Sportistja braziliane Amanda Nunes, ish-kampione e botës në peshën “bantamweight” (pesha 57-61kg) në artet marciale mikse, do të ketë mundësinë e revanshit në verën e këtij viti.
Ajo pritet të duelojë ndaj kampiones së kësaj peshe Julianna Pena në korrik ose gusht, në një nga eventet e UFC-së.
“Jemi në Las Vegas, kemi biseduar me Dana White dhe besoj se shumë shpejt do të kemi një datë për revanshin. Jam duke u stërvitur rregullisht dhe kam një ritëm të mirë. Mendoj se do të arrijmë në një marrëveshje për të dueluar në korrik ose gusht”, u shpreh Amanda Nunes, 21 fitore e 5 humbje në kafaz.
Nunes humbi titullin në eventin UFC-269, kur u mund nga Julianna Pena (11 fitore e 4 humbje në kafaz). Luanesha braziliane mban edhe titullin e peshën “featherweight” (pesha 61-66kg).