Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, ka pritur në takim boksierin e talentuar, Remzo Mustafiq, i cili ishte i shoqëruar nga trajneri i tij Mehmet Haxhani.
Në këtë takim nënkryetari Mujka, ka përgëzuar boksierin Mustafiq për sukseset e arritura në arenën ndërkombëtare, i cili ka arritur të rrëmbej medaljen e parë evropiane në Republikën e Kosovës, në kategorinë e meshkujve si dhe për sukseset tjera të arritura në këtë sport.
“Ne si komunë, kemi mbështetur në përgjithësi sportin mitrovicas dhe më gjerë duke e ditur që ambasadorët më të mirë të një vendi janë vetë sportistët dhe falë rezultateve të mira, shteti i Kosovës po prezantohet anë e këndë botës”, ka thënë nënkryetari Mujka.
Gjithashtu gjatë këtij takimi trajneri, Mehmet Haxhani, e ka njoftuar nënkryetarin Mujka lidhur me potencialin e boksierit si dhe për planet e tij për të ardhmen, duke e vlerësuar boksierin Mustafiq si një djalë të guximshëm e me plotë perspektivë për vendin tonë.
Disa nga titujt e sportistit janë; vendi i parë në kategorinë e rëndë të mbajtur në Prishtinë në muajin shkurt të vitit 2020, vendi i parë dhe çmimi, çifti luftarak në Turneun ”Lah Nimani”, të mbajtur në vitin 2020, si dhe pjesëmarrës në kampionatin ndërkombëtar në Budva të Malit të Zi, ku fitoi vendin e tretë në kategorinë e rëndë.
Ndërsa në vitin 2019 boksieri Mustafiq është shpallur dy herë kampion i Republikës së Kosovës në kategorinë e rëndë.