​Fetahu shpall kandidaturën për t’u rizgjedhur në krye të FBK-së

Basketboll

​Fetahu shpall kandidaturën për t’u rizgjedhur në krye të FBK-së

Më: 27 korrik 2024 Në ora: 12:35
Arben Fetahu

Kryetari aktual i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu do të kandidojë për t’u rizgjedhur në krye të kësaj federate edhe për një mandat katërvjeçar.

Këtë Fetahu e ka zbuluar në një intervistë për KosovaPress, ku njëherësh ka thënë se kjo do të jetë hera e tij e fundit që kandidon për këtë post.

Fetahu: Do të kandidoj për t’u rizgjedhur në krye të FBK-së

“Unë do të kandidoj. Do të jetë kjo hera e fundit që unë do të kandidoj për këtë pozitë sigurt. Unë e kam edhe limitimin statutor që t’i kem maksimumi dy mandate dhe e kam thënë e publikisht se një mandat është pak e tri mandate janë shumë”, tha Fetahu.

Sa i përket garës për të parin e FBK-së, Fetahu ka thënë se nuk është në dijeni nëse do të ketë kundërkandidat në Kuvendin Zgjedhor më 30 gusht.

Fetahu: Nuk e di nëse do të kem kundërkandidat

“Se a do të ketë kundërkandidatë apo jo, këtë do të mund ta dimë diku dy javë para zgjedhjeve, sepse atëherë përfundon kufizimi kohor për paraqitjen e kandidaturave. Ne e kemi një strukturë shumë demokratike sa i përket kandidimit, çdo individ i cili dëshiron që të zgjidhet kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës duhet të ketë kandidatura nga së paku shtatë anëtarë të Federatës së Basketbollit të Kosovës, janë gjithsejtë 30 anëtarë për momentin kështu që ka hapësirë jo vetëm për një kundërkandidat, por edhe për dy apo më shumë të tjerë”, theksoi Fetahu.

Gjatë këtij mandati, ai thotë se janë arritur shumë rezultate të mira në punën e federatë, por ka përmendur dy prej tyre si më kryesoret.

“Suksesi më i madh që kemi arritur gjatë këtyre viteve të fundit, përveç konsolidimit logjistik me burime njerëzore, kushte pune, me gjithçka tjetër brenda federatës, suksesi më i madh është konsolidimi i klubeve tona...Më gëzon fakti që në vitin 2023/24 e kemi pasur stinorin më të mirë për basketbollin në Kosovë”, deklaroi Fetahu.

Ndërsa për mandatin e ri, i pari i FBK-së tha se ka tri qëllime kryesore.

Fetahu: Infrastruktura dhe ngrija e klubeve - qëllimet për mandatin e ri

“Ne duhet ta avancojmë infrastrukturën e vendit dhe unë do të jem 100 për qind i përkushtuar me të gjitha instancat që ta arrijmë një situatë ku kemi infrastrukturë sportive të mjaftueshme...Pika e dytë është avancimi i trajnerëve tanë dhe ky besoj që një prej sfidave, të cilat i ka jo vetëm basketbolli, por të gjitha sportet përballen me sfidën e njëjtë dhe për këtë do të kemi një program të veçantë... Në nivel specifik për basketbollin puna kryesore do të jetë në ngritjen dhe funksionalizimin e klubeve”, tha Fetahu.

Ndryshe, Arben Fetahu mori drejtimin e Federatës së Basketbollit në vitin 2018 duke pasuar Erold Belegun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat