Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Irlandës në Kosovë, z. Ragnar Almqvist, me të cilin ka diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Irlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset integruese evropiane dhe përkrahjen në organizatat ndërkombëtare.
Ajo ka theksuar rëndësinë e partneritetit me Irlandën, si një vend me vlera të përbashkëta demokratike dhe një aleat i çmuar i Kosovës, thuhet në njoftimin për media.
Ndër temat kryesore të diskutimit ishte nevoja për heqjen e masave të padrejta, të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke nënvizuar se heqja e tyre do të ishte një mesazh i fuqishëm për Kosovën për të kontribuar tutje në vlerat dhe vizionin e përbashkët të BE-së.
Poashtu presidentja dhe ambasadori Almqvist kanë biseduar edhe për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian dhe rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë në këtë proces.