LIVE: Këto shtete shpallën zi për vdekjen e Raisi-t - Iranianët vajtojnë vdekjen e presidentit, të tjerët nisin festën!

Azia

LIVE: Këto shtete shpallën zi për vdekjen e Raisi-t - Iranianët vajtojnë vdekjen e presidentit, të tjerët nisin festën!

Nga: Bota sot Më: 20 maj 2024 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 10:51 më 20.05.2024
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi

Zyrtari izraelit: Ne nuk jemi të përfshirë në vdekjen e presidentit iranian

Izraeli nuk është i përfshirë në vdekjen e presidentit iranian Ebrahim Raisi nga përplasja e helikopterit që vrau gjithashtu disa anëtarë të rrethimit të tij, tha sot një zyrtar izraelit i paidentifikuar për Reuters.

“Nuk ishim ne”, tha zyrtari izraelit.

Përveç Raisit dhe ministrit të Jashtëm iranian, Hossein Amir Abdollahian, janë identifikuar edhe tre persona të tjerë që humbën jetën në një aksident me helikopter në veriperëndim të Iranit, njoftoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.

Imami në qytetin e Tabrizit, Ayatollah Mohammad Ali Al-e Hashem, kreu i provincës iraniane të Azerbajxhanit Lindor, gjenerali Malek Rahmati dhe komandanti i njësisë së mbrojtjes presidenciale, Sardar Seyed Mehdi Mousavi, u vranë.

U vranë gjithashtu një numër i caktuar truprojash dhe ekuipazhi të helikopterit, të cilët ende nuk janë identifikuar.

Vdekja e presidentit, Irani shpall pesë ditë zie kombëtare

Irani ka shpallur pesë ditë zie kombëtare, pas vdekjes së presidentit të vendit.

Gjithashtu edhe Libani shpalli të hënën tre ditë zie kombëtare për presidentin dhe ministrin e jashtëm iranian, të cilët u vranë pas rrëzimit të helikopterit pranë kufirit me Azerbajxhanin.

Autoritetet iraniane konfirmuan mëngjesin e kësaj të hëne se presidenti Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm kanë vdekur, pasi ekipet arritën të gjejnë helikopterin që ishte rrëzuar.

Raisi po shkonte për në qytetin e Tabrizit, në veriperëndim të Iranit, pasi u kthye nga një zonë kufitare Iran-Azerbajxhan, sipas mediave lokale. Kërkimet kanë vijuar dhe gjatë natës në gjetjen e helikopterit të aksidentuar.

Çfarë pritet të ndodhë pas vdekjes së Raisit?

Nga: A.M.

Kushtetuta e Republikës Islamike ka një zgjidhje të drejtpërdrejtë për rastet kur një president është i paaftë për të kryer detyrat e tij për shkak të sëmundjes, vdekjes ose shkarkimit nga parlamenti.

Ai ngarkon zëvendëspresidentin - në këtë rast, Mohammad Mokhber - të drejtojë punët e vendit dhe së bashku me krerët e parlamentit dhe gjyqësorin të mbikëqyrin zgjedhjet për një president të ri brenda një maksimumi prej 50 ditësh, raporton BBC, transmeton "Bota sot".

Kjo do të ndodhte vetëm me konfirmimin e liderit suprem, i cili ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet shtetërore në Iran.

Me mediat shtetërore që konfirmojnë se presidenti Ebrahim Raisi ka vdekur, regjimi në Iran do të lëvizë për të mbajtur një zgjedhje të tillë - një zgjedhje që nuk ka gjasa të mbledhë më shumë interes në mesin e publikut sesa në të kaluarën.

Herën e fundit, të gjithë sfiduesit seriozë të Raisit u ndaluan të kandidonin, duke i hapur rrugën atij për të hyrë në detyrë me numrin më të vogël të votuesve (rreth 30% të votuesve me të drejtë vote), ndërsa shumica bojkotoi ato që i shihnin si zgjedhje fikse.

Hamasi reagon pas vdekjes së presidentit iranian

Grupi militant palestinez, Hamasi ka reaguar pas lajmit tw vdekjes sw presidentit iranian, Ebrahim Rais dhe ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian.

Një deklaratë e publikuar në faqen zyrtare të Hamasit thotë se grupi ka “ndarë ndjenjat e trishtimit dhe dhimbjes me popullin vëlla iranian” dhe “solidaritetin tonë të plotë” me Iranin.

Irani – një armik i betuar i Izraelit që nga Revolucioni Islamik i tij i vitit 1979 – ka shpenzuar vite duke ndërtuar forca përfaqësuese në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Hamasin duke e mbështetur atë me fonde, armë dhe trajnime, raporton BBC.

Deklarata e grupit përshkruan ata që humbën jetën në rrëzimin e helikopterit si “një grup prej udhëheqësve më të mirë iranianë që kishin një udhëtim të gjatë në rilindjen e Iranit”.

Grupi gjithashtu bën homazhe për “solidaritetin” që ata treguan për çështjen palestineze.

Kush ishte Ebrahim Raisi?

Ebrahim Raisi, presidenti iranian ultrakonservativ, që parashihej të bëhet lideri i ardhshëm suprem i vendit, ka vdekur në moshën 63-vjeçare.

Një helikopter, në të cilin ka qenë Raisi dhe ministri i tij i Jashtëm, është rrëzuar në teren malor në veriperëndim të Iranit, më 19 maj, teksa ka qenë duke u kthyer nga një vizitë prej Azerbajxhanit fqinj, dhe për pasojë të gjitha anëtarët në bord kanë vdekur.

Raisi, figurë e afërt për kohë të gjatë me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka qenë më parë shef i gjyqësorit, kur dyshohet të ketë luajtur rol kyç në një prej kapitujve më të errët të Republikës Islamike.

Kleriku i linjës së ashpër do të kujtohet për mbikëqyrje të shtypjes brutale të protestave të pashembullta të vitit 2022, dhe ashpërsimit të ligjeve të lidhura me moralin.

Qindra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar, kur forcat qeveritare i kanë shtypur protestat e atij viti, të cilat kanë përbërë sfidën më të madhe në dekada për udhëheqësit klerikë.

Raisi e ka mbrojtur shtypjen e protestave dhe i ka akuzuar qeveritë e huaja, dhe grupet opozitare për nxitje të marsheve.

Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë se presidenca e Raisit është shënuar prej tërmeteve në rritje shoqërore dhe politike, dhe përkeqësim të marrëdhënieve me Perëndimin.

“Udhëheqësia e tij e reflekton një trend të politikbërjes gjithnjë e më të izoluar në krye të Iranit, pasi kështu konsolidohet kontrolli ultrakonservativ”, ka thënë ai.

‘Kasapi i Teheranit’

Raisi është shkolluar në qytetet e shenjta shiite në Qom dhe Mashhad, ku ka lindur, më 1960.

Ai më pas ka studiuar për teologji dhe jurisprudencë islamike, sipas udhëzimeve të Khameneit dhe klerikëve tjerë të fuqishëm.

Kritikët e Republikës Islamike e konsiderojnë Raisin si “kasap të Teheranit” për rolin e tij të dyshuar në ekzekutimet masive të të burgosurve politikë më 1988, kur ka qenë zëvendësprokuror i Teheranit.

Më 1989, vitin kur Khamenei është bërë lider suprem, Raisi është emëruar kryeprokuror i Teheranit.

Ai e ka mbajtur atë pozitë deri më 1994, kur i është kërkuar të udhëheqë Organizatën Shtetërore të Inspektoratit, një trup gjyqësor, dhe atë pozitë e ka mbajtur për 10 vjet.

Shefi i pushtetshëm i gjyqësorit, Mahmud Hashemi Shahrudi e ka emëruar Raisin si zëvendësin e vet më 2004.

Pas një dekade në atë rol, Raisi është emëruar prokuror i përgjithshëm i Iranit, më 2014.

Dy vjet më vonë Khamenei e ka shpallur atë kujdestar të një faltoreje në Mashhad dhe një prej fonacioneve më të pasura të Iranit.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, Raisi nuk ka arritur të mposhtë kandidatin e atëhershëm, më vonë presidentin, Hassan Rohani.

Atëherë, Raisi ka siguruar 38 për qind të votave.

Dy vjet më vonë, Khamenei është emëruar shef i gjyqësorit të Iranit.

Të njëjtin vit, Shtetet e Bashkuara e kanë sanksionuar Raisin dhe tetë persona tjerë që përbëjnë rrethin e ngushtë të Khameneit.

Raisi ka garuar për herë të dytë për president më 2021, në procesin zgjedhor që është konsideruar si pa kundërkandidat.

Dhjetëra kandidatëve të moderuar dhe pro-reformave, u është pamundësuar kandidimi.

Në atë proces është regjistruar dalja më e ulët ndonjëherë në zgjedhjet presidenciale prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

“Ngjitja e Ebrahim Raisit në presidencë, në vend që të hetohej për krimet kundër njerëzimit, për vrasje, zhdukje me forcë dhe torturë, përbën përkujtim të trishtë që pandëshkueshmëria mbretëron në Iran”, pati thënë Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, pas fitores së Raisit në zgjedhje.

Fitorja e Raisit e ka konsoliduar autoritetin e zyrtarëve të linjës së ashpër në Iran, të cilët i dominojnë tri degët kryesore të pushtetit.

Nën administratën e Raisit, Irani i ka thelluar lidhjet me Kinën dhe Rusinë, dhe i ka përkeqësuar marrëdhëniet me Perëndimin dhe Izraelin, armikun më të madh të Teheranit.

Në zgjedhjet e mbajtura në mars të këtij viti, Raisi e ka siguruar ulësen në Asamblenë e Ekspertëve, trup që zgjedh liderin suprem të vendit.

Vdekja e Raisit do të mund të komplikojë tani planin e Khameneit për zëvendësimin e tij, pasi të largohet nga pushteti.

Raisi ka lënë mbrapa vetës gruan Jamileh Alamolhoda dhe dy vajza./REL

Vdekja e presidentit, qeveria e Iranit mbledhje urgjente

Qeveria e Iranit ka thirrur një “takim urgjent” të hënën pas njoftimit se presidenti Ebrahim Raisi dhe ministri i jashtëm i vendit ishin në mesin e atyre që vdiqën nga përplasja e helikopterit.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, karrigia ku zakonisht ulet Raisi ishte e zbrazët dhe ishte e mbështjellë me një brez të zi në kujtim të presidentit.

Koha dhe detajet e një kortezhi zie do të shpallen më vonë, njoftoi media shtetërore Agjencia e Lajmeve FARS.

Ndërkohë analisti ushtarak, Cedric Leighton tha për CNN se moti i keq ka luajtur një rol kyç në rrëzimin e helikopterit që vrau presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi.

“Mjegull, shi, temperatura nën 10 gradë Celcius. Ekziston mundësia në lartësi më të mëdha të ngrirjes së tehut të rotorit. Ka mundësi të dështimit potencial të motorit”, tha ai.

Leighton shtoi se mirëmbajtja e avionit do të kishte luajtur gjithashtu një rol, duke treguar se si Irani ka jetuar nën sanksione dhe duke përdorur pajisje të vjetra për të transportuar udhëheqësit e tyre të nivelit të lartë.

“Faktori tjetër në këtë do të ishte mirëmbajtja, nëse helikopteri ishte mirëmbajtur apo jo siç duhet”, shtoi ai.

Ndërkaq transmetuesit shtetërorë iranianë po transmetojnë lutjet islame ndërmjet transmetimeve të tyre të lajmeve pas njoftimit se Presidenti Ebrahim Raisi dhe tetë të tjerë vdiqën, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua në provincën e Azerbajxhanit Lindor të Iranit.

Rrëzimi i helikopterit në Iran, identifikohen tre personat që udhëtonin me presidentin dhe ministrin e Jashtëm

Emrat e disa prej të vrarëve në rrëzimin e helikopterit, përveç presidentit të Iranit Ebrahim Raisi dhe ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, janë publikuar.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA thotë se në bord ishin gjithashtu Ayatollah Mohammad Ali Al-e Hashem, imami për faljen e xhumasë në qytetin e Tabrizit dhe gjenerali Malek Rahmati, guvernatori i provincës iraniane të Azerbajxhanit Lindor.

U vra edhe komandanti i njësisë së mbrojtjes së presidentit, Sardar Seyed Mehdi Mousavi.

Si dhe një numër truprojash dhe ekuipazhi helikopteri, të cilët ende nuk janë identifikuar.

Copat e helikopterit të shpërndara në tokën e djegur, ja si ka përfunduar mjeti i fluturimit ku udhëtonte presidenti iranian

Pamjet që shihni tregojnë rrënojat e helikopterit ku udhëtonte Presidenti iranian Raisi, i cili thuhet se ka humbur jetën, bashkë me disa zyrtarë të tjerë.

Pamjet në fjalë, të bëra përmes një droni janë shpërndarë në kanalet e mediave sociale të agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA. Video është xhiruar nga Gjysmëhëna e Kuqe.

Ndërsa duket se tregojnë bishtin e një helikopteri pranë një copë toke të djegur në një kodër të mbushur me mbeturina.

Ekipet e shpëtimit kanë thënë se nuk ka shenja jete në vend.

Presidenti iranian Raisi konfirmohet i vdekur pas rrëzimit të helikopterit, thonë agjencitë shtetërore

Nga: M.H.

Mediat iraniane kanë konfirmuar vdekjen e presidentit të Iranit Ebrahim Raisi, në moshën 63-vjeçare, dhe ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian pas një rrëzimi të helikopterit në provincën malore të vendit të Azerbajxhanit Lindor.

Media shtetërore iraniane Press TV dhe agjencitë gjysmë zyrtare të lajmeve Tasnim dhe Mehr raportuan se të gjithë personat në bord u vranë.

Reuters raportoi gjithashtu vdekjen e presidentit, duke cituar një zyrtar të lartë, përcjell “Bota sot”.

“Presidenti Raisi, ministri i jashtëm dhe të gjithë pasagjerët në helikopter u vranë në përplasje”, tha zyrtari për Reuters, duke kërkuar të mos përmendet emri për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, Pir-Hossein Kolivand, tha më herët të hënën se nuk kishte shenja jete të atyre që udhëtonin në bordin e helikopterit, njoftoi lajmi shtetëror iranian IRIB.

Helikopteri me nëntë persona u përplas me telashe në mjegull të dendur ndërsa kthehej nga një udhëtim në kufirin Iran-Azerbajxhan, thanë zyrtarët iranianë të dielën.

Përplasja shkaktoi një operacion kërkim-shpëtimi prej disa orësh me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Turqisë, ndër të tjera, por ekuipazhet e emergjencës u penguan nga mjegulla dhe temperaturat në rënie.

Vazhdojnë kërkimet për helikopterin e rrëzuar të presidentit të Iranit, ekipi i shpëtimit kontaktoi me dy persona në bord

Vazhdojnë ende kërkimet për gjetjen e helikopterit të zhdukur pranë kufirit me Azerbajxhanin me të cilin udhëtonte presidenti iranian Ebrahim Raisi. Një zyrtar iranian tha se kishin pasur kontakte me dy persona në bordin e helikopterit dhe se përplasja kishte qenë “jo e rëndë”.

Zyrtari tha se kishin kontaktuar “disa herë” me një pasagjer dhe një anëtar të ekuipazhit të fluturimit menjëherë pas rrëzimit, gjë që tregon se incidenti nuk ishte “i rëndë”.

Më herët, televizioni shtetëror iranian raportoi se helikopteri ishte gjetur pa dhënë detaje mbi fatin e personave në bord. Mirëpo, lajmi është mohuar nga Gjysmëhëna e kuqe.

LEXO EDHE: Zbulohet vendndodhja e saktë e vendit të rrëzimit të helikopterit, por ende pa detaje për fatin e presidentit iranian!

Tre helikopterë po fluturonin në të njëjtën rrugë përpara se dy të humbnin kontaktin me helikopterin e Presidentit Raisi, tha zëvendëspresidenti iranian për çështjet ekzekutive Mohsen Mansouri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat