SHBA, inflacioni shënoi rënie gjatë shkurtit

Amerika

SHBA, inflacioni shënoi rënie gjatë shkurtit

Më: 12 mars 2025 Në ora: 23:29
Ilustrim

Inflacioni në Shtetet e Bashkuara shënoi rënie muajin e kaluar për herë të parë që nga shtatori, ndërkohë që çmimet e konsumit shënuan një rritje modeste pasi kostoja më e lartë e strehimit u kompensua pjesërisht nga ulja e kostos së udhëtimit ajror.

Këto zhvillime i japin hapësirë Rezervës Federale për të mbajtur të pandryshuara normat e interesit javën e ardhshme, ndërsa ndjek nga afër ndikimin e mundshëm të luftës tregtare në ekonomi.

Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit 2.8% në muajin shkurt, krahasuar me një vit më parë, por ishte më i ulët se shifra prej 3% gjatë muajit janar, sipas raportit të publikuar të mërkurën nga Departamenti i Punës.

Çmimet bazë, të cilat përjashtojnë kategoritë e paqëndrueshme, si ushqimet dhe energjia, u rritën 3.1% krahasuar me një vit më parë, ndërsa janari kishte një rritje prej 3.3%. Shifra bazë është më e ulta që nga prilli i vitit 2021.

Rënia ishte më e madhe nga sa kishin parashikuar ekonomistët, sipas një sondazhi nga firma “FactSet”. Sidoqoftë, inflacioni mbetet mbi objektivin prej 2% që synon Rezerva Federale. Shumica e ekonomistëve presin që inflacioni të mbetet në nivele të larta këtë vit ndërsa tarifat amerikane hynë në fuqi.

Raporti “është një lajm inkurajues, megjithëse nuk na tregon shumë se në çfarë drejtimi po shkon inflacioni”, tha përmes një emali ekonomisti Oren Klachkin, me firmën “Nationwide Financial Markets”. “Ndërsa tarifat mund të shkaktojnë rritjen e çmimit të mallrave, ne shohim shtimin e rrezikut të rritjes së inflacionit”.

Sipas raportit, inflacioni në bazë mujore ishte më i ulët nga sa pritej. Çmimet e konsumit u rritën me 0.2% gjatë muajit shkurt, një rritje më e vogël se 0.5% që u regjistrua gjatë muajit janar. Çmimet bazë u rritën 0.2%, krahasuar me 0.4% gjatë janarit.

Ekonomistët i vëzhgojnë çmimet bazë, sepse ato janë zakonisht një tregues më i mirë për inflacionin. Një rënie e theksuar prej 4% e kostos së transportit ajror gjatë muajit shkurt, krahasuar me janarin, ndihmoi në uljen e inflacionit të përgjithshëm.

Rritja e çmimeve të qirave gjithashtu shënoi ngadalësim ndërsa kostot e dhomave të hoteleve dhe sigurimit të makinave u rritën shumë më ngadalë në shkurt se në janar. Çmimi i makinave të reja ra muajin e kaluar krahasuar me janarin.

Çmimet e ushqimeve mbetën të pandryshuara që nga janari, duke sjellë lehtësim për konsumatorët që po përballen me një rritje prej 25% të çmimeve nga katër vjet më parë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat