Aministrata Trump ka arrestuar një aktivist pro-palestinez i cili ndihmoi në organizimin e protestave kundër Izraelit në Universitetin Kolumbia. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Aron Ranen reagimet në kampusin e Universitetit Kolumbia në Nju Jork janë të përziera.
Ndalimi dhe dëbimi i mundshëm i studentit dhe aktivistit Mahmoud Khalil ka ndezur debate në Universitetin Kolumbia.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare konfirmoi arrestimin e tij të shtunën, nën akuza për udhëheqjen e “aktiviteteve të lidhura me Hamasin, një organizatë e përcaktuar si terroriste”.
Administrata Trump e mbrojti masën, duke deklaruar se ajo zbatohet bazuar tek një urdhër ekzekutiv që ndalon antisemitizmin dhe se është e domosdoshme për të mbrojtur studentët hebrenj dhe për të garantuar sigurinë në kampus.
Reagimet në kampus janë të përziera.
"Unë jam në fakt student i huaj nga Izraeli. Kur erdha në fillim isha i shqetësuar se si do të trajtohem si student izraelit dhe hebre. Mendoj se ky është hapi i parë që qeveria po ndërmerr për t’i thënë Universitetit Kolumbia se kjo duhet të ndalet”, thotë studenti Michael Domb.
"Mendoj se kjo krijon shumë pasiguri dhe një lloj frike për universitetin. Njerëzit janë të shqetësuar për ato që shkruajnë në emaile, për ato që po studiojnë, madje edhe për diskutimet që po zhvillohen në klasa. Njerëzit po mendojnë dy herë para se të flasin”, thotë studenti Bardia Rahmani.
Mbështetësit argumentojnë se veprimet e administratës Trump janë të domosdoshme për të trajtuar shqetësimet në rritje mbi antisemitizmin dhe garantimin e sigurisë të të gjithë studentëve.
“Unë sigurisht që i përshëndes dhe jam mirënjohës për veprimet e administratës Trump. Pas më shumë se një viti ngacmimesh dhe dhune të vazhdueshme në kampuset dhe rrugët e qytetit, më në fund, administrata po vepron, duke respektuar ligjin, duke e bërë shumë të qartë se shtetasit e huaj që mbështesin terrorizmin dhe përkrahin aktivitetet terroriste nuk kanë vend në Shtetet e Bashkuara”, thotë Liel Leibovit nga Instituti Hudson.
Jo të gjithë janë dakord. Protestat e fundit në Universitetin Kolumbia pasqyrojnë shqetësimet në rritje se masat e administratës mund të cenojnë të drejtat dhe liritë themelore.
"Mendoj se shtypja e zërave protestues ndaj luftës në Gazë dhe politikave të Izraelit në emër të ruajtjes së sigurisë për hebrenjtë është thellësisht e gabuar dhe po përdoret si një mjet për të shtypur fjalën tonë më gjerësisht”, thotë profesorja në Universitetin Fordham, Barat Ellman.
“Mesazhi ynë për administratën Trump është se ne nuk do të heshtim. Amendamenti i Parë i Kushtetutës ende është gjallë. Banorët me leje të përhershme qëndrimi, si banorët e tjerë amerikanë, gëzojnë të drejtën e lirisë së fjalës. Nuk mund të arrestohen dhe dëbohen për shkak se kanë shprehur pikëpamjet e tyre me të cilat presidenti nuk pajtohet”, thotë Donna Lieberman nga Unioni i të Drejtave Civile në Nju Jork.
Ndërkohë, disa udhëheqës politikë mbështesin fuqishëm qëndrimin e administratës mbi sigurinë në kampuse.
"Nëse jeni në Amerikë me vizë studentore me ambicie për t’u bërë një terrorist i ri, që dëshiron të lëndojë kolegët hebrenj të klasës, ju do të dërgoheni në shtëpi. Mendoj se populli amerikan e kupton dhe po e mbështet këtë. Më vjen mirë që kemi një president që është i fortë për të vendosur ligjin”, thotë Mike Johnson, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Ndërsa ankesat ligjore vazhdojnë, rezultati final në këtë rast mund të krijojë një precedent tek mënyra sesi universitetet dhe qeveria balancojnë sigurinë në kampuse me mbrojtjen e fjalës së lirë dhe lirisë akademike./VOA