Dhjetra tanke 'lëvizin në jug të Izraelit'
Mediat izraelite raportojnë se ushtria ka mobilizuar dhjetëra tanke në Izraelin jugor.
Betejat e ashpra mes trupave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit që hynë nga Gaza po vazhdojnë në rajon.
Mediat izraelite raportojnë se ushtria ka mobilizuar dhjetëra tanke në Izraelin jugor.
Betejat e ashpra mes trupave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit që hynë nga Gaza po vazhdojnë në rajon.
Linja ajrore franceze ka njoftuar se do të pezullojë fluturimet për në Tel Aviv pas sulmit ndaj Izraelit nga Hamasi, përcjell Bota sot.
Kryeministrja franceze Élisabeth Borne tha për BFM TV se masa është "për momentin".
Nuk është ende e qartë se për sa kohë do të jetë pezullimi.
Një zyrtar i lartë i Hezbollahut ka dyfishuar mbështetjen e grupit ndaj Hamasit, i cili nisi një inkursion ushtarak dje.
"Historia jonë, armët dhe raketat tona janë me ju. Gjithçka që kemi është me ju," tha Hashem Safieddineis.
Z. Safieddine është përgjegjës për mbikëqyrjen e aktiviteteve politike, sociale, kulturore dhe arsimore të Hezbollahut, sipas Projektit Kundër Ekstremizmit.
Ai po fliste në një ngjarje në solidaritet me luftëtarët palestinezë, të mbajtur në bastionin e Hezbollahut në Dahieh në periferi të Bejrutit.
Përleshjet midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë të Hamasit janë duke vazhduar të dielën në disa pjesë të Izraelit jugor, raportojnë mediat.
Mëngjesin e së shtunës, nga Rripi i Gazës, Hamasi nisi një valë sulmesh me raketa kundër Izraelit - gjë që nxiti përgjigjen e menjëhershme të ushtrisë izraelite me sulme ajrore.
Sipas zyrtarëve, në Izrael u vranë 300 civilë dhe dhjetëra të tjerë u morën pengje.
Zyrtarët palestinezë thanë se sulmet ajrore izraelite vranë së paku 313 njerëz në Rripin e Gazës dhe plagosën mbi 2.000 të tjerë.
Përleshjet u përshkruan si përshkallëzimi më i rëndë i konfliktit izraelito-palestinez në disa vite.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Paqen në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, tha se “kjo është një greminë e rrezikshme” dhe u bëri thirrje të gjithëve që të tërhiqen.
“Ky sulm ka një ndikim të tmerrshëm mbi civilët izraelitë... Civilët nuk duhet të jenë kurrë objektiv i sulmit”, tha komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Tuerk.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shprehu mbështetje të palëkundur për Izraelin, ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se, gjatë ditëve në vijim, Departamenti i Mbrojtjes do të punojë “për të siguruar që Izraeli ka atë që i nevojitet për ta mbrojtur veten dhe për t’i mbrojtur civilët nga dhuna dhe terrorizmi”.
“Po i ndjek nga afër zhvillimet në Izrael. Angazhimi ynë për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur mbetet i palëkundur”, tha Austin.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se vendi i tij shpreh, po ashtu, mbështetje për Izraelin.
“Jemi thellësisht të tronditur nga sulmi me raketa nga Gaza dhe dhuna në rritje. Gjermania i dënon këto sulme nga Hamasi dhe qëndron në krah të Izraelit”, tha Scholz.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ka diskutuar situatën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, dhe udhëheqës të tjerë rajonalë.
“Presidenti shprehu shqetësimet e tij për situatën dhe ia kujtoi secilit rëndësinë e dënimit të sulmeve terroriste kundër Izraelit, ushtarëve dhe popullit të tij”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Presidentit të Francës.
Sipas disa raportimeve në media, Abbas i kërkoi Macronit të ndërhyjë për të ndaluar “agresionin izraelit”.
Shefja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sulmi i Hamasit kundër Izraelit “është terrorizëm në formën e tij më të neveritshme”.
“Kjo dhunë e tmerrshme duhet të ndalet menjëherë. Terrorizmi dhe dhuna nuk zgjidhin asgjë”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se vendi i tij u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen.
Ministria e Jashtme turke tha se “Turqia është gjithmonë e gatshme të ofrojë çfarëdolloj ndihme për të siguruar që zhvillimet në fjalë, të mos përshkallëzohen më tej”.
Thirrje për përmbajtje bënë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministria e Jashtme e këtij vendi tha se duhet “armëpushim i menjëhershëm për t’i shmangur pasojat serioze”.
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Mikhail Bogdanov, tha se vendi i tij “është në kontakt me Izraelin, palestinezët dhe vendet arabe” dhe se bën thirrje për përmbajtje.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e dënoi atë që ai e cilësoi si “sulm terrorist” ndaj Izraelit dhe tha se e drejta e Izraelit për ta mbrojtur veten “nuk mund të vihet në dyshim”.
Tel Avivi pas sulmeve të Hamasit.
Hamasi u bëri thirrje palestinezëve dhe arabëve të tjerë që t’i bashkohen aksionit të tij kundër Izraelit.
Mbetet e paqartë nëse palestinezët në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor apo gjetkë në rajon, do ta dëgjojnë thirrjen e tij.
Ushtria izraelite, ndërkohë, urdhëroi një përforcim masiv të trupave./REL
Hamasi nuk po i sulmon civilët, tha zëdhënësi i lartë i këtij grupi, Osama Hamdan.
Kjo deklaratë e Hamdan për Al Jazeera, erdhi pasi grupet e të drejtave si Amnesty International kanë theksuar se civilët izrealitë ishin vrarë nga Hamasi.
Ai shtoi se duhet bërë dallimi mes siç tha “kolonëve dhe civilëve”, sipas tij kolonët sulmuan palestinezët.
Forcat izraelite u përleshën me sulmues të grupit palestinez, Hamas, të dielën, 24 orë pasi militantët nisën një sulm të befasishëm ndaj Izraelit, gjatë të cilit u vranë afër 500 persona.
Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e dhunës në Izrael në 50 vjet.
Konflikti u përhap, pasi pati sulm nga Libani në veri të Izraelit, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi Hezbollah, duke thënë se sulmi u krye “në solidaritet” me popullin palestinez.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të artilerisë në Liban dhe përmes një sulmi me dron ndaj një pike të kontrollit të Hezbillahut pranë kufirit, tha ushtria. Nuk ka raportime për viktima nga këto sulme.
Inkursioni nga Gaza në jug të Izraelit – që është më i madhi në dekada – mund të minojë përpjekjet që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara për bashkimin e rajonit sa i përket sigurisë dhe mund të kërcënojë aspiratat palestineze për shtetësi dhe ambiciet e mbështetësit kryesor të Hamasit, Iranit.
Luftëtarët e Hamasit nisën sulmin e tyre mëngjesin e 7 tetorit duke goditur me breshëri raketash jugun e Izraelit. Sulmet me raketa iu mundësuan luftëtarëve të grupit të infiltrohen në Izrael nga Gaza – një rrip toke që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.
Gjatë luftimeve të shtunën dhe në orët e para të së dielës, luftëtarët e Hamasit kanë vrarë të paktën 250 izraelitë dhe kanë marrë pengje në Gaza dhjetëra persona. Mbi 250 persona në Gaza u vranë pasi Izraeli kreu sulme hakmarrëse.
“Ne do të hakmerremi për këtë ditë”, tha të shtunën kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se operacionet po vazhdojnë të dielën në tetë zona përreth Gazës, ndërkaq televizioni Al Hadath citoi Gjysmëhënën e Kuqe palestineze të ketë thënë se 18 persona janë vrarë pasi Izraeli shënjestroi dy shtëpi në qarkun Beit Hanun të Gazës.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se 20 fëmijë janë në mesin e 256 civilëve të vrarë. Po ashtu, ata raportuan për pothuajse 1.800 persona të plagosur.
Në veri, Hezbollahu – që mbështetet nga Irani – tha përmes një deklarate se kreu një sulm me raketë dhe artileri në tri caqe, përfshirë një pikë ku ishte vendosur një radar në Shebaa Farms të pushtuar nga Izraeli. Kjo cipë toke është pushtuar nga Izraeli më 1967 dhe Libani pretendon se i përket atij.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulm artilerie në jug të Libanit.
Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se sulmi që nisi në Gaza do të përhapet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem. Banorët në Gaza po përballen qe 16 vjet me një bllokadë izraelite.
Gjatë fjalimit, Haniyeh përmendi kërcënimet ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, bllokadën e vazhdueshme izraelite në Gaza dhe normalizimin e raporteve mes Izraelit dhe shteteve të rajonit.
“Sa herë iu kemi paralajmëruar se populli palestinez po jeton në kampe të refugjatëve për 75 vjet, dhe ju keni refuzuar që të njihni të drejtat e popullit tonë?”, tha ai.
Zyra e Netanyahut tha se kabineti i tij i sigurisë ka miratuar hapat për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe Xhihadit Islamik – një tjetër grup militant – “për vite të tëra” përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike, furnizimeve me karburante dhe dërgimin e mallrave për në Gaza.
Pas nisjes së sulmit masiv të Hamasit, shtetet në mbarë botën i ofruan mbështetje Izraelit dhe theksuan se ai ka të drejtë të mbrojë veten. Presidenti amerikan, Joe Biden, po ashtu paralajmëroi shtetet e tjera që janë “palë armiqësore e Izraelit” që të mos tentojnë që të shfrytëzojnë situatën.
“Bota po shikon”, tha Biden gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë.
Në mbarë Lindjen e Mesme ka pasur edhe demonstrata në mbështetje të Hamasit, me flamujt e Izraelit dhe SHBA-së që janë djegur në Irak, Liban, Siri dhe Jemen. Ndërkaq, Irani dhe Hezbollahu kanë përgëzuar Hamasin për sulmin.
Zëvendësshefi i Hamasit, Saleh al-Arouri, tha se grupi ka kapur një numër të madh robërish izraelitë, përfshirë zyrtarë të lartë. Ai tha se Hamasi ka mjaft pengje sa të detyrojë Izraelin që të lirojë të gjithë palestinezët që janë në burgje.
Hamasi ka argumentuar se sulmi është kryer për shkak të, siç ka thënë, përshkallëzimit të sulmeve izraelite ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem./REL
Grupi palestinez, Hamas, nisi më 7 tetor një sulm të befasishëm nga Gaza në Izrael.
Ngjarja u përshkrua si një nga përshkallëzimet më serioze të konfliktit izraelito-palestinez në disa vite.
Kur u themelua Hamasi?
Hamasi, ose Lëvizja e Rezistencës Islamike, u themelua në vitin 1987 gjatë kryengritjes së parë palestineze. Ai mbështetet nga Irani shiit dhe ndan ideologjinë islamike të Vëllazërisë Myslimane, e cila u krijua në Egjipt në vitet 1920.
Hamasi udhëheq Rripin e Gazës që nga viti 2007, pas një lufte të shkurtër civile me forcat besnike të lëvizjes Fatah, e cila udhëhiqet nga presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Ai është i vendosur në Bregun Perëndimor dhe gjithashtu kryeson Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO).
Marrja e Gazës nga Hamasi pasoi fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare palestineze në vitin 2006 - njëherësh hera e fundit që u mbajtën. Hamasi e akuzoi Abbasin për komplot kundër tij, ndërsa Abbas e përshkroi atë që ndodhi si grushtshtet.
Që atëherë, kishte shpërthime të shpeshta të konfliktit me Izraelin.
Hamasi refuzon ta njohë shtetin e Izraelit dhe kundërshton dhunshëm Marrëveshjet e Oslos për Paqe, të negociuara nga Izraeli dhe PLO-ja, në mesin e viteve 1990.
Hamasi ka një krah të armatosur, të quajtur Brigadat Izz el-Deen al-Qassam, i cili dërgon njerëz të armatosur dhe kamikazë në Izrael. Hamasi i karakterizon aktivitetet e tij të armatosura si rezistencë kundër pushtimit izraelit.
Grupi është pjesë e një aleance rajonale, që përfshin Iranin, Sirinë dhe grupin islamik shiit, Hezbollah, në Liban. Të gjithë ata kundërshtojnë gjerësisht politikën e SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe Izraelin.
Derisa bazën e ka në Gazë, Hamasi ka mbështetës në të gjitha territoret palestineze dhe ka liderë të shpërndarë në të gjithë Lindjen e Mesme.
Hamasi në tërësi - ose në disa raste krahu i tij ushtarak - cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera.
Ku gjendet Rripi i Gazës?
Rripi i Gazës është një territor prej 41 kilometrash i gjatë dhe 10 km i gjerë midis Izraelit, Egjiptit dhe Detit Mesdhe. Atje jetojnë rreth 2.3 milionë njerëz.
Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazë dhe vijën e saj bregdetare, si dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash mund të hyjnë dhe të dalin nëpër pikat e saj kufitare. Në mënyrë të ngjashme, Egjipti kontrollon se kush hyn dhe del përmes kufirit të tij me Gazën.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rreth 80% e popullsisë së Gazës varet nga ndihma ndërkombëtare.
Si shpërtheu dhuna e fundit?
Mes Izraelit dhe Hamasit ka tensione të vazhdueshme, por sulmi i fundit ndodhi pa paralajmërim. Hamasi gjuajti mijëra raketa në Izrael, ndërsa dhjetëra luftëtarë të tij shkelën kufirin dhe pushtuan komunitetet izraelite, duke vrarë dhjetëra civilë dhe duke marrë robër të tjerë.
Izraeli filloi menjëherë sulmet ajrore, duke thënë se ka në shënjestër objektet e militantëve në Gazë. Zyrtarët lokalë thanë se më shumë se 200 njerëz u vranë.
Ku qëndron problemi?
Bregu Perëndimor dhe Gaza, të cilat njihen si territore palestineze, si dhe Jerusalemi Lindor dhe Izraeli kanë qenë pjesë e tokës së njohur si Palestinë që nga koha romake.
Këto ishin gjithashtu tokat e mbretërive hebraike në Bibël dhe shihen nga hebrenjtë si atdhe i tyre i lashtë.
Izraeli u shpall shtet në vitin 1948, megjithëse toka ende quhet Palestinë nga ata që nuk e njohin të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.
Palestinezët përdorin gjithashtu emrin Palestinë si një term ombrellë për Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor./REL
Të paktën 750 izraelitë janë zhdukur që nga luftimet që shpërthyen të shtunën në mëngjes, raportuan mediat lokale.
"Sipas një raporti jozyrtar, rreth 750 izraelitë aktualisht janë të zhdukur," tha e përditshmja Jerusalem Post në X.
Hamasi nisi operacionin Al-Aksa Flood të shtunën dhe tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe rritjes së dhunës së kolonëve. Ajo tha se hodhi raketa dhe kapi shumë izraelitë.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite nisi operacionin Shpatat e Hekurt kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha: "Ne jemi në luftë." Ai u bëri thirrje civilëve në Gaza të largohen pasi ushtria izraelite do t'i kthejë "të gjitha vendet e fshehura të Hamasit në rrënoja".
Të paktën 232 palestinezë janë vrarë në sulmet, sipas burimeve mjekësore në Gaza, ndërsa numri i të vdekurve izraelitë ka shkuar në 300.
Më shumë se 3,000 raketa janë lëshuar nga Hamasi drejt Izraelit që nga mëngjesi i së shtunës, sipas ushtrisë izraelite.
Ajo pranoi në një deklaratë në X, se ushtarët ishin kapur dhe marrë peng në Gaza dhe konfirmoi se më shumë se 1,000 izraelitë u plagosën.
Gideon Levy, një gazetar në të përditshmen izraelite Haaretz, i ka thënë Al Jazeera-s se nëse grupi i armatosur libanez Hezbollah në të vërtetë përfundon duke u bashkuar me përshkallëzimin e vazhdueshëm, atëherë Izraeli do të përballet me një krizë, përcjell Bota sot.
“Ne do të përballemi me një realitet krejtësisht të ndryshëm ku Izraeli duhet të luftojë dy fronte dhe ndoshta tre, nëse Bregu Perëndimor i pushtuar hyn në tablo.
Kjo është një lojë e re dhe Izraeli do të kalojë diçka me të cilën nuk është përballur kurrë më parë”, tha ai.
Duke raportuar nga Bejruti, Liban, Zeina Khodr e Al Jazeera ka thënë se sulmi i grupit të armatosur libanez Hezbollah në Izraelin verior, mund të përkeqësojë përshkallëzimin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas që qeveris Gazën, përcjell Bota sot.
“Hamasi u kishte bërë thirrje të gjitha grupeve të armatosura në Liban që t'i bashkohen luftës kundër Izraelit. Hamasi ka aleatë në Liban… Të gjitha grupet janë të gjitha pjesë e boshtit të rezistencës kundër Izraelit”, tha Khodr.
“Ata [Hezbollahu] nuk goditën zona të hapura siç kemi parë në shkëmbimet e mëparshme ndërkufitare të zjarrit, ne e kuptojmë se mortajat synonin një stacion radar izraelit. Por megjithatë zgjedhja e Shebaa-s si dhe përdorimi i mortajave dhe jo raketave me rreze të gjatë që synojnë qytetet izraelite ose vendbanimet veriore, kjo mund të shihet më shumë si një mesazh se kjo është ajo që mund të ndodhë nëse i bashkohemi kësaj lufte - mund të përkeqësohet përshkallëzimi.