LIVE: KQZ sqaron vonesat, jep detaje për shpalljen e rezultateve përfundimtare

Aktuale

LIVE: KQZ sqaron vonesat, jep detaje për shpalljen e rezultateve përfundimtare

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 12:40 më 09.02.2025
Kutitë e votimit

​Procesi i votimit në Drenas

Qysh në orën 07:00 të mëngjesit dyert e 31 Qendrave të Votimit janë hapur edhe në komunën e Drenasit.

Zyrtari komunal zgjedhor në këtë komunë, Burim Jonuzi deklaroi për KP se procesi i votimit në këtë komunë po shkon mbarë.

Ai tha se me kohë kanë pranuar materialet zgjedhore.

Jonuzi: Në Drenas deri më tani nuk ka ndonjë parregullsi

“Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 në mëngjes ashtu siç është e përcaktuar më Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Deri më tash nuk ka ndonjë raportim për ndonjë parregullsi. Dje i kemi pranuar materialet e ndjeshme, si pjesë e materialit jo të ndjeshëm janë kompletuar të gjithë, janë pajisur të gjitha vendvotimet dhe gjithçka ka qenë e gatshme për shpërndarje në mëngjes”, tha ai.

Jonuzi tha se në Drenas të drejtë votë kanë 56 mijë e 703 qytetarë.

Jonuzi: Në Drenas të drejtë votë kanë 56 mijë e 703 qytetarë

“Në Komunën e Drenasit janë 56 mijë e 703 votues me të drejtë vote. Ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe kësisoj do të ishte një mundësi më e mirë për qytetarët të votojnë lirshëm”, tha Jonuzi.

Ai tregoi se në këtë komunë qytetarët mund të votojnë në 31 qendra të votimit dhe në gjithsej 72 vendvotime.

Edhe në Drenas qytetarët mund të votojnë me kusht në gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.

Jonuzi: Në komunën e Drenasit i kemi gjithsej 31 qendra të votimit

“Në komunën e Drenasit i kemi gjithsej 31 qendra të votimit. Natyrisht për shkak të ndryshimeve ligjore është edhe një qendër e votimit me kusht janë gjithsej 72 vendvotime”, theksoi ai.

Qytetari nga Drenasi, Brahim Muqolli nga këto zgjedhje pret që udhëheqja e ardhshme politike e vendit të punojë më shumë për qytetarët.

Muqolli: Presim zgjedhje të mira

“Presim zgjedhje më të mira. Të punohet dhe mendohet për popullin, të dalin i madh e i vogël të votojnë sa më shumë mirë është”, tha ai.

Sipas qytetarit Isuf Demaku thotë procesi zgjedhor po shkon shumë mirë.

Demaku: Në jetën time proces më të mirë zgjedhor nuk kam parë

“Në jetën time më mirë nuk kam pa, prej këtij që ia kam vendosur votën pres dhe presin i gjithë populli”, theksoi ai.

Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104.924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës. Numri i votuesve të rinj që do të mund të votojnë për herë të parë është 125.852.

Numri i qendrave të votimit të cilat janë në dispozicion të qytetarëve është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.

Zgjedhjet e sotme parlamentare po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.

Orav: Qytetarët e Kosovës duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Aivo Orav ka njoftuar se ka vizituar një vendvotim në Vushtrri për të kuptuar më mirë zhvillimin e zgjedhjeve.

Postimi:

“BE-ja ka vendosur misionin për të vëzhguar të gjitha aspektet e këtij procesi.

Qytetarët e Kosovës duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe të shprehin lirisht zgjedhjen e tyre”, ka shkruar ai në X’.

Voton Presidentja Osmani: Ditë vendimtare, qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në votime

Presidentja e Kosovës e konsideroi ditën e sotme mjaft të rëndësishme për vendin e saj.

Në një prononcim për mediat pasi shprehur vullnetin e saj për të votuar, Osmani tha se Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajon dhe e tillë duhet të mbahet.

Marrja pjesë në këto zgjedhje -tha Osmani- është një kontribut i rëndësishëm që mund t’i bëhet vendit.

Ajo u shpreh se me votë qytetarët duhet të japin vlerësimi për politikanët që i kanë përfaqësuar deri tani, por edhe ti japin një mundësi atyre që kandidojnë për herë të parë.

“Ju faleminderit që pritet së bashku me mua derisa me erdhi radha që të votojë në këtë ditë të rëndësishme për demokracinë në vendin tonë.

Kosova është demokracia me e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajmë të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej.

Sot është ditë vendimtare që qytetarët e Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm nga i cili do të dalë parlamenti dhe institucionet e tjera, por edhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre.

Shpresoj që të gjithë qytetarët do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Besoj që i kanë informacionet nga ana e KQZ rreth vendit të votimit të tyre dhe është mundësi e mirë që qytetarët jo vetëm të japin vlerësimin për politikanët që i kanë përfaqësuar deri tani, por edhe ti japin mundësi atyre që kandidojnë për herë të parë”, tha Vjosa Osmani.

​Votimet e organizuara të Listës Serbe, gazetari serb zbardh prapaskenat: Tendencë e Serbisë për të...

Gazetari serb në Kosovë, Radomir Dimiq i cili sot ka votuar në Prishtinë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa”, thotë se kjo është hera e tretë e tij që merr pjesë në procesin zgjedhor në Kosovë.

Dimiq i cili votoi sot bashkë më vajzën e tij për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit tha se zgjedhjet në Kosovë dallojnë prej atyre në Serbi, pas sipas tij këtu ka pluralizëm derisa në Serbi ka një sistem të autoritarizmit.

