Zgjatet ndalim-qarkullimi në plazhin e Majamit

Amerika

Zgjatet ndalim-qarkullimi në plazhin e Majamit

Më: 22 mars 2021 Në ora: 18:25
Foto

Ndalim-qarkullimi i vendosur në zonën e plazhit të Majamit pas zënkave, të shtënave me armë, mbrëmjeve festive, akteve të vandalizmit dhe dyndjes së turmave që thuajse rezultoi në shtypje njerëzish, mund të vazhdojë deri në përfundim të pushimeve të pranverës.

Këshilli bashkiak votoi të dielën njëzëri për t’i dhënë autoritet menaxherit të qytetit për të zgjatur ndalim-qarkullimin në zonën komerciale të qytetit deri të paktën më 12 prill, gjë që mbyll praktikisht aktivitetin që shoqëron pushimet e pranverës në një nga shtetet e pakta që ka rihapur plotësisht bizneset gjatë pandemisë.

Image

 

Ekipe të reagimit të shpejtë dhe forca policore nga katër agjenci të tjera të rendit u përpoqën të vënë nën kontroll turmën kaotike, por për ditë me radhë vazhduan zënkat, deri kur zyrtarët filluan të imponojnë ndalim-qarkullimin duke ndaluar shërbimin në ambjete të hapura në restorantet e rrugës së famshme Ocean Drive buzë oqeanit.

Menaxheri i qytetit Raul Aguila tha se shumë njerëz nga shtete të tjera po vinin "për të bërë veprime të paligjshme me mendësinë e festës se ‘çdo gjë lejohet’”. Ai tha se shumica nuk po frekuentonin bizneset që kishin shumë nevojë për dollarët e turistave, por thjesht mblidheshin në turma prej mijëra vetësh në rrugë.

Policia tha se më shumë se 1000 vetë janë arrestuar këtë sezon të pushimeve pranverore dhe janë sekuestruar rreth 80 armë. Shefi i policisë Richard Clements tha se problemet u keqësuan të hënën, kur një turmë jashtëzakonisht e madhe bllokoi bulevardin Ocean Drive "dhe praktikisht filloi një festë të improvizuar në rrugë". Nga e enjtja kishin filluar zënkat në rrugë duke detyruar shumë veta të vraponin për t’u larguar nga zona, duke rrezikuar të rrëzonin e të shtypnin të tjerët.

Festimet vazhduan jashtë kontollit deri të premten në mbrëmje, tha ai. Një restorant përfundoi në rrëmujë kur gjatë një zënke “karriget po përdoreshin si armë” dhe dyshemeja u mbuluar nga xhamat e thyera. Bari i famshëm Clevelander South Beach ngjitur me restorantin u detyrua të pezullonte shërbimin. Pati të shtëna dhe një e re u shtrua në spital me prerje serioze në këmbë, tha policia.

"Sa skena të tilla do të lejojmë para se të ndërhyjmë?" tha zoti Clements gjatë takimit të së dielës. Ai mbrojti ndalim-qarkullimin, i cili gjithashtu mbyll tre bulevarde që çojnë në plazhin Sauth Biç, në përpjekje për të mos lejuar askënd, përveç banorëve dhe punonjësve që të futen me automjete në ishull nga ora 20:00 deri në 6:00 të ditës tjetër nga e enjtja deri të dielën. "Mendoj se ishte vendimi i duhur," tha shefi.

Image

 


Turma nuk donte t’ia dinte për rregulloret e miratuara pak orë më parë për të mos lejuar grumbullime, megjithëse të shtunën në përgjithësi nuk pati akte dhune. Policët përdorën spërkatëse me spec djegës për të shpërndarë turmën. Të dielën në darkë njerëzit u grumbulluan përsëri duke sfiduar rregulloret.

Situata ndezi tensionet racore. Disa banorë të bardhë i referoheshin turmës së turistëve, kryesisht afrikano-amerikanë si "kafshë" ose "banditë" në mediat sociale.

"Ne duhet të kuptojmë se po luftojmë me një rezistencë me ngjyrim racor,” i tha gazetës Miami Herald DeAnne Connolly Graham, anëtar i Komisionit Këshillimor për Çështjet e Komunitetit Afrikano-Amerikan të Majami Biç.

Por Kryebashkiaku i qytetit, Dan Gelber hodhi poshtë pretendimin se disa u shenjestruan për arsye të racës.

"Kur qindra vetë vrapojnë nëpër rrugë të panikosur, kuptohet se nuk është diçka që mund të vihet nën kontroll nga një forcë policie", tha ai gjatë takimit të komisionit të dielën.

Shumë pak njerëz nga turma kishin vënë maskë, siç kërkohet nga një urdhëresë e qytetit që synonte të shmangte një përhapje më serioze të koronavirusit, i cili ka shkaktuar më shumë se 33,000 viktima deri tani në Florida.

Guvernatori republikan Ron DeSantis ka këmbëngulur se nuk do të vendosë rregullore mbarë-shtetërore për maskat, apo kufizime mbi kapacitetin e aktivitetit të biznesit ose kufizime të tjera të shëndetit publik. Ai ka thënë se qëndrimi i tij ishte arsyeja që po mban gjallë ekonominë e turizmit në Florida. "Nëse shikoni Floridan jugore tani, ky vend po lulëzon," tha DeSantis muajin e kaluar. "Los Anxhelosi nuk po lulëzon. Qyteti i New York-ut nuk po lulëzon”.

Sektori i turizmit në Majami sapo shpenzoi 5 milionë dollarë për fushatën më të madhe reklamuese mbarë-kombëtare në 20 vjet, duke u përpjekur të rikthehet në nivelet e aktivitetit të mëparshëm, pasi pësoi miliarda dollarë humbje nga pandemia, duke anuluar pushimet e pranverës të vitit të kaluar dhe duke detyruar mbylljet e plazheve në të gjithë këtë shtet.

Ndërkohë, Majami Biç ndaloi pijet alkoolike në plazh, si dhe ndaloi plotësisht shitjet e alkoolit pas orës 22:00 dhe u dërgoi mesazhe me tekst turistëve duke paralajmëruar, "Pushime me përgjegjësi ose do të arrestoheni".

Disa komisionerë thanë se zona e plazhit në jug të Majamit ka nevojë për një fushatë të re marketingu për të krijuar një imazh të ri larg famës si qytet i festimeve të pakontrolluara. Ata vunë në dukje se në Fort Loderdejl ka pasur vetëm një numër të kufizuar arrestimesh pasi qyteti ka rritur çmimet e hoteleve dhe ka promovuar një pushim pranvere "të përshtatshëm për familjarë".

Asnjë prej këtyre propozimeve nuk pëlqehet prej atyre që kishin bërë plane të festonin pa u frenuar gjatë pushimeve të pranverës.

"Më duket krejt e padrejtë,” tha turistja Heather Price për kanalin NBC 6. "Njerëzit kanë paguar gjithë ato para për të ardhur deri këtu e tani nuk do të jenë në gjendje të bëjnë aktivitetet që dëshironin"./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat