Ministri i Punëve të Brendshme i Libisë, Fathi Bashagha, ka takuar një delegacion egjiptian që qëndron për vizitë në kryeqytetin Tripoli, ku ka diskutuar "sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të rritur bashkëpunimin e sigurisë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Brendshme e Libisë njoftoi se në takim i pranishëm ishte edhe shefi i shërbimeve të intelegjencës libiane, Imad Trabelsi.
Në takim u diskutuan mënyrat për mbështetjen e një marrëveshjeje armëpushimi të arritur në fillim të këtij viti midis qeverisë legjitime të Libisë dhe forcave besnike ndaj komandantit luftarak, Khalifa Haftar, si dhe rezultatet e bisedimeve të Komisionit të Përbashkët Usharak Libian në Gjenevë "për të mbështetur përpjekjet e OKB-së për zgjidhjen e krizës aktuale me mjete politike dhe paqësore".
Më 23 tetor, OKB njoftoi një marrëveshje të përhershme armëpushimi midis rivalëve luftarakë të Libisë.
Javën e kaluar, shefi i intelegjencës egjiptiane, Abbas Kamel, vizitoi qytetin lindor Benghazi për bisedime me Haftar dhe kreun e Dhomës së Përfaqësuesve me bazë në Tobruk, Aguila Saleh.
Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i Muammar Gaddafi-t në vitin 2011.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA), me qendër në kryeqytetin Tripoli dhe e udhëhequr nga kryeministri Fayez al-Sarraj, u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB. Por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate kanë dështuar për shkak të ofensivës ushtarake nga milicët besnikë të Haftar-it.
Qeveria e kryeministrit al-Sarraj po lufton me milicët e Haftar-it që nga prilli i vitit 2019 në një konflikt që ka marrë mijëra jetë.