49 qendra të votimit në të cilat janë planifikuar gjithsejtë 119 mijë e 97 votues sipas listave zgjedhore.
Përgatitjet janë bërë me kohë dhe procesi ka nisur pa telashe. Shaban Rexha, përfaqësues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Ferizaj, ka thënë se janë përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme dhe procedurat tjera për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Të gjithë ekipet janë trajnuar sipas planifikimeve dhe kanë zënë pozitat e tyre nëpër qendra të votimit.
Kemi gjithsejtë 119 mijë e 97 votues në Komunën e Ferizajt me 49 qendra të votimit dhe me një qendër me kusht. Te numri i votuesve kemi në listë të regjistruar edhe nga diaspora”, ka thënë ai.
Hapet qendra më e madhe e votimit “Thimi Mitko” në Gjilan
Janë hapur dyert e qendrës më të madhe për votim në Gjilan, shkollës “Thimi Mitko”.
Në këtë qendër të votimit të drejtë vote kanë 13 mijë e 223 qytetarë
KKZ raporton se në këtë komunë të drejtë vote kanë mbi 101 mijë, në 34 qendra votimi dhe 126 vendvotime.
Ndryshe, në këtë komunë, do të jenë të hapura 37 qendra votimi me 129 vendvotime të rregullta dhe një qendër votimi me kusht.
Në total, të drejtë vote do të kenë 103,616 qytetarë.
Podujeva, gati për të votuar
Shkolla “Ibrahim Rugova” në Podujevë, është qendra më e madhe për votim në këtë qytet.
Shkolla ka dhjetë vendvotime me plot 8 mijë 181 votues.
Kjo është një nga 47 qendrat e votimit në qytetin e Podujevës.
Ndërkaq qendra e caktuar për votim me kusht është shkolla “Enver Maloku”.
Në tërë komunën e Podujevës, të drejtë vote kanë gjithsej 84 mijë e 23 qytetarë.
Hapet qendra e votimit në Fakultetin Filologjik, aty vendosen edhe vëzhguesit e BE-së
Është hapur qendra e votimit në Fakultetin Filologjik, ku të drejtë vote kanë rreth 9700 votues, ndërkaq numri i vendvotimeve është 11.
Në kryeqytet numri i qytetarëve me të drejtë vote është mbi 212 mijë, në 54 qendra të votimit dhe 258 vendvotime. Ndërkaq, është një qendër votimi me kusht, me shtatë vendvotime.
Në zgjedhjet e vitit 2021, numri i votuesve të regjistruar ka qenë 185 mijë e 635. Pjesëmarrja në votime: 60.77%
Emanuel Xhurekaj, menaxher ka thënë se gjithçka është gati për fillimin e procesit zgjedhor.
Xhurekaj: Mund të fillojmë
“Gjithçka është gati, materialet kanë ardhur me kohë. Materiali nga KQZ ka ardhur rreth 05.30. Komisionarët disa salla ka mungesë, për ata, është njoftuar KQZ dhe janë në proces të zëvendësimit. Mund të fillojmë”, tha ajo.
Përndryshe, në këtë qendër të votimit janë 12 vendvotime. Aty kanë ardhur edhe ekipi i vëzhguesve të BE-së.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës
Të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës janë hapur me kohë për zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në vendin tonë.
Janë gjithsej gjashtë qendra me 24 vendvotime, ndërsa 18 mijë e 781 qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Në kohën kur po raportojmë, në njërën prej qendrave të votimit që është shkolla e mesme teknike 'Mihajlo Petroviq-Alas', numri i qytetarëve të interesuar për të marrë pjesë në këtë proces është i vogël.
Ndryshe, në katër komunat veriore të vendit, Leposaviq, Zvecan, Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore, janë gjithsej 44 qendra të votimit me 74 vendvotime, ku do të mund të votojnë 46 mijë e 703 qytetarë.