Në SHBA, vaksina për COVID-19 që nisi të shpërndahej në fillim të kësaj jave, nuk po arrin në kohë për të shpëtuar mijëra restorante nga ndikimi ekonomik i pandemisë. Shumë prej këtyre bizneseve që ende funksionojnë, u është dashur të ndryshojnë biznes për të kaluar këtë periudhë të vështirë.
Që nga fillimi i pandemisë, biznesmeni i Nju Jorkut, Wade Hagenbart ka mbyllur dy restorante ku ai është bashkë-pronar.
"Kur filloi pandemia në mars, kishim disa restorante. Një i ri që u hap në vjeshtë, plus një lokal që kisha prej 20 vjetësh tani janë mbyllur."
Prej dy dekadash, ai ishte bashkë-pronar i një restoranti dhe një lokali në Brooklyn të quajtur Angry Wade.
"Pronari i ndërtesës kërkonte qiranë e tij, por unë nuk mund të paguaj, sepse jemi mbyllur. Kështu që ai mori përsëri çelësat dhe unë u detyrova të largohem nga ky bar që e kisha prej 20 vjetësh", thotë pronari Wade Hagenbart.
Ai thotë se në fillim ata qëndruan hapur me ndihmën e kredive që u dha qeveria, e cila ndihmoi bizneset e vogla si ai të paguanin punëtorët dhe të mbulonin shpenzimet e tjera.
“Ne përdorëm paratë që morëm nga qeveria dhe pasi ato mbaruam nuk kishim mundësi tjetër. Po humbnim para çdo javë", thotë Wade Hagenbart.
Një biznesmen tjetër, Olivier Conan – që duket në foto me shall të kuq – e pa të pamundur ta mbante hapur barin e tij në Bruklin gjatë pandemisë.
Ai e transformoi lokalin, duke e kthyer në magazinë verërash, duke u lidhur me prodhuesit e vegjël dhe kantinat e verës.
“Është e vetmja mënyrë që mund të na mbajë hapur," thotë ai.
Tani që vaksinat e reja kanë filluar të shpërndahen, pronarë si Conan shpresojnë që bizneset e tyre të mund të rezistojnë derisa të mbarojë pandemia./VOA