Zbulohet lista e re e emrave që pritet të jenë pjesë e Kabinetit të Preisdentit Trump

Amerika

Zbulohet lista e re e emrave që pritet të jenë pjesë e Kabinetit të Preisdentit Trump

Nga: Bota sot Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 08:07 Përditësuar në ora: 20:11 më 06.11.2024
Presidenti Donald Trump

Kamala Harris e pranon humbjen

Zëvendës presidentja Kamala Harris edhe zyrtarisht e ka pranuar humbjen në zgjedhjet 2024, duke e telefonuar të mërkurën Presidentin e zgjedhur, Donald Trump, për ta uruar.

Harris, një zyrtar i lartë tha, “e telefonoi Presidentin e zgjedhur Trump për ta uruar atë në fitimin e zgjedhjeve presidenciale 2024. Ajo diskutoi rëndësinë e transferimit paqësor të pushtetit dhe të qenit president i të gjithë amerikanëve”.

Një person i afërt i ka thënë CNN-it.

Shtuni: SHBA pritet ta rrisë presionin për marrëveshje finale Kosovë - Serbi

Kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh karshi politikes së deritashme amerikane për Kosovën, thotë në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë më bazë në Uashington.

Shtuni thotë se në raportet me Kosovën, SHBA-ja do të këtë një përqendrim më të madh në çështjen e dialogut mes Kosovë dhe Serbisë, duke mos përjashtuar rritjen e presionit për përfundimin e procesit të dialogut në Bruksel.

Intervistën e plotë të Shtunit për REL-in mund ta ndiqni në videon më poshtë:

Agjencia amerikane e sigurisë: Zgjedhjet ishin “paqësore dhe të sigurta”

Zgjedhjet në SHBA kanë qenë “paqësore dhe të sigurta”, sipas drejtoreshës së Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës, Jen Esterly

Në një komunikatë, Jen Esterly tha se “infrastruktura zgjedhore nuk ka qenë kurrë më e sigurt” dhe se “nuk ka pasur prova për ndonjë aktivitet keqdashës që ka pasur ndikim material në sigurinë apo integritetin e infrastrukturës sonë zgjedhore”.

Agjencitë e sigurisë dhe ligjit në gjithë vendin kanë qenë në gatishmëri të lartë për dhunë të mundshme gjatë ditës së zgjedhjeve.

FBI-ja konfirmoi dje se kishte së paku 30 kërcënime të rrejshme me bombë në qendra votimi në gjithë vendin – kryesisht në qarqe ku favorizoheshin demokratët.

Më shumë së gjysma e tyre ishin bërë në Xhorxhia.

Kërcënimet e rrejshme “duket se vinin nga domenet ruse”, tha FBI-ja.

Republikanët fitojnë shumicën në Senat; rezultati i zgjedhjeve për Dhomën e Përfaqësuesve ende i paqartë

Në zgjedhjet e së martës, republikanët fituan shumicën në Senat, duke siguruar të paktën 52 nga 100 vendet. Kjo do t’u japë republikanëve mundësinë të miratojnë me shpejtësi emërimet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump të anëtarëve të kabinetit të tij. Senati gjithashtu ka kompetencat për miratimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Republikanët u kanë marrë deri tani tre vende demokratëve në Senat.

Republikani Bernie Moreno fitoi ndaj senatorit demokrat të Ohajos Sherrod Brown. Zoti Moreno, një biznesmen, e quajti senatorin Brown, i cili kërkonte mandatin e tretë si senator, një politikan shumë liberal për shtetin konservator të Ohajos, duke e lidhur atë me politikat e Presidentit Biden dhe Nënpresidentes Harris.

Republikanët përmbysën edhe garat për Senat në Nebraska dhe Virxhinian Perëndimore.

Ndërkohë rezultati i zgjedhjeve për Dhomën e Përfaqësuesve, e cila tani kontrollohet nga republikanët, ende nuk është i qartë. Rezultatet e garave për 100 vende të Dhomës së Përfaqësuesve ende nuk janë shpallur. Deri të mërkurën në mëngjes nuk pati rezultate të papritura, me republikanët që kanë siguruar 198 vende dhe demokratët 180. Për sigurimin e shumicës duhet fitorja e 218 nga 435 vendet që ka Dhoma e Përfaqësuesve.

Vëmendja është përqendruar në Nju Jork dhe Kaliforni, ku demokratët po përpiqen të përmbysin rezultatin në rreth 10 gara ku republikanët shënuan fitore befasuese në zgjedhjet e fundit për në Kongres para dy vjetësh.

Për të fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët duhet të përmbysin katër vende të republikanëve dhe të mos humbin asnjë prej vendet që kishin para zgjedhjeve, që mund të jetë një detyrë e vështirë veçanërisht në zonat, ku ka fituar zoti Trump./VOA

Fjalimi i Harris pritet në orën 23:00 sonte

Kamala Harris pritet të mbajë fjalimin e saj koncesionar sonte.

Duke cituar dy burime, agjencia e lajmeve Reuters raporton se ajo do të mbajë fjalimin për ta pranuar zyrtarisht rreth orës 23:00 me kohën e Mbretërisë së Bashkuar.

Ne raportuam vetëm pak minuta më parë Harris pritet të telefonojë Donald Trump më vonë për të pranuar zyrtarisht.

Ish-presidenti Bush e uron Trumpin

Në një komunikatë, ish-presidenti George W. Bush, tha se ai dhe bashkëshortja e tij, Laura, u bashkohen "qytetarëve në lutjet tona për suksesin e liderëve tanë të rinj në të gjitha nivelet e Qeverisë”.

Disa prej ish-zyrtarëve të lartë republikanë, përfshirë ish-nënpresidentin e Bushit, Dick Cheney, e kishin mbështetur Kamala Harrisin në këto zgjedhje.

Por, Bushi qëndroi neutral.

Bushi i falënderoi gjithashtu edhe “presidentin Joe Biden dhe nënpresidenten Harris që i shërbyen vendit tonë”.

“Dalja e lartë në këto zgjedhje është shenjë e shëndetit të republikës sonë dhe e fuqisë së institucioneve demokratike”, tha Bush, i cili i cilësoi zgjedhjet si “të drejta, të lira dhe të sigurta”.

Lista Serbe mirëpret fitoren e Trumpit

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – e ka mirëpritur kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

“Në emër të popullit serb nga ‘Kosova dhe Metohija’, Lista Serbe përgëzon Donald Trumpin për fitoren e tij bindëse dhe për zgjedhjen në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, të bindur se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i mirë midis SHBA-së dhe Serbisë, të ndërtuara në mandatin e parë të presidentit Trump, do të përparojnë dhe forcohen më tej”, tha Lista Serbe në një njoftim.

Ajo tha se beson dhe pret që “pozita dhe problemet e popullit serb në ‘Kosovë dhe Metohi’ do të jenë më shumë në fokus, të bindur se administrata e presidentit Trump nuk do të lejojë vazhdimin e përndjekjes sistematike të popullit serb nga vendet e tyre të lashta në Kosovë dhe Metohi’”, pa dhënë dëshmi për pretendimet për përndjekje të tilla të serbeve në Kosovë.

Lista Serbe i kundërshton fuqishëm vendimet e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti për mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Gjithashtu, me iniciativën e Listës Serbe, serbët në veri i braktisën në nëntor 2022 institucionet e Kosovës për shkak të insistimit të Qeverisë për t’i hequr targat serbe dhe bojkotuan zgjedhjet lokale në komunat e veriut.

Lista Serbe tha se shpreson se administrata e ardhshme e Trumpit do të ndikojë që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Populli serb gjithmonë ka qenë përkrah presidentit Trump, prandaj është sinqerisht i inkurajuar nga kjo fitore historike”, tha ajo./REL

Në pritje të paraqitjes së Harrisit...

Demokratja Kamala Harris ka humbur në garën për t’u bërë gruaja e parë presidente e Shtëpisë së Bardhë.

Donald Trump, republikan, ka shënuar fitore bindëse.

Harris nuk ka folur ende publikisht, pavarësisht se është bërë e qartë qysh në mëngjesin e së mërkurës se Trump do të gëzojë fitoren, pasi ka shënuar fitore në shtetet që njihen si të papërcaktuara.

Harris e ka anuluar një fjalim të planifikuar për mbrëmë në Universitetin Howard në Uashington, ku i ka përfunduar studimet./REL

Ku pritet të jetë fokusi i Trumpit?

Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump ka çuar përpara gjithçka që lidhet me ekonominë.

Është zotuar për të luftuar inflacionin, dhe për ta bërë “Amerikën të përballueshme sërish”.

Tjetër pikë e nxehtë është imigrimi.

Trump është zotuar për ndërtim të plotë të murit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, të cilin e kishte premtuar edhe në mandatin e parë./REL

Zyrtare/ Donald Trump fiton Wisconsin dhe bashkë me të edhe zgjedhjet në SHBA

Një shtet tjetër i luhatshëm ka zgjedhur Donald Trump për President të SHBA-ve.

Me Wisconsin, Trump merr 277 vota të kolegjit elektoral, më shumë se 270 që nevojiten për të fituar garën e përgjithshme.

Si rezultat, Trump ka fituar presidencën dhe do të rihyjë në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i 47-të i Amerikës.

Presidenti Joe Biden e ktheu Wisconsin në blu me më pak se një pikë pasi Trump fitoi ngushtë shtetin në 2016.

Fitorja e Trump theu brezin për kandidatët presidencialë demokratë, ata kishin fituar shtatë zgjedhjet e mëparshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat