Ukrainasit po shënojnë Pashkët ortodokse në kryeqytetin Kiev, me lutje për ata që luftojnë në vijën e parë dhe të tjerë të bllokuar në qyete si Mariupoli.
Qindra besimtarë u mblodhën në Katedralen e Shën Volodimirit në Kiev duke mbajtur shporta për t'u bekuar.
Patriarku Ekumenik Bartolomeu I, udhëheqësi shpirtëror i të krishterëve ortodoksë të botës bëri thirrje në meshën e mesnatës në Stamboll për hapjen e korridoreve humanitare në Ukrainë, duke thënë se në vend po shpalosej një "tragjedi njerëzore".
Ndërkohë Papa Françesku bëri thirrje për ndaljen e sulmeve në Ukrainë të dielën, në mënyrë që të mund të arrijë ndihma tek popullata e në nevojë dhe u kërkoi udhëheqësve që "të dëgjojnë zërin e njerëzve”.
Duke folur para dhjetëra mijëra njerëzve në Sheshin e Shën Pjetrit, ai përsëriti thirrjen për një armëpushim për Pashkëve dhe ndaljen e sulmeve./VOA
Negociatat Rusi-Ukrainë, Zelensky telefonon Erdoganin dhe i bën kërkesën urgjente
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pati një telefonatë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky lidhur me negociatat Rusi-Ukrainë.
Kjo është bërë e ditur nga zyra e presidencës turke e cituar nga Tass.
Gjatë bisedës telefonike, Erdogan përsëriti gatishmërinë e Turqisë për të mbështetur procesin e negociatave, duke përfshirë edhe një rol ndërmjetësues.
Ndërkohë Zelensky tha se gjatë kësaj bisede të rëndësishme ka theksuar nevojën e një koridori humanitar në Mariupol.
“Në prag të bisedës së tij me Putinin, theksova nevojën për evakuimin e menjëhershëm të civilëve nga Mariupol, përfshirë fabrikën e çelikut Azovstal, madje edhe për “trupat e bllokuara”, shkroi presidenti ukrainas Zelensky në Twitter. “Ne diskutuam procesin e negociatave, koordinimin me Turqinë dhe vendet e tjera për garancitë e sigurisë për shtetin tonë. U ngritën gjithashtu çështje që lidhen me aftësitë mbrojtëse të Ukrainës dhe sigurinë globale ushqimore, e cila është e kërcënuar për shkak të bllokadës së lundrimit në Detin e Zi”, shtoi Zelensky.
Vetëm disfata do të mund ta shëronte Rusinë
Rusia duhet të humbasë luftën në Ukrainë. Kjo është mënyra e vetme që vendi mund të çlirohet nga iluzionet e tij perandorake - dhe të rivendosë demokracinë.
Ndërsa liderët rusë po bëjnë plane për një fund të suksesshëm të luftës në Ukrainë, emigrantët që u larguan nga Rusia për të protestuar kundër luftës, po diskutojnë pikërisht të kundërtën - humbjen. Një numër në rritje i figurave të opozitës që e dënojnë agresionin e Vladimir Putin thonë se mposhtja dhe disfata janë e vetmëja mundësi, për një të ardhme.
Thelbi është i thjeshtë: kërcënimi më i madh për Rusinë është miti kombëtar dhe i madhështisë së popullit rus, i ushqyer nga propaganda e Putinit; ambiciet e çmendura perandorake që janë kultivuar veçanërisht në mënyrë aktive në dekadat e fundit dhe kanë helmuar mendjet e kaq shumë rusëve. Rusia duhet të shërohet nga kompleksi i një fuqie të madhe. Vetëm një humbje e plotë mund të bindë popullin rus, se rruga aktuale të çon në një qorrsokak.
Zelensky në mesazhin për Pashkët Ortodokse: Ligësia nuk do ta shkatërrojë Ukrainën
Ukrainasit kanë shënuar të dielën, 24 prill, Pashkët Ortodokse me lutje për ata që janë në vijë të frontit të luftës dhe të tjerët që janë të bllokuar në qytetet siç është Mariupoli, teksa presidenti i shtetit Volodymyr Zelensky, është zotuar në një mesazh për këtë festë se asnjë “ligësi” nuk do të shkatërrojë shtetin.
Duke qëndruar brenda Katedrales Shën Sofia në Kiev, Zelensky ka thënë përmes një video-incizimi se Ukraina do të tejkalojë errësirën që e ka sjellë lufta e paprovokuar e Rusisë në këtë shtet.
“Sot ne ende besojmë në fitore të re në Ukrainë dhe të gjithë jemi të bindur se nuk do të shkatërrohemi nga ligësia”, ka thënë Zelensky.
“Ne jemi duke tejkaluar kohët e errëta këtë ditë dhe - shumica prej nesh – nuk jemi të veshur me rroba të ndritshme, por jemi duke luftuar për një ide të ndritshme”.
Pashkët Ortodokse janë shënuar pikërisht në ditën kur janë mbushur dy muaj prej kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë.
Për pasojë kanë vdekur mijëra njerëz dhe miliona tjerë kanë ikur nga Ukraina.
Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai ka thënë më 24 prill se shtatë kisha janë shkatërruar nga lufta.
Autoritetet ukrainase u kanë bërë thirrje atyre që shënojnë festën që të ndjekin shërbimet fetare në versionin online dhe të respektojnë orën policore.
Zelensky ka thënë më 21 prill se Rusia ka hedhur poshtë një propozim për armëpushim në periudhën e festës.
Zelensky alarmon se Rusia po përpiqet të mbulojë mijëra vrasje civile në Mariupol
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se po shfaqen prova se trupat ruse kanë vrarë dhjetëra mijëra civilë në Mariupol.
Ai tha se Ukraina ka përgjuar bisedat ruse se "si po fshehin gjurmët e krimeve të tyre", raporton Sky News, përcjell Bota sot.
Kryetari i bashkisë së Mariupolit ka vlerësuar se të paktën 20,000 civilë janë vrarë në qytetin port jugor dhe dje u shfaqën imazhe të një varri masiv të dukshëm jashtë Mariupolit.
Zelensky tha se forcat ruse krijuan "kampe filtrimi" pranë qytetit për ata që përpiqeshin të largoheshin.
Ata që i mbijetojnë kampeve po dërgohen në Rusi ose në zonat nën pushtimin rus, pohoi ai.
Zyrtarët ukrainas akuzuan më parë trupat ruse për grumbullimin dhe djegien e trupave në Mariupol./A.Zh
Ukraina: Forcat ruse po sulmojnë vazhdimisht fabrikën e çelikut në Mariupol
Negociatori i lartë ukrainas Mykhailo Podolyak, ka akuzuar Rusinë se ka bombarduar një fabrikë çeliku në Mariupol me "bomba të rënda ajrore dhe artileri".
Siç ka raportuar Sky News gjatë ditëve të fundit, xhepi i fundit i rezistencës ukrainase në Mariupol është i fshehur në uzinën Azovstal, përcjell Bota sot.
Në një postim në Twitter, Podolyak tha: "Rusia po sulmon vazhdimisht Mariupol Azovstal. Vendi ku ndodhen civilët dhe ushtarakët tanë, është granatuar me bomba të rënda ajrore dhe artileri."
Ai i kërkoi Rusisë të "mendojë për mbetjet e reputacionit të saj" dhe të vendosë një "armëpushim të vërtetë të Pashkëve në Mariupol" së bashku me një korridor humanitar për civilët dhe një raund të veçantë bisedimesh.
Flet avokatja e të drejtave të njeriut, përgjigjet në pyetjen që të gjithë duam ta dimë për Putinin
Arbnore Zhushi
Sophy Ridge e Sky News, ka folur me avokaten e të drejtave të njeriut Helena Kennedy QC, për hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë dhe ajo ka bërë pyetjen që të gjithë duam të dimë përgjigjen: a mund të ndiqet penalisht vetë Vladimir Putin?
Por, nuk duket se kjo do të ndodhë së shpejti, raporton Bota sot.
Kennedy tha se është "shumë e vështirë për të sjellë liderët para drejtësisë" dhe ka të ngjarë të ndodhë vetëm nëse Ukraina shpall fitoren në luftë.
Megjithatë, ajo theksoi se ka qenë e mundur të ndiqen penalisht liderë të tjerë dhe ne mund të shohim diçka si gjyqet e Nurembergut, të cilat u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore.
Ajo tha se avokatët do të "shikojnë me kujdes se cilat do të ishin hapat, por ne jemi shumë larg nga kjo".
Dy fëmijë të vrarë nga bombardimet në Donetsk
Autoritetet ukrainase kanë thënë se dy fëmijë janë vrarë nga bombardimet nga forcat ruse në rajonin lindor të Donetskut.
Vajzat, të moshës pesë dhe 14 vjeç, vdiqën kur ndërtesa ku ata jetonin u shkatërrua, sipas guvernatorit rajonal të Donetsk, Pavlo Kyrylenko, raporton Sky News, përcjell Bota sot.
Kyrylenko u bëri thirrje njerëzve që të evakuojnë zonat pranë luftimeve.
Dje, guvernatori i rajonit fqinj Luhansk tha se granatimet nga forcat ruse ishin shtuar.
Rusia po përqendron shumicën e përpjekjeve të saj të luftës në lindje të Ukrainës tani, duke shpresuar të pretendojë zonat e kontrolluara nga Ukraina.
Rusia thotë se ka goditur depot e armëve në rajonin e Kharkiv
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se raketat e saj me precizitet të lartë goditën nëntë objektiva ushtarake ukrainase gjatë natës, duke përfshirë katër depo armësh në rajonin e Kharkiv, ku ruheshin armët e artilerisë.
Ministria tha gjithashtu se forcat e saj raketore dhe artilerie shkatërruan katër depo të tjera armësh në të njëjtin rajon dhe goditën një objekt në rajonin e Dnipropetrovsk që prodhonte eksploziv për ushtrinë ukrainase.
Putin e ka gati listën e objektivave/ Pas Ukrainës, Rusia do të zgjerojë luftën në këtë shtet të Europës
Vendi tjetër në listën e objektivave të Putinit thuhet se është zbuluar pasi janë lëshuar paralajmërime për më shumë pushtime në të gjithë Evropën.
Vendi i vogël i Moldavisë që kufizohet me Ukrainën besohet të jetë objektivi i radhës në listën e zgjerimit të Vladimir Putin, pasi presidenti rus kërkon të rrisë shtrirjen e tij në të gjithë Evropën Lindore.
Vendi është më pak se një e treta e madhësisë së Londrës me një popullsi prej 2.6 milionë banorësh dhe tani po aludohet se mund të jetë vendi i radhës që do të jetë në shënjestër të ushtarëve dhe raketave të Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka paralajmëruar tashmë se pushtimi i vendit të tij është "vetëm fillimi" i planeve të Putin.
Shqetësimet janë rritur gjithashtu pasi Rusia ka filluar të shtojë sulmet e saj në qytetin port ukrainas Odessa, vetëm 55 km nga kufiri me Moldavinë.
Rustam Minnekaev, komandanti në detyrë i Qarkut Qendror Ushtarak të Rusisë, tha: "Kontrolli mbi jugun e Ukrainës është një tjetër rrugëdalje për në Transnistria, ku ka shumë njerëz që flasin rusisht", raporton NeësAU.
Transnistria është një rajon i vogël i Moldavisë, ku separatistët pro-rusë janë armatosur dhe mbështetur nga Moska. Është i ngjashëm me rajonet e Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën Lindore, të cilat janë shtëpia e rusisht-folësve dhe u shkëputën nga Kievi në vitin 2014.
Edhe pse Moldavia mohon këtë gjë, Rusia pretendon se ata janë të shtypur dhe shpesh e përdor këtë justifikim për t'u përfshirë në veprime ushtarake me ish-shtetet sovjetike.