Alim Rama, sekretar organizativ i LVV-së, ka dhënë detaje nga procesi i rinumërimit të votave me postë.
“Nga 1046 fletëvotime të rinumëruara (585 dolën të ishin të pavlefshme) LDK-ja mori vetëm 104, ose 10% të votave, duke u radhitur e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje! dhe PDK-së, njësoj si në votimin në Kosovë”.
Detajet më poshtë:
Rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme dëshmon edhe një herë për manipulimet e LDK-së!
Nga rinumërimi i 1631 fletëvotimeve me postë, të cilat KQZ-ja i shpalli të pavlefshme me arsyetimin se bashkëatdhetarët nuk i kishin shtypur siç duhej, rezultati që doli dëshmoi qartë edhe një herë për manipulimet e LDK-së. Nga 1046 fletëvotime të rinumëruara (585 dolën të ishin të pavlefshme) LDK-ja mori vetëm 104, ose 10% të votave, duke u radhitur e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje! dhe PDK-së, njësoj si në votimin në Kosovë.
Ndërkohë, kandidati që doli i dyti me 12000 vota të manipuluara me postë, nga këto fletëvotime të rinumëruara arriti të merrte vetëm 9 vota, ose 9% të votave të LDK-së.
Rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme që u bë pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje! nxjerr në pah një realitet shqetësues: lehtësinë me të cilën shpallet i pavlefshëm vullneti i votuesve, pa marrë parasysh cilës parti i përkasin ata.
Manipulimet e tilla pengojnë përparimin e Republikës së Kosovës, duke e bërë të pamundur që vendi të vazhdojë të ecë përpara me standardet e larta që e kanë karakterizuar deri tani: sigurimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike, duke respektuar plotësisht vullnetin e çdo qytetari të saj.