Nga Vetëvendosje i reagojnë Abdixhikut: Si mund të bëhesh kryeministër me zgjedhje që i ke humbur

Aktuale

Nga Vetëvendosje i reagojnë Abdixhikut: Si mund të bëhesh kryeministër me zgjedhje që i ke humbur

Më: 12 mars 2025 Në ora: 12:30
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, nga Vetëvendosje

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, nga Vetëvendosje i ka reaguar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për deklaratën e tij se pa pozitën e kryeministrit nuk hyjnë në koalicion me partitë opozitare, ndërsa po ashtu Abdixhiku e ka përjashtuar edhe një koalicion të mundshëm me partinë fituese, Vetëvendosje.

Çeku thotë se kjo deklaratë e Abdixhikut është në kundërthënie me deklaratën e tij të disa ditë pas zgjedhjeve.

“Është mirë që z. Abdixhiku të na tregojë për cilat fjalë ta mbajmë. Më 12 shkurt shkroi në FB se “LDK nuk i ka fituar zgjedhjet…” dhe se “…ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën, sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë.” Tash, paska thënë që, nëse ia japin postin e Kryeministrit, atëherë e rrëmben pushtetin. Cilin Lumir të mbajmë për fjale? Atë që thotë se LDK s’ka fituar dhe se ky nuk është rezultat ndryshimi, apo Lumirin tjetër, i cili thotë që s’ka rëndësi fituesi dhe preferenca e qytetarit? Po tash, si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje? Kjo i bie të bëhesh kryeministër me çdo kusht”.

Çeku tha se “ky është standardi i mashtrimit që e kemi parë në të kaluarën”, ndërsa hodhi akuza ndaj tij për votat e ardhura me postë.

“Deri tash, të vetmet fjalë që i ka mbajtur janë ato për sa vota janë në kutitë e votimit me postë. Aty e ka ditur ende pa filluar numërimi”.

Para disa ditësh, Abdixhiku tha se për LDK-në opsion mund të jetë koalicion me partitë e opozitare vetëm nëse i ofrohet pozita e kryeministrit dhe nëse arrihet marrëveshje për postin e presidentit.

LDK doli e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit pas Vetëvendosjes dhe PDK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat