Maqedonci: SHBA-ja do të na ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve strategjike ushtarake

Aktuale

Maqedonci: SHBA-ja do të na ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve strategjike ushtarake

Më: 12 mars 2025 Në ora: 13:45
Pjesëtarë të FSK-së gjatë ceremonisë në shkënimin e 27-vjetorit të vrasjes së komandantit të UÇK-së, Adem Jashari.

Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Pas mbledhjes së ekzekutivit, në një konferencë për media ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se marrëveshja përbëhet nga pesë pika: planifikimi dhe qeverisja e mbrojtjes, menaxhimi i resurseve humane dhe të mbrojtjes, ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake, bashkëpunimi me qëllim angazhimin rajonal dhe ndërkombëtar dhe qëndrueshmëria strategjike.

Maqedonci tha se SHBA-ja do ta mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes për një planifikim profesional të mbrojtjes si dhe të qeverisjes së mbrojtjes me synim rritjen e mbikëqyrjes civile dhe të menaxhimit të burimeve humane dhe të mbrojtjes.

Sa i përket ngritjes së kapaciteteve strategjike ushtarake, Maqedonci tha se këtu bëjnë pjesë mbrojtja ajrore dhe fusha të tjera që do të jenë në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Kjo fazë, sipas tij, përfshin periudhën nga tani deri më 2028. Transformimi i FSK-së në ushtri ka nisur pasi në fund të vitit 2018, deputetët miratuan ndryshimet e nevojshme ligjore.

“SHBA-ja do të sjellë ekipe që do të bëjnë vlerësimin dhe do të mbështesin Ministrinë e Mbrojtjes në prokurimin të sistemeve të armatimit të nivelit strategjik, siç janë mbrojtja ajrore por edhe mbështetja ajrore”, tha Maqedonci.

Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve, Maqedonci tha se marrëveshja adreson edhe çështjen e ndërtimit të flotës së helikopterëve. Ai tha se gjatë një vizite që zhvilloi në janar në SHBA, së bashku me komandantin e FSK-së vizituan fabrikën e prodhimit të helikopterëve Black Hawk.

“Ne kemi mbështetjen e SHBA-së për blerjen e këtyre helikopterëve, siç kemi edhe mbështetjen për blerjen e shumë sistemeve të tjera që do t’i kemi në FSK në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit, që parasheh ndërtimin e këtyre kapaciteteve, që nënkupton periudhe nga tani deri më 2028”, tha ai.

Kosova, sipas tij, po ashtu po kryen pagesat për sistemet kundërajrore Javelin, të cilat tha se do të arrijnë në shtet në bazë të parashikimeve. Kërkesën për blerjen e mbi 200 kundërajrorëve të tillë, Kosova ia kishte bërë SHBA-së vitin e kaluar. Blerja e tyre pritet t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.

Sa i përket angazhimit rajonal dhe ndërkombëtar, Maqedonci tha se me SHBA-në do të hartohen plane për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, SHBA-ja është zotuar se do të na mbështesë, në aspektin teknik, procedural dhe aspekte të tjera Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, por gjithashtu edhe në iniciativat rajonale”, tha ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Element shumë të rëndësishëm të marrëveshjes Maqedonci e cilësoi qëndrueshmërinë strategjike.

“Përveç mbështetjes që SHBA-ja do të japë në ndërtimin e kapaciteteve tona ushtarake, mbrojtjes ajrore, këmbësorisë, artilerisë dhe gjithë elementëve të tjerë ushtarakë, do të ndihmojë vendin tonë që të ndërtojë një qëndrueshmëri kolektive edhe jashtë ushtrisë. Pra, përmes organizimit të qytetarëve dhe përmes organizimit të strukturave të tjera shtetërore. Është në përputhje me mbrojtjen gjithëpërfshirëse si koncept, të cilin e kemi miratuar në Qeveri vitin e kaluar”, tha ai.

Maqedonci tha se për këtë marrëveshje ishte dakorduar me zyrtarët amerikanë gjatë vizitës së tij në SHBA në janar të këtij viti. Ai tha se kjo marrëveshje është e ngjashme me paktin në fushën e mbrojtjes që Kosova ka arritur vitin e kaluar me Turqinë.

Në konferencën për media, Maqedonci u pyet edhe për mundësinë e një reduktimi eventual të pranisë ushtarake të SHBA-së në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Maqedonci tha se Kosova vazhdon të ketë konfirmimin që ushtria amerikane do të jetë në kuadër të KFOR-it.

“Përveç prezencës ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it ne jemi të interesuar dhe po vazhdojmë që të diskutojmë me SHBA-në për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it, pra në aspektin bilaterial, duke qenë pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me FSK-në në Kosovë”, tha ai, duke përmendur këtu trajnime dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave për, siç tha, qëllimet e përbashkëta strategjike.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Uashingtonit në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.

Nga afër 100.000 trupa amerikane në Evropë, 600 prej tyre janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë.

Ditë më parë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionit të forcave të tyre.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme për strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës, duke ofruar trajnime për pjesëtarët e strukturave të sigurisë, kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por edhe kanë dhuruar pajisjeve të ndryshme ushtarake.

Në të kaluarën, Kosova ka arritur marrëveshje me SHBA-në, por edhe me shtete të tjera, për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat