Shkëmbimi i kadetëve të FSK-së me ata kanadezë, po shkon mirë

Aktuale

Shkëmbimi i kadetëve të FSK-së me ata kanadezë, po shkon mirë

Më: 12 mars 2025 Në ora: 08:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Në dhjetor të vitit të kaluar është arritur një marrëveshje nga Memorandumi i Bashkëpunimit për shkëmbimin e kadetëve ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe atij Kolegjit Ushtarak Mbretëror të Kanadasë, e i cili ka filluar të realizohet.

Katër kadetë kanadezë që nga janari janë po i ndjekin studimet në Qendrën e Studimeve Universitare në Akademinë e Mbrojtjes të FSK-së. Në të njëjtën kohë, dy ushtarë të ushtrisë së Kosovës po i ndjekin studimet në Kanada.

E gjithë kjo po konsiderohet nga ushtarakët e Forcës, si hap tejet i rëndësishëm në zhvillimin e njohurive dhe aftësive të personalit ushtarak të Kosovës.

Ajo që do ta mësojnë në mënyë praktike, ata do ta mësojnë edhe teorikisht.

Komunikimi është interaktiv ndërmjet instruktorëve dhe kadetëve, me qëllim të aftësimit dhe kualifikimit të vazhdueshëm në përmbushjen e misionit të cilin e kanë zgjedhur. E gjitha ajo që është dëgjuar gjatë ditës nga ligjëruesit, përsëritet, studiohet e mësohet nga kadetët kanadezë dhe ata të FSK-së.

Si i tillë, bashkëpunimi ndërmjet të dyja shteteve është vlerësuar mjaft shumë.

“Në ditët e para u informuam pak a shumë mbi rregullat se çfarë bëjnë njerëzit këtu, ku është baza, ku janë dhomat dhe që nga atëherë ishte një përvojë e mrekullueshme me këtë program shkëmbimi kulturash. Ka të bëjë edhe me atë se si i bëjnë këtu gjërat, gjithashtu nga një këndvështrim ushtarak, por edhe në atë civil”, tha për RTK-në Jeremie Morneau, kadet i Kolegjit Ushtarak Mbretëror Saint Jean të Kanadasë.

“Kishim një përvojë të mrekullueshme me FSK-në dhe mendoj se dy gjërat më të rëndësishme për Kosovën janë njerëzit dhe moti. Sinqerisht, nuk jam ndier kurrë më i mirëpritur në ndonjë vend tjetër sesa këtu. Vitin e kaluar isha këtu dhe qëndrova për një javë së bashku me FSK-në, ku e kisha plotësisht të njëjtën përvojë, prandaj vendosa të vija sërish”, tha Jonathan Bonnet, po ashtu kadet i Kolegjit Ushtarak Mbretëror Saint Jean të Kanadasë.

Derisa kadetë kanadezë po studiojnë në FSK, në të njëjtën kohë dy ushtarë të ushtrisë së Kosovës janë duke i kryer studimet në Kanada. Dhe krejt kjo po bëhet në kuadër të memorandumit të shkëmbimit ndërmjet kadetëve të FSK-së dhe atyre kanadezë.

“Ky shkëmbim do të jetë një përvoje e re për ne si kadet duke na ofruar përvoja të reja”, tha Endrit Nura, kadet, i cili po ndjekë studimet në Kolegjin Ushtarak në Kanada.

“Sistemi akademik kanadez është pothuajse i ngjashëm me atë të Kosovës”, tha Dardan Syla, kadet, i cili po ashtu po ndjekë studimet në Kolegjin Ushtarak në Kanada.

Por, cila është rëndësia e këtij programi të dakorduar ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë.

“Ideja e programit shkëmbimor është që disa kadetë kanadezë vijnë për një semester të plotë dhe ndjekin shkollim ushtarak qysh e kemi ne për kadetët tanë. Mbi të njëjtin parim disa kadetë të QSU-së janë momentalisht në Kanadë dhe janë duke e ndjekur studimin e tyre ushtarak atje”, tha Mimoza Budeci, komandante e Qendrës për Studime Universitare, Akademia e Mbrojtjes.

Krejt kësaj marrëveshjeje që është realizuar për herë të parë, i kishte paraprirë nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit për Shkëmbimin e Kadetëve ndërmjet komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe Kolegjit Ushtarak Mbretëror Saint-Jean të Kanadasë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat