Në autostradën Siri-Liban ndodhet një garnizon që i përkiste Divizionit të 4-t të ushtrisë së regjimit nën komandën e vëllait të Bashar Asadit, Maher Assad.
Me rënien e regjimit të Asadit më 8 dhjetor u zbulua se ky vend përdorej më tepër si një magazinë ku përgatitej droga për t’u dërguar në rajon, e jo si një bazë ushtarake.
Dhe Anadolu Agency shkruan se një ekip i këtij mediumi arriti në depon më të madhe të drogës deri më sot të regjimit të rrëzuar të Bashar Asadit në Siri dhe filmoi kontejnerët e mbushur me substanca, si dhe gjërat në të cilat ishin fshehur, raporton Anadolu.
Sipas vlerësimeve të qeverisë së Britanisë, Asadi ishte përgjegjës për 80 për qind të prodhimit global të drogës captagon.
Vlera vjetore e tregtimit, kontrabandimit global të captagonit vlerësohet se është rreth 10 miliardë dollarë, ndërsa fitimi vjetor i familjes së përmbysur Asad ishte afër 2,4 miliardë dollarë.
Përdorimi i një baze ushtarake si fabrikë prodhimi dhe magazinë droge është një nga shembujt më të qartë të formës së “narko-shtetit” ku regjimi drejtoi trafikun e drogës me dorën e shtetit.
Në hyrje të magazinës, e cila në të kaluarën përdorej si garnizon, ndodhen fotografitë e Bashar dhe Maher Asadit.
Në muret e bazës janë frazat “Gjaku dhe jeta jonë sakrifikohet për ty, Bashar” dhe “Ne jemi të gjithë Asadë”.
Përreth bazës e cila përdorej si depo droge, ndodhen shumë automjete me targa civile.
Sirianët thonë se këto ishin makina të vjedhura të civilëve dhe që janë përdorur për transportin e drogës.
Në bazën ushtarake hasen produkte të ndryshme që përdoren për të kontrabanduar drogë.
Vlerësohet se për fshehjen e drogës janë përdorur edhe blloqe mermeri me hapësira në mes, pllaka qeramike, shkallë portative dhe dyer makinash.
Në një magazinë të tretë në bazën ushtarake, qëndrojnë drogat e paketuara si marihuana dhe captagoni që janë të renditura në rafte.
Kur hyn në magazinë, ndihet intensivisht era e substancave narkotike.