U sulmua nga Fikrim Damka, Arda Maloku jep versionin e saj: “Filloi të bërtiste, më kapi nga krahët, më shtyu”

Aktuale

U sulmua nga Fikrim Damka, Arda Maloku jep versionin e saj: “Filloi të bërtiste, më kapi nga krahët, më shtyu”

Më: 12 mars 2025 Në ora: 14:19
Arda Maloku

Ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, bashkë edhe me një familjar të tij ishin përfshirë në një incident, pikërisht në ditën e zgjedhjeve.

Dyshohet se ata i kishin sulmuar dy persona, si duket kundërshtarë politik të Partisë Demokratike Turke të Kosovës.

Ndërkaq pas më shumë e një muaji, njëra prej protagonisteve që u sulmua nga Damka, u deklarua të martën.

Arda Maloku, ka deklaruar se anëtari i kabinetit qeveritar kishte filluar të bërtiste e më pas e kishte kapur nga krahu, e kishte shtyrë dhe e kishte kërcënuar.

Sipas saj, kreu i KDTP-së, është përpjekur ta fshehë të vërtetën e ngjarjes.

“Më 9 shkurt në mbrëmje, ndodheshim në Parkun e Dëshmorëve në lagjen Kurillë, së bashku me disa miq që ishin kandidatë për deputetë. Kishte mbetur edhe pak kohë deri në mbylljen e kutive të votimit. Në atë moment, një mik tjetër imi, Muharrem Jable (i cili nuk ka asnjë lidhje me YTHP) ndodhej aty dhe po bisedonim për zgjedhjet. Përballë parkut, para zyrës së KDTP-së, kishte një turmë njerëzish. Në atë çast, aty mbërriti Fikrim Damka dhe, sapo turma e pa atë, u drejtua menjëherë në drejtimin tonë, në park. Ngjarja filloi kur Damka iu afrua me qëllim Muharrem Jable-s. Unë isha në pjesën e përparme dhe, sapo Damka më pa, filloi të bërtiste, më kapi nga krahët, më shtyu dhe më kërcënoi. Nuk më intereson se çfarë problemi ka Damka me Muharremin dhe kjo nuk ka të bëjë as me mua e as me komunitetin turk. Por ky veprim i tij nuk ka asnjë justifikim! Në deklaratën e tij, ai përpiqet ta fshehë të vërtetën e ngjarjes duke e quajtur një kurth. Në pamjet filmike shihet qartë se kush ka ardhur drejt parkut”, ka thënë Maloku.

Ajo shtoi se kryeprokurori ka thënë se ka dyshime për dhunë ndaj një gruaje dhe kërcënim dhe se ka pasur pamje nga vendngjarja.

“Të gjithë dhanë dëshmitë e tyre. Po atë natë, Prokurori mori vendim për arrestim. Të nesërmen, Kryeprokurori, në deklaratën për shtyp, tha se ekziston dyshimi për dhunë ndaj një gruaje dhe për kërcënim dhe se pas dëshmive dhe pamjeve të marra nga vendngjarja ishte marrë vendimi për “ndalim”. Ai theksoi gjithashtu se kjo ngjarje nuk lidhet me politikën apo zgjedhjet, por mund të jetë një konflikt personal. Atëherë si mund të pretendohet se ky është një kurth kundër komunitetit turk dhe Damkës?”, tha ajo.

Ministri në largim i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe familjari i tij, Fuat Damka, u arrestuan ditën e zgjedhjeve, 9 shkurt pasi të njëjtit dyshohen se kanë kanosur dhe sulmuar një grua.

Damka është parë sot prezent në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ndonëse fjalën nuk e mori.

Gjykata Themelore e Prizrenit i kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaj.

Atij më 7 mars iu ndërpre masa e arrestit shtëpiak.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat