Më datën 13 shkurt, në Las Vegas (Amerikë) do të zhvillohet eventi UFC-258 në artet marciale mikse.
Në këtë event do të zhvillohen në total 12 duele, por vetëm njëri prej tyre paraqet interes të jashtëzakonshëm për fansat e këtij sporti.
Bëhet fjalë për duelin e titullit kampion bote në peshën “welterweight” (pesha 71-77kg) mes kampionit në fuqi Kamaru Usman dhe sfidantit Gilbert Burns. Një duel që parashikohet i fortë dhe me rivalitet.
Nigeriani Usman (i njohur me nofkën makthi nigerian), 17 fitore e 1 humbje, ka fituar 15 duelet e fundit në kafaz dhe do ta mbrojë këtë titull për të tretën herë në karrierën e tij. Për herë të fundit ai fitoi ndaj Jorge Masvidal në korrikun e vitit të kaluar (UFC-251).
Sfidanti i tij, braziliani Gilbert Burns (19 fitore, 3 humbje në kafaz), konsiderohet një rival i rrezikshëm. Burns ka fituar 6 sfidat e fundit (për herë të fundit ka dueluar në maj 2020).