Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha të mërkurën se pas më shumë 17 vjetëve kosovarët që jetojnë në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas serbë. Ai u bëri thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të korrigjojnë regjistrimin e shtetësisë në dokumentet e tyre.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Kurti tha se ky lajm është bërë i ditur dje nga ambasada e Kosovës në Gjermani.
Kurti: Pas më shumë se 17 vjetëve është arritur zgjidhja për regjistrimin e shtetasve të Kosovës
“Pas më shumë se 17 vjetëve është arritur zgjidhja me autoritetet përkatëse gjermane lidhur me çështjen e regjistrimit të shtetasve të Kosovës. Shumë nga ju padrejtësisht jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë në dokumentacionin gjerman, një gjë që nga sot nuk do të përsëritet më. Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, e cila ka punuar me përkushtim për të negociuar dhe siguruar këtë ndryshim të rëndësishëm e aq të nevojshëm. Falë angazhimit të tyre me kancelarinë federale të Gjermanisë dhe ministritë përkatëse, tani është miratuar një udhëzim që siguron që të gjithë qytetarët e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë u bëri thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të korrigjojnë regjistrimin e shtetësisë në dokumentet e tyre.
Kurti: Ju bëjmë thirrje bashkatdhetarëve në Gjermani që të korrigjojnë regjistrimin e shtetësisë
“Ky ndryshim ka hyrë në fuqi në të gjitha landet gjermane dhe mbi 5.200 qendra të regjistrit civil. Andaj të nderuar bashkatdhetarë tanë në Gjermani, ju bëjmë thirrje që të verifikoni dhe nëse është e nevojshme të korrigjoni regjistrimin e shtetësisë në dokumentet tuaja”, shtoi ai.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Kurti tha se gjatë mandatit të tij, qeveria ka miratuar gjithsej 2.200 vendime, prej tyre 319 kanë qenë miratime të projektligjeve.
Adresimin e tij të mërkurën, Albin Kurti e nisi për fotoreporterin Alban Bujari, i cili vdiq ditë më parë.