LIVE: Vazhdon lufta dhe tmerri në Ukrainë, Zelensky vjen me një mesazh të fuqishëm

Bota

LIVE: Vazhdon lufta dhe tmerri në Ukrainë, Zelensky vjen me një mesazh të fuqishëm

Nga: BOTA SOT Më: 13 qershor 2022 Në ora: 06:20 Përditësuar në ora: 16:09 më 13.06.2022
Volodymyr Zelensky

Kryebashkiaku i Mariupolit tregon për kushtet katastrofike në qytet

Më shumë se 100,000 njerëz janë të bllokuar në Mariupolin e pushtuar, tha kryetari i bashkisë së qytetit Vadym Boichenko për BBC.

"Ata nuk kanë ujë të pastër. Nuk ka ushqim, rrymë, mjekime. Spitalet janë dëmtuar, mjekët janë vrarë. Njerëzit nuk jetojnë atje, ata mbijetojnë, duke luftuar për ushqim," thotë kryebashkiaku.

Forcat ruse morën kontrollin e qytetit port jugor në maj pas muajsh bombardimesh të pamëshirshme.

Boichenko, i cili është larguar nga Mariupol, thotë se trupat e shumë viktimave ende qëndrojnë në ndërtesa të bombarduara, raporton BBC, përcjell Bota sot.

"Ka shumë të vdekur në Mariupol. Rusët nuk i kanë pastruar trupat e atyre që vranë në bombardime. Shumë trupa janë ende nën rrënoja... Sipas mjekëve, kjo verë në Mariupol do të jetë e tmerrshme."

Mariupol është në rrezik të një shpërthimi të madh kolere, thotë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Kryebashkiaku e përshkruan situatën në qytet si katastrofike dhe u bën thirrje organizatave ndërkombëtare që të ndihmojnë në organizimin e “korridoreve të gjelbërta” për evakuim.

"Nuk ka spitale, nuk ka mjekë. Rusët vjedhin pajisje nga spitalet që nuk u dëmtuan në luftime dhe i çojnë në Donetsk.

"Njerëzit janë duke pritur për disa ditë në një radhë për ujë dhe duke luftuar për ushqim. Rusët i detyruan njerëzit të pastrojnë rrënojat në këmbim të ujit. Qyteti është i mbyllur. Askush nuk lejohet të hyjë apo të dalë."

Presidenti finlandez: Rusia përdor armë më të rënda se Ukraina

Rusia dhe Ukraina po përdorin armë më të rënda kundër njëra-tjetrës, por ato të Rusisë janë më të fuqishme, thotë presidenti finlandez Sauli Niinisto, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Duke folur gjatë bisedimeve për politikën e sigurisë në Finlandë, Niinisto thotë se Finlanda dhe vendet e tjera perëndimore kanë qenë të kujdesshme që të furnizojnë Ukrainën vetëm me armë që do t'i përdorte edhe Rusia, duke u siguruar që Perëndimi nuk mund të akuzohet për përshkallëzimin e situatës, sipas komenteve të raportuara, nga Kompania finlandeze e transmetimit (Yleisradio Oy).

Por ai gjithashtu thotë se armët ruse janë më të forta dhe përfshijnë bomba termobarike, të cilat ai i përshkruan si "armë të shkatërrimit në masë".

Armët termobarike janë të diskutueshme sepse ato janë shumë më shkatërruese se eksplozivët konvencionalë të përmasave të ngjashme dhe kanë një ndikim të tmerrshëm te këdo që kapet në rrezen e tyre të shpërthimit.

Ukraina dhe vendet e NATO-s kanë akuzuar më parë Rusinë për përdorimin e tyre në konflikt.

Ukraina dëshiron të forcojë mbrojtjen e saj ajrore

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Perëndimit që t'i dërgojë vendit të tij sisteme moderne të mbrojtjes raketore, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ndërsa Rusia vazhdon sulmin e saj me tanke dhe artileri në lindje, ajo po kryen gjithashtu sulme ajrore në mbështetje të trupave të saj në tokë dhe kundër objektivave të tjerë.

Raketat vazhdojnë të godasin edhe Ukrainën. Dje u publikua video e katër raketave të lundrimit Kalibr që lëshoheshin nga një anije ruse në Detin e Zi.

Mbrëmë Presidenti Zelensky tha se Moska kishte lëshuar 2606 raketa që nga fillimi i luftës.

Raketat moderne do të ishin më efektive kundër avionëve dhe raketave të lundrimit.

Ukraina ka një sistem të fuqishëm të mbrojtjes ajrore në formën e njësive S-300 me rreze të gjatë tokë-ajër dhe Buk-M1 SAM me rreze më të shkurtër veprimi, ndër të tjera. Por këto janë sisteme të vjetra të epokës sovjetike dhe Rusia ka qenë e suksesshme në shkatërrimin e disa prej tyre në sulme.

SHBA-ja ka furnizuar Stinger, Manpads të lëshuar nga shpatulla (Sistemet e mbrojtjes ajrore të lëvizshme nga njeriu) dhe raketat anti-ajrore Starstreak të Mbretërisë së Bashkuar.

Danimarka ka dërguar raketa të avancuara kundër anijeve Harpoon për të plotësuar sistemet e brendshme të Neptunit të Ukrainës, për të mbrojtur bregun e Detit të Zi.

Kina: Asnjëherë nuk kemi ofruar mbështetje materiale për Rusinë

Kina nuk i ka ofruar kurrë asnjë mbështetje materiale Rusisë në luftën kundër Ukrainës, deklaroi ministri kinez i Mbrojtjes Wei Fenghe, duke folur në samitin e sigurisë në Singapor.

Pekini ka mbështetur bisedimet e paqes dhe ka kundërshtuar furnizimin me armë, duke treguar skepticizëm i plotë për efektivitetin e sanksioneve”, shtoi ai.

Një konflikt apo një luftë është gjëja e fundit që Kina do të dëshironte të shihte në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, ne nuk besojmë se presioni ose sanksionet maksimale mund ta zgjidhin problemin”, shtoi Wei, duke vënë në dukje se ”përkundrazi ato mund të shkaktojnë edhe më shumë tensione dhe të përkeqësojë më tej problemin”.

Pekini, i cili ka mbështetur gjithmonë dialogun midis Rusisë dhe Ukrainës, shpreson që SHBA dhe NATO do të zhvillojnë bisedime me Moskën për të krijuar kushtet për një armëpushim më të shpejtë”, vuri në dukje ministri.

Ukraina bën thirrje për mbrojtje ajrore dhe mbështetje artilerie

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky bëri thirrje për sisteme moderne të mbrojtjes raketore për vendin e tij dhe tha se më shumë se 2600 raketa lundrimi janë ulur që nga fillimi i luftës.

Iron Dome i Izraelit, bateritë amerikane Patriot: këto janë lloji i sistemeve që Zelensky tha se i duhen vendit të tij.

Raketat ruse të lundrimit kanë rënë mbi Ukrainën që nga fillimi i kësaj lufte; ndërsa shumë janë qëlluar, shumë të tjera ia kanë dalë mbanë.

Por, mbrojtja ajrore nuk është e vetmja gjë që kërkojnë ukrainasit. Ata thanë se kanë nevojë për më shumë sisteme artilerie, ndërsa beteja në rajonin lindor të Donbasit po vazhdon.

Lufta për Severodonetsk është kthyer në një betejë të përgjakshme në rrugë, me viktima të rënda të raportuara nga të dyja palët, shkruan BBC.

Mes tyre është edhe ish-ushtari britanik, i vrarë të premten e kaluar. Një këshilltar i Presidentit Zelensky bëri homazhe për Jordan Gatley dhe tha se “ai ishte një hero i vërtetë”. “Ne do ta kujtojmë gjithmonë kontributin e tij për mbrojtjen e Ukrainës dhe botës së lirë”, u shpreh Mykhailo Podolyak.

Amnesty International akuzon Rusinë për krime lufte në Kharkiv

Organizata Amnesty International ka akuzuar Rusinë për krime lufte gjatë përpjekjeve të saj për të pushtuar qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv.

Në një raport të ri prej 40 faqesh, Amnesty ka dokumentuar përdorimin e pretenduar të municioneve thërrmuese dhe mjeteve të tjera pa dallim sulmi, shkruan CNN

“Bombardimet e përsëritura të lagjeve të banuara në Kharkiv janë sulme pa dallim që vranë dhe plagosën qindra civilë dhe si të tilla përbëjnë krime lufte,” thuhet në raport.

Studiuesit e Amnesty thanë se ata “dokumentuan shtatë sulme në zona të ndryshme të Kharkiv, ku gjetën dhe fishekë të municioneve thërrmuese 9N210 ose 9N235”.

Disa kontekste: Konventa e Kombeve të Bashkuara për Municionet Thërrmuese, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2010,  ndalon përdorimin e  municioneve thërrmuese.

Zjarr në fabrikën kimike në Severodonetsk të Ukrainës

Mësohet se rreth 500 njerëz, përfshirë 40 fëmijë mbetën të strehuar në bunkerë në fabrikën kimike Azot, raporton Sky News.

Guvernatori rajonal, Serhiy Haidai tha se kjo zonë industriale mbetet nën zjarr të rëndë artilerie mëngjesin e sotëm.

Ai shtoi se forcat ruse kontrollojnë rreth 70 përqind të qytetit dhe luftimet atje janë të ashpra.

Ish-kryeministri rus paralajmëron se fitorja e Rusisë në Ukrainë rrezikon Baltikun

Politikani opozitar rus, Mikhail Kasyanov, kryeministri i parë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se rezultati i luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës, do të përcaktojë të ardhmen e Rusisë dhe nëse Ukraine bie, “shtetet e Baltikut janë në radhë”.

Kasyanov, kritik i hapur i presidentit rus, i ka thënë agjencisë franceze të lajmeve, AFP, se ai nuk e ka besuar fillimisht se Putin do të niste luftë kundër Ukrainës.

Mirëpo kur ka parë Këshillin e Sigurisë së Rusisë, tri ditë para pushtimit të nisur më 24 shkurt, ai ka thënë se e ka kuptuar se do të ketë luftë.

“Unë i njoh ata njerëz dhe duke i shikuar ata e kam parë që Putin është jashtë kontrollit. Jo në aspektin mjekësor, por në atë politik”, ka thënë ai, duke shtuar se në të kaluarën ka njohur tjetër Putin.

Kasyanov, 64-vjeçar, ka thënë se është i bindur që Putin do të zëvendësohet nga një “kuazi-pasaardhës”, i kontrolluar nga shërbimet ruse të sigurisë, mirëpo që dikur Rusia do t’i kthehet demokracisë, ndonëse me vështirësi.

“Jam i sigurt se Rusia do t’i rikthehet rrugës së ndërtimit të shtetit demokratik”, ka thënë Kasyanov, i cili ka qenë kryeministër në periudhën 2000-2004.

Ai ka vlerësuar se do të duhet rreth një dekadë për të bërë “dekomunizimin” dhe “deputnizimin” e shtetit.

“Do të jetë e vështirë, sidomos pas kësaj lufte kriminale”.

Kasyanov ka thënë se Putin, ish-kolonel i shërbimit sekret rus në periudhën komuniste, ka krijuar një sistem të dominuar nga ish-anëtarë dhe anëtarë të shërbimeve ruse të sigurisë.

Kasyanov, i cili ka bërë thirrje për lidhje më të forta me Perëndimin, sa ka qenë kryeministër, i është bashkuar opozitës ruse dhe është bërë ndër kritikët më të mëdhenj të Kremlinit, pasi është shkarkuar nga Putini./rel

Ukraina tregon se çfarë armësh i duhen për ta mposhtur Rusinë

Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka treguar se çfarë i duhet vendit të tij për ta fituar luftën me Rusinë.

Ai përmes një postimi në Twitter të hënën, ka renditur llojet e armëve dhe sasinë që i duhen ushtrisë ukrainase.

Në radhë të parë ka përmendur armët Howitzer të kalibrit 155 mm. Ukraina tashmë i ka marrë nga SHBA-ja 90 të tilla, por Podolyak thotë se vendit i duhen edhe 1.000. Ato kanë rreze të gjatë veprimi.

Ai ka kërkuar edhe 300 raketa MLRS, që janë në gjendje të hedhin shumë predha në të njëjtën kohë.

Pastaj ka kërkuar 500 tanke, 2000 automjete të blinduara dhe 1000 dronë.

Po e presim vendimin”, ka shkruar Podolyak.

Ukraina po ndihmohet vazhdimisht nga shtetet perëndimore për t’u mbrojtur nga agresioni rus, megjithëse jo çdo herë ka marrë armët që ka kërkuar.

Shtetet perëndimore druajnë ta furnizojnë Ukrainën me armë të fuqishme, pasi do të mund të vlerësohej si “përfshirje në luftë”.

Rusia ka thënë se të gjitha këto ndihma i konsideron si caqe legjitime për sulme.

Zelensky: Ukrainasit po luftojnë për secilin metër të Severodonjeckut

Forcat ukrainase dhe ato ruse janë duke luftuar ashpër për të fituar kontrollin e Severodonjeckut, qytet në lindje të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se mbrojtësit e këtij shteti janë duke luftuar për “secilin metër” të qytetit, ndonëse rusët kanë shkatërruar një urë kyçe, duke pamundësuar ikjen potenciale të civilëve nga zonat e luftës.

“Qëllimi kyç i pushtuesve nuk ka ndryshuar. Ata janë duke rritur presionin në Severodonjeck, atje ka luftime të ashpra – për secilin metër”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij të dielën vonë, duke shtuar se ushtria ruse është duke shtuar rezervat në Donbas.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Hayday, ka thënë më 12 qershor se forcat ruse kanë shkatërruar urën e dytë që lidh Severodonjeckun me qytetin Lisiçansk.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 13 qershor se operacionet e kalimit të lumit “ka mundësi të jenë në mesin e faktorëve vendimtarë për luftën”.

Inteligjenca britanike ka thënë se Rusia është duke u përballur me vështirësi që të demonstrojë “koordinim kompleks, i cili është i nevojshëm për të kryer kalime të suksesshme rreth lumit, teksa vazhdojnë luftimet”.

Pavarësisht rritjes së presionit, Zelensky ka thënë se forcat ukrainase jane duke penguar trupat ushtarake ruse nga marrja e Donbasit.

Ju kujtohet sesi në Rusi, në fillim të muajit maj ata shpresonin të merrnin kontrollin e rajonit lindor të Donbasit?” ka pyetur Zelensky.

“Është dita e 108-të e luftës, jemi në qershor. Donbasi ende po mbahet”.

Severodonjecku ka mbetur pikë kritike e luftimeve, të cilat sipas Kievit do të përcaktojnë rezultatin e luftës së paprovokuar që ka nisur Rusia në Ukrainë më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e konsideron luftën “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Kievi dhe Perëndimi e konsiderojnë këtë arsyetim si të rremë për nisje të luftës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat