Në kuadër të panelit mbi Performancën e Ministrive në Reformën Evropiane, u diskutua progresi i Kosovës në forcimin e rendit juridik dhe përmbushjen e standardeve të BE-së.
Zëvendësministër i Drejtësisë, Vogan Qorrolli ka thënë se nga 16 masa të Planit Kombëtar për Integrim Evropian, 10 janë përmbushur gjatë vitit 2024, duke konfirmuar funksionimin e shtetit sipas normave evropiane dhe të drejtës ndërkombëtare.
Si hapa kyç u theksuan Themelimi i Gjykatës së Specializuar Administrative, miratimi i akteve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, si dhe digjitalizimi i sistemit të drejtësisë.
Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe Plani i Veprimit 2025-2026 do të jenë shtylla kryesore për forcimin e sistemit juridik dhe përshpejtimin e integrimit evropian të Kosovës.
Postimi i plotë:
Rendi juridik është themeli i çdo shteti: reforma në drejtësi është akti përmes të cilit një rend juridik afirmon vlefshmërinë dhe legjitimitetin e tij! 🇽🇰⚖️🇽🇰
Sot, pata kënaqësinë të marr pjesë në panelin mbi “Performancën e Ministrive në përmbushjen e Reformave Evropiane”, ku bashkë me Ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Karin Boven, dhe drejtoreshën e GLPS, Arbëresha Loxha-Stublla, diskutuam mbi progresin e Kosovës në konsolidimin e një rendi juridik që përmbush standardet evropiane.
10 nga 16 masat e Planit Kombëtar për Integrim Evropian janë përmbushur gjatë vitit 2024. Kjo nuk është thjesht një arritje politike, është konfirmim i faktit që rendi juridik i Kosovës po funksionon në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe normat e Bashkimit Evropian.
Reforma në drejtësi nuk është akt politik, është një proces normativ që përcakton legjitimitetin e të drejtës brenda hierarkisë së normave juridike.
Themelimi i Gjykatës së Specializuar Administrative dhe miratimi i akteve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve janë shprehje e qartë e këtij funksionimi normativ. Një sistem juridik është i qëndrueshëm vetëm nëse ai është i aftë të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të garantojë zbatimin e rregullave në mënyrë të barabartë dhe të paanshme. Ky është thelbi i sundimit të ligjit.
Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe Plani i Veprimit për 2025-2026 janë të strukturuara mbi parimin e hierarkisë normative dhe nevojën për koherencë brenda rendit juridik. Digjitalizimi i sistemit të drejtësisë dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit nuk janë vetëm mjete teknike: ato janë instrumente që sigurojnë funksionimin korrekt dhe të vazhdueshëm të sistemit juridik.
Integrimi evropian i Kosovës është, para së gjithash, një proces juridik. Vetëm përmes ndërtimit të një rendi juridik të qëndrueshëm dhe në harmoni me të drejtën evropiane, Kosova mund të afirmojë pozitën e saj si shtet sovran dhe i barabartë në familjen evropiane.
Rendi juridik është themeli dhe ne jemi të përkushtuar për ta konsoliduar atë.