Tarifat shkaktojnë pasiguri në ekonominë amerikane

Amerika

Tarifat shkaktojnë pasiguri në ekonominë amerikane

Më: 12 mars 2025 Në ora: 15:00
Foto nga takimi

Debati për tarifat bashkë me frikën e inflacionit shkaktoi rënie të madhe të tregut të aksioneve në Shtetet e Bashkuara të hënën dhe të martën. Një shkëmbim të martën mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit të provincës më të populluar të Kanadasë, Ontarios, Doug Ford, tensionoi më tej marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Tregu i aksioneve në Shtetet e Bashkuara shënoi rënie të madhe dy ditë radhazi. Rënia pasoi përshkallëzimin e luftës tregtare nga

Presidenti Donald Trump, i cili kërcënoi se do të dyfishonte tarifat për metalet e importuara nga Kanadaja, pas planeve të Kanadasë për të rritur çmimin e eksporteve të energjisë elektrike në Shtetet e Bashkuara.

Në fund, Presidenti Trump dhe kryeministri i provincës së Ontarios u tërhoqën, duke lënë pas një tronditje të tregut të aksioneve.

Megjithatë, Presidenti Trump lejoi hyrjen në fuqi të tarifave të planifikuara prej 25% për importet e çelikut dhe aluminit nga Kandaja, për të mbështetur produktet e prodhuara në Amerikë.

"Ne po bëjmë gjërat e duhura. Ne do t'i kthejmë vendet e punës në Amerikë dhe nuk do të bëhemi objekt talljesh", tha Presidenti Trump.

Në 36 vitet e fundit, Ramon Pereiras ka drejtuar restorantin Taberna del Alabardero. Biznesi i tij mbijetoi koronavirusin dhe tarifat e mandatit të parë të Presidentit Trump.

“E mbani mend vitin 2018, vitin 2020? Do të jetë në rregull. Politika është një lojë, apo jo?”, tha ai.

Indeksi Dow Jones, që përfshin 30 kompanitë më të mëdha amerikane, shënoi rënie në nivel 2 për qind të hënën dhe 1 për qind të martën. Pasojat e rënies u ndjenë nga Roger Frechette, pensionist nga Virxhinia.

“Është vërtet e vështirë të shohësh një rënie kaq të shpejt të vlerës së aksioneve. Mendoj se një pjesë e madhe rritjes së gjithë vitit tashmë është zhdukur”, thotë ai.

“Njerëzit po nxitojnë dhe po reagojnë me një nivel paksa të tepruar tani, kështu që do të shohim. Duhen rreth 30 ditë për të parë se çfarë efekti do të kenë këto tarifa. Edhe vetë Presidenti Trump vazhdon të ndryshojë mendje, kështu që kush e di se çfarë do të ndodhë”, thotë Michael, një banor tjetër i Virxhinias.

Analistët financiarë thonë se paparashikueshmëria është ajo që sjell pasojat më të rënda.

“Është e vështirë për investitorët, bizneset dhe konsumatorët amerikanë, që të kuptojnë se si do të duken politikat e ardhshme. Një siguri më e madhe në këtë aspekt do të ishte e dobishme për njerëzit”, thotë Layna Mosely nga Universiteti Princeton.

Kur u pyet nëse ai parashikon një recesion, Presidenti Trump tha: "Nuk e shoh këtë". Megjithatë, shumë amerikanë shohin ecurinë e tregut të aksioneve si përgjigje për këtë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat