LIVE: LVV e para, PDK e dyta, LDK e treta – 1% e votave ende të panumëruara, këto janë detajet e fundit

Aktuale

LIVE: LVV e para, PDK e dyta, LDK e treta – 1% e votave ende të panumëruara, këto janë detajet e fundit

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 14:32 më 11.02.2025
Grafika e votave

KQZ: 80% e të regjistruarve në diasporë votuan për zgjedhjet e 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se 80.1 për qind e pjesëtarëve të diasporës kanë votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë të martën se në përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15.352 qytetarë, ndërsa me postë 68.712.

Megjithatë, ai ka tërhequr vërejtjen që kjo përqindje mund të ndryshojë, pas procesit të vlerësimit të votave që janë pranuar me postë.

Mbi 2 milionë shtetas të Kosovës kanë pasur të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Në mesin e tyre kanë qenë edhe 104.924 votues nga diaspora.

Ky ka qenë procesi i parë zgjedhor kur pjesëtarëve të diasporës u është mundësuar votimi në 19 përfaqësi diplomatike në gjithë botën.

Elezi ka thënë se numërimi i votave nga diaspora do të nisë të bëhet pas disa ditësh në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të mbi 90 për qind të votave, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 40 për të votave, e përcjellë nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind të votave, dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, rreth 7 për qind të votave.

Një partie i duhen 61 vota të deputetëve në Kuvend për të formuar Qeverinë e re.

Aktualisht asnjëra parti nuk i ka ato. Partitë që aktualisht janë në opozitë kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për të formuar qeverinë.

Analistët vlerësojnë se në ditët, javët ose edhe muajt në vijim, Kosovën e presin turbulenca politike./REL

​KQZ tregon kur nis numërimi i votave të deputetëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që sot pasdite të fillojë numërimin në Qendrat Komuale të Numërimit në disa komuna.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka thënë për KP, se procesi i numërimit për votat e deputetëve dhe rikonfirmimi i votave për subjektet politike, do të nis në orën 16:00, në Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh.

“Procesi i numërimit në Qendrat tjera do të fillojë pasi të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe administrative”, tha ai.

Rënia e ueb-faqes së KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me çdo abuzim apo keqpërdorim të votave, pas rënies së ueb faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në ditën e zgjedhjeve.

Kështu bëri të ditur Zejnullah Gashi, kryeprokurori i Prishtinës.

Në një përgjigje, Zyra për Komunikim Publik e Prokurorisë Themelore në Prishtinë konfirmoi mëngjesin e së martë se tashmë po trajtohet çështja në fjalë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar që Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime apo masa hetimore për secilin abuzim apo keqpërdorim të votave pas rënies së ueb-faqes së KQZ-së”, tha Gashi.

Ndryshe, në mbrëmjen e 9 shkurtit, në ditën e zgjedhjeve janë hasur probleme në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Rezultatet preliminare: LVV prin me 41 për qind të votave

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me 40.83 për qind apo 339.350 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ky rezultat preliminar i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazohet në numërimin e 99.17 për qind të vendvotimeve. Në këtë numërim nuk përfshihen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendi, të cilat do të numërohen më vonë.

Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.15 për qind apo 184.087 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.59 për qind apo 146.241 vota të fituara.Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar 7.47 për qind apo 62.066 vota.

Ndërkaq, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka fituar 4.43 për qind apo 36.784 vota.

Në orët e para të 10 shkurtit, udhëheqësi i LVV-së, njëherësh kryeministri aktual, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhje.

Ai iu tha simpatizantëve të partisë së tij të mbledhur në sheshin kryesor të Prishtinë se “do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera”.

PDK-ja është shprehur e lumtur me rezultatin zgjedhor, duke e quajtur “rezultat të madh”. Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë në paraqitje para mediave më 9 shkurt tha se ndonëse nuk është rezultati që ky subjekt ka pritur, do ta respektojnë.Lista Serbe që ishte në garë me pesë parti të tjera nga radhët e komunitetit serb për dhjetë ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës për këtë komunitet, tha se i ka fituar të dhjetë ulëset.

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thanë se ky rezultat preliminar krijon një situatë të paqartë lidhur me ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, por edhe kush do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri.

LVV-ja gjatë fushatës ka përjashtuar mundësinë e formimit të koalicioneve paszgjedhore me partitë aktuale opozitare. LDK-ja dhe AKK-ja kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Kurtit, ndërkaq PDK-ja nuk ka paraqitur “vija të kuqe” për koalicionet e mundshme paszgjedhore.

Të dhënat e fundit nga KQZ që u përditësuan të hënën – këto janë përqindjet e partive

Të dhënat e fundit që u publikuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e para me 40.83% të votave.

KQZ ka përditësuar të dhënat e fundit të hënën në orën 19:10, ku po ashtu bëhet e ditur se Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 22.15%.

Lidhja Demokratike e Kosovës është renditur e treta, me 17.59% të votave.

Kurse, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate janë në vendin e katërt, me 7.47% të votave.

Numërohen 99.17% e votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka numëruar 99.17% të votave.

Nga rezultat, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) rezulton 40.83% një rënie krahasuar me përditësimin paraprak.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 22.15% të votave.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 17.59.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me partnerë, ka 7.47 të votave

Image
Votat

Numërohen mbi 99 për qind të votave, kjo është renditja e partive politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka numëruar deri më tash 99.09 për qind të votave nga 2,510 qendra votimi nga gjithsej 2.533, sipas të cilave vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje me 40.81 për qind ose 338 mijë 948 vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.16 për qind ose 184 mijë e 040, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 17.60 për qind ose 146 mijë e 147 vota.

AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet subjekti i katërt me 7.46 për qind ose 61 mijë e 968 vota.

Lista Serbe, e afërt me Beogradin, renditet e pesta me 4.43 për qind ose 36 mijë e 784 vota.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.

Të dielën në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, për herë të parë si të rregullta, pas shpalljes së pavarësisë.

Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka paralajmëruar se do të formojë qeverinë e vetme, ndërsa opozita ka hedhur poshtë mundësinë e hyrjes në koalicion qeverisës duke thënë se do ta bëjnë ekzekutivin e ri vendor nëse partia e Albin Kurtit dështon.

Nesër do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë

Më 9 shkurt 2025 u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Nesër në Qendrat Komunale të Numërimit do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së tha për KosovaPress, se gjatë këtij procesi, ashtu siç parashihet edhe me rregulloren zgjedhore të KQZ-së do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.

“Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, tha Elezi.

Numërohen rreth 99 për qind të votave, rezultatet e fundit nga KQZ

Lëvizja Vetëvendosje po prin me 40.80 për qind apo 338,541 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.16 për qind apo 183.925 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.59 për qind apo 145.995 vota të fituara.

Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar 7.46 për qind apo 61.866 vota.

Ndërkaq, Lista Serbe – partia e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka fituar 4.42 për qind apo 36.683 vota.

Ky rezultat preliminar i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazohet në numërimin e 98.97 për qind të vendvotimeve.

Në këtë numërim nuk përfshihen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendi, të cilat do të numërohen më vonë.

Numërohen gati 98% të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatet preliminare nga numërimi i mbi 97 për qind të votave, saktësisht 97.71%.

Renditja e partive politike:

LVV – 40.94%

PDK – 22.11%

LDK – 17.67%

AAK-NISMA – 7.44%

Image
Votat
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat