Sërish polemika mes Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedov, dy prej ikonave të arteve marciale mikse. Pas deklaratës së rusit, që “e mira gjithnjë e mund djallin”, koment që erdhi pas fitores së Dustin Poirier ndaj Conor McGregor në eventin UFC-264, ka ardhur replika e irlandezit.
“Covid është i mirë dhe babai është djall?”, ka qenë deklarata e McGregor në rrjetet sociale, pyetje që irlandezi ua drejtonte fansave të tij. Postim që më pas është hequr nga ish-kampioni i dyfishtë i botës.
Khabib Nurmagomedov humbi babain e tij një vit më parë si pasojë e pandemisë Covid-19, pasi u infektua me koronavirus. Asokohe, McGregor shprehu ngushëllimet e tij për babain e rusit, duke e vlerësuar për arritjet e tij si trajner.
“Conor është një njeri fals. Ky është mendimi im”, tha Khabib për ESPN. “Disa muaj më parë ne e pamë se sa i mirë që ishte, por tani e pamë sërish. Është njeri fals. Siç ka thënë edhe Dustin, ai njeri është si një qese me m*t. Kemi të dy të njëjtin mendim”, tha Khabib.
Khabib dhe Conor kanë dueluar në eventin UFC-229, në vitin 2018, me rusin që fitoi me “submission”. Pas asaj sfide nisi një sherr masiv në kafaz dhe jashtë tij mes stafeve të dy sportistëve.