Trump e paralajmëron Rusinë me sanksione shtesë, nëse s’e pranon marrëveshjen për armëpushim

Amerika

Trump e paralajmëron Rusinë me sanksione shtesë, nëse s’e pranon marrëveshjen për armëpushim

Më: 12 mars 2025 Në ora: 20:04
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka bërë thirrje Rusisë ta pranojë një armëpushim 30-ditor, duke e paralajmëruar se do të vendosë sanksione shtesë ndaj saj, nëse ajo e hedh poshtë propozimin amerikan.

“Rusia nuk ka rrugëdalje tjetër pos armëpushimit. Po qe nevoja, ne do ta sanksionojmë, megjithëse shpresoj se nuk do të kemi nevojë ta bëjmë”, tha Trump për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.

“Në pikëpamjen financiare, ne mund të bëjmë gjëra shumë të pakëndshme, shumë të këqija, që janë shkatërruese për Rusinë, por unë nuk e dua një gjë të tillë”, shtoi ai.

Një ditë më parë, Ukraina e pranoi armëpushimin e përkohshëm pas nëntë orësh bisedimesh me zyrtarët e Trumpit në Arabinë Saudite.

Trump e ka bërë përfundimin e pushtimit mbi trevjeçar të Ukrainës nga Rusia prioritet kryesor që kur mori detyrën në janar, duke dërguar me shpejtësi zyrtarë të lartë në Moskë dhe në Kiev për ta shtruar rrugën për bisedime.

Ai e ka përdorur ndikimin e madh të Uashingtonit mbi Ukrainën - kryesisht ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informatave të inteligjencës - për ta bindur Kievin ta pranojë propozimin për armëpushim.

Por, Trump e nuk ka të njëjtin ndikim mbi Rusinë, e cila tashmë është nën sanksione të mëdha nga SHBA-ja dhe Evropa.

Ekspertët thonë se Putini ka gjasa t’i zvarrisë bisedimet për armëpushim, në mënyrë që ta përmirësojë pozicionin e tij në fushën e betejës dhe rrjedhimisht në tryezën e bisedimeve për ta arritur paqen.

Forcat ruse jo vetëm që po përparojnë në Ukrainën lindore, por gjithashtu po i zmbrapsin forcat ukrainase jashtë rajonit të Kurskut.

Ukraina kreu një inkursion befasues në Kursk në gusht të vitit të kaluar, duke marrë një pjesë të territorit rus me shpresën për ta shkëmbyer me tokën e saj sapo të fillojnë bisedimet për paqe. Rusia tani e ka rimarrë më shumë se gjysmën e territorit që fillimisht kishte humbur në Kursk.

Trump la të kuptohej se Ukrainës do t’i duhet të bëjë lëshime territoriale, diçka që gjithnjë e më shumë ekspertë thonë se është e pashmangshme duke parë përparimin e Rusisë në fushën e betejës.

"Kur flasim për armëpushim [me Ukrainën], flasim për tokën, për atë së kush tërhiqet - diskutuam për shumë gjëra [me Ukrainën]", tha Trump.

"Nuk duam të humbim kohë, njerëzit po vdesin. Rusia nuk është në situatën më të mirë tani. Shpresoj që [Putini] ta pranojë armëpushim", shtoi ai.

Më herët të mërkurën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se marrëveshja për armëpushim 30-ditor mund të përdoret si draft për një marrëveshje më të gjerë dhe shtoi se tani i takon Rusisë të vendosë nëse dëshiron të angazhohet në procesin e paqes.

“I takon Rusisë të vendosë se çfarë do të ndodhë tutje, nëse ajo dëshiron ta vazhdojë agresionin e vet kundër Ukrainës apo jo”, tha Zelensky në një konferencë për media të mërkurën.

Lideri ukrainas i lartësoi bisedimet që rezultuan me propozimin për armëpushim dhe tha se nevojitet nënvizimi i hapave të mëtejshëm, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për paqe afatgjate, me garanci të sigurisë për Ukrainën, për t’i dhënë fund luftës trivjeçare.

Moska deri më tani ka refuzuar të komentojë për hollësitë e propozimit për armëpushimin 30-ditor, dhe nuk është e qartë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për këtë marrëveshje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska do të presë derisa të marrë më shumë të dhëna të hollësishme nga Uashingtoni, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni "do t’i kontaktojë rusët" sot.

Rubio u tha gazetarëve të mërkurën, në komentet e tij të para pas largimit nga bisedimet në Xhedah, se Shtetet e Bashkuara shpresojnë se do të marrin përgjigje pozitive nga Rusia për marrëveshjen e armëpushimit dhe "u bëjnë thirrje rusëve t’i ndalin të gjitha armiqësitë"./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat