Për Aktivistët, Veprimtarët e ish Fondit Vendlindja Thërret, Themeluesit e Organizatorët e Formacioneve Ushtarake të UÇK - së ,si dhe te Batalionit Atlantiku në SHBA, ndarja nga jeta e nënës së një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Z.Kadri Veseli, është një lajm i pikëlluar.
Urtësia, dhe bujaria si tipare tipike të nënës shqiptare, personifikoheshin pikërisht me nënën Ajshe.
Por, sakrifica ishte kryefjala e jetës së nënës Ajshe!
Sakrificë në kohën e robërisë, në përpjekje për çlirim nga okupatori serb.
Sakrificë në momentet e fundit të jetës, padrejtësisht duke mos patur të birin e saj pranë.
Për ne, dhimbja është edhe më e madhe, kur dihet se djali i saj Kadriu, padrejtësisht së bashku me shokë, gjendet në procesin gjyqësor në Hagë. Dhe, nuk ishte pranë nënës në frymën e fundit!
Bashkëndjejmë me familjen atdhetare Veseli për vdekjen e nënës Ajshe.
Ajo ishte nëna e të gjithë veprimtarëve të çështjes kombëtare.
U bëftë dritë e përjetësisë Nënë Ajshe, gjithë sakrifica juaj për t’i rritur dhe edukuar, fëmijët tuaj në frymën kombëtare, dhe për t’i ushqyer e strehuar shokët e idealit të fëmijëve tuaj në rrugën për liri dhe pavarësi.
I lehtë të qoftë, dheu i Kosovës!