Dimiq: Dua të cek që është ky obligimi im patriotik, qytetar, moral, por edhe etik

“Kjo në Kosovë është e treta herë që jam duke votuar. E çka janë zgjedhjet për mua në Kosovë, e çfarë rëndësie kanë zgjedhjet për mua. Unë dua të cek që është ky është obligimi im patriotik, qytetar, moral, por edhe etik. Kur janë në pyetje zgjedhjet e Kosovës kjo është dita e festës së demokracisë. Këtu në Kosovë, në krahasim me Serbinë e kemi një pluralizëm që ekziston. Që për shembull në Serbi nuk e kemi. Atje e kemi një sistem autokratik, një sistem të autoritarizmit, i kemi deformimet dhe shumë gjëra që nuk pranohen në Evropë. Ashtu qysh zgjedhjet zhvillohen në Serbi”, tha Dimiq.

Sot është raportuar se Lista Serbe ka dalë për të votuar në mënyrë të organizuar, e për këtë Dimiq thotë se ajo është instaluar për t’iu bërë problem dhe dëm qytetarëve serbë në Kosovë dhe vetë shtetit të Kosovës.

Dimiq: Në të ardhmen shteti i Kosovës duhet të mendojë çka e si të reagojë

“Ajo është e pritshme kur është në pyetje lista e serbëve…Ballë kësaj Listës Serbe ka qenë Radoiçiqi krimineli më i madh. Kjo listë është e favorizuar nga shteti (serb) dhe e instaluar për t’i bërë problem dhe dëm qytetarëve serb (në Kosovë) po ashtu edhe shtetit të Kosovës, mbi sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Unë besoj që në të ardhmen shteti i Kosovës duhet të mendojë çka e si të reagojë që mos t’i ndajë qytetarët e veriut të Kosovës në pjesën e Aleksandër Vuçiqit dhe pjesën e atyre që nuk janë pjesë e politikës së Aleksandër Vuçiqit”, potencoi Dimiq.

Në procesin e votimit të drejtë vote kanë 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi voton në Kosovë

Sot qytetarët e Kosovës po e ushtrojnë të drejtën për të votuar, shkruan "Bota sot".

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, përmes një postimi në Facebook ka shkruar “në krye të detyrës”, duke lënë të nënkuptohet se ka ushtruar të drejtën e votës.

Në fotot e publikuara, ai shihet para objektit të Gjimnazit "Skënderbeu" në Kaçanik.

Postimi i plotë:

Në krye të detyrës...

Kosova në zgjedhje për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.

T'u prift mbarë Kosovë!

Image
Nikollë Camaj

Eman Rrahmani shfrytëzon të drejtën e votës

Kosova sot po voton.

Drejtuesi i Koalicionit për Familje, Eman Rrahmani, ka hedhur votën e tij.

Ai ka votuar në shkollën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Rrahmani ishte i shoqëruar me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Të dhënat e KQZ-së: Ja sa qytetarë të Kosovës votuan deri në orën 11:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës për procesin zgjedhor që është duke u mbajtur në vendin tonë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi po vazhdon pa ndonjë problem.

“Duke u mbështetur në informacione komunale, procesi po vazhdon normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë problem”, tha ai.

Radoniqi tregoi se deri në ora 11:00 kanë votuar 169 mijë e 32 votues, apo 8.58 përqind e votuesve.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në ora 19:00, ku të drejtë vote kanë 1,970,944.

Detaje rreth daljes së qytetarëve në votime mund të gjeni duke klikuar KËTU.

Këto janë adresat e 38 qendrave për votimin me kusht

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi i votimit me kusht ka pësuar një ndryshim.

Votimi me kusht është i mundur sërish, por ky lloj votimi nuk do të lejohet në çdo qendër votimi si në proceset e kaluara zgjedhore. Me qëllim të mundësimit të votimit me kusht, KQZ ka caktuar në çdo komunë nga një qendër votimi.

Në të gjithë Kosovën janë vetëm 38 qendra votimi me gjithsej 56 Vendvotime në të cilat lejohet votimi me kusht.

“Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votimi me kusht është i mundur për votuesin në cilëndo komunë, pasi Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe në çdo komunë shpërndahen fletëvotimet me përmbajtjen e njëjtë. KQZ mundëson votimin me kusht për votuesit të cilët kanë emrin e tyre në listën votuese, por për arsye objective nuk mund të votojnë në vendvotimin e caktuar. Numërimi i votave me kusht bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, pas përfundimit të procedurave të parapara”, thuhet në një njoftim të KQZ-së.

Kjo është lista dhe adresat e qendrave të votimit për votimin me kusht më 9 shkurt 2025:

Image
Lista

Voton Limaj, e quan ditë të demokracisë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pasi ka hedhur votën e tij për këtë proces zgjedhor, 9 shkurtin e ka quajtur ditë të rëndësishme për demokracinë kosovare.

“Jemi krenar që kemi një demokraci funksionale, një demokraci ku respektohen rregullat dhe ligji, një demokraci ku qytetari i Republikës lirshëm voton.

Sot qytetarët e Republikës së Kosovës do t’i japin drejtim Kosovës.

Shpresoj që secili nga ne do të vendosë për të mirën e Kosovës”, tha ai në një deklarim për media pas procesit të votimit në Prishtinë.

I shoqëruar nga bashkëshortja, voton Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tashmë ka hedhur votën e tij.

Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Meliza Krasniqi.

Kandidat për kryeministër nga PDK është Bedri Hamza.

Kujtojmë, se zgjedhjet po vazhdojnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat