Gjenerali Ramadan Qehaja ka reaguar ndaj komenteve të fundit të Sekretarit të NATO-s në Prishtinë, i cili e cilësoi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si një “forcë humanitare”.
Sipas Qehajës, kjo deklaratë është një qëndrim që përbën një shpërputhje të qartë me realitetin e krijuar në Kosovë gjatë viteve të fundit dhe, mbi të gjitha, është në trajektore të kundërta me zhvillimet e fundit në skenën globale.
Gjenerali Qehaja theksoi se kapacitetet ushtarake të Kosovës po zhvillohen falë bashkëpunimeve bilaterale. Sipas tij, është koha që burokracia e NATO-s të adaptojë qëndrime më të përshtatshme për kohën, në funksion të interesit rajonal të sigurisë.
Ai kërkoi që vendimet të reflektojnë realitetin dhe nevojat e ndryshuara të Kosovës dhe të rajonit, duke u fokusuar në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë.
Postimi i plotë në Facebook:
Me shkas,
Deklarata e Sekretarit të NATO-s në Prishtinë e cila “kornizon” FSK-në si një forcë humanitare përbën një qëndrim të shpërputhshëm me realitetin e krijuar në Kosovë vitet e fundit dhe mbi të gjitha është në trajektore të kundërta me zhvillimet e fundit globale. Është e habitshme se si vijon një qëndrim i tillë burokratik atëherë kur është më se e qartë që një FSK me mandat të mbrojtës do të ishte jo vetëm në shërbim të ruajtjes së paqes në Kosovë por edhe potencialisht kapacitetet tona do të shërbenin si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta evropiane, në një mjedis tejet kompleks të sigurisë. Sigurisht se kapacitetet tona ushtarake janë duke u zhvilluar fal bashkëpunimeve bilaterale por se është koha e fundit që burokracia e NATO-s të transmetoj qëndrime të kohës në funksion të interesit rajonal të sigurisë.
R.Q