Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar e para Trumpin nga Kosova.
Të shpejtë kanë qenë edhe krerë të partive opozitare.
Vetë Trump e ka shpallur fitoren, por diçka e tillë nuk është zyrtarisht ende, pasi numërimi i votave po vazhdon.
Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Bedri Hamza, e ka uruar Trumpin dhe i ka lavdëruar republikanët dhe demokratët për garën e zhvilluar.
"Zgjedhjet në Amerikë janë festë e mrekullueshme e demokracisë. I shpreh urimet më të përzemërta presidentit Donald Trump për fitoren e tij", ka thënë Hamza në llogarinë e tij në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka uruar Trumpin dhe ka thënë se shpreson që Kosova do ta ketë vëmendjen e administratës së ardhshme në SHBA.
"Rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-në, ecja e Kosovës si shtet i ri në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!", ka thënë Abdixhiku në Facebook.
Urimeve u është bashkuar edhe udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili shpreson se fitorja e pretenduar e Trumpit do të ndihmojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
"Nën udhëheqjen e presidentit Trump kemi krijuar ushtrinë e Kosovës. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur", ka thënë Haradinaj në Facebook.
Kosova ka gëzuar përkrahjen e SHBA-së, ndër vite, pavarësisht kush ka qenë në krye të saj.
Administrata aktuale ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë si një kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trumpi, sa ishte president, ishte dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Megjithatë, Richard Grenell, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësuesi amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, shtyu përpara marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, të cilën Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton ashpër.
Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende lidhur me fitoren e pretenduar të Trumpit.