Udhëheqësit perëndimorë shprehin mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën
Perëndimi duhet të përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainë, pavarësisht sukseseve në rritje në betejat për të kontrolluar lindjen e vendit, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryeministri britanik Boris Johnson.
Stoltenberg dhe Johnson përsëritën gjithashtu se qeveritë perëndimore duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën për të penguar agresionin e ardhshëm nga presidenti rus Vladimir Putin. Duke folurpër gazetën gjermane Bild am Sonntag ai tha se askush nuk e dinte se sa do të zgjaste konflikti, por “ne duhet të përgatitemi për faktin se mund të duhen vite”.
“Ne nuk duhet të ndalojmë së mbështeturi Ukrainën. Edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, por edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.”
Boris Johnson, duke shkruar në Sunday Times pas vizitës së tij të dytë në Kiev të premten, tha se aleatët perëndimorë duhet “të përgatiten për një luftë të gjatë, pasi Putini po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën”.
Johnson tha se marrja në kontroll e të gjithë Donbasit të Ukrainës, që mbulon pjesën më të madhe të Ukrainës lindore, kishte qenë objektivi i Putinit për tetë vitet e fundit. Të dy theksuan nevojën për të shmangur agresionin e ardhshëm rus.
Stoltenberg tha: “Nëse Putini mëson nga kjo luftë mësimin se ai mund të vazhdojë siç bëri pas luftës së Gjeorgjisë në 2008 dhe pushtimit të Krimesë në 2014, atëherë ne do të paguajmë një çmim shumë më të lartë.”
Johnson pyeti se çfarë do të ndodhte nëse Presidenti Putin do të ishte i lirë të pushtonte të gjitha zonat e Ukrainës të kontrolluara tani nga forcat ruse. “Po sikur askush të mos ishte i gatshëm të ngrinte gishtin teksa aneksonte këtë territor të pushtuar dhe popullin e tij të frikshëm në një Rusi më të madhe?
A do të sillte kjo paqe?”
Johnson tha se përmes mbështetjes së qëndrueshme afatgjatë për Ukrainën, “ne dhe aleatët tanë do të mbrojmë sigurinë tonë po aq sa atë të Ukrainës dhe do ta mbrojmë botën nga ëndrrat vdekjeprurëse të Putinit dhe atyre që mund të kërkojnë të bëjnë të njejtën gjë”.
“Koha është faktori jetik. Gjithçka do të varet nëse Ukraina mund të forcojë aftësinë e saj për të mbrojtur tokën e saj më shpejt se sa Rusia mund të rinovojë kapacitetin e saj për të sulmuar.
Detyra jonë është të fitojmë kohë në anën e Ukrainës,” tha Johnson.
Të dielën, zyrtarët ukrainas thanë se vazhdojnë luftimet e ashpra në qytetin e Severodonetsk, epiqendra e betejës së përgjakshme për rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës dhe komunitetet përreth ndërsa forcat ruse përpiqen të thyejnë rezistencën e mbrojtësve ukrainas dhe të marrin në kontroll zona të Luhanskut.
Serhii Hayday, kreu i administratës ushtarake rajonale, tha se “betejat për Severodonetsk vazhdojnë” dhe se fabrika kimike në Azot, ku janë strehuar rreth 500 civilë, ishte bombardua sërish.
Operacionet ruse duket se janë të dizajnuara për të thyer mbrojtjen e Ukrainës në jug të Lysychansk dhe Severodonetsk, duke zmbrapsur njësitë ukrainase që ende mbrojnë dy qytetet me rëndësi strategjike, raporton abcnews.al.
Në perëndim, në rajonin e Donetskut, gjithashtu në Donbas, ushtria ukrainase raportoi bombardime të mëtejshme të pozicioneve ukrainase pranë Slovianskut. Ka pasur gjithashtu një sulm me raketa në zonë, sipas një përditësimi operacional nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës. Por duket se ka pasur pak ndryshime në pozicionet e vijës së parë.
Ushtria e Ukrainës ka shkatërruar municione të epokës sovjetike që i përshtaten sistemeve të vjetra. Ndërsa sistemet perëndimore të armëve po mbërrijnë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky paralajmëroi këtë javë se ato duhet të vijnë më shpejt pasi Rusia po grumbullon trupa ushtarakë rreth dy qyteteve në Ukrainën lindore.
Administrata e Biden njoftoi të mërkurën se do të ofronte një ndihmë ushtarake shtesë prej 1 miliard dollarësh për Ukrainën, një paketë që përfshin dërgesa të obuseve shtesë, municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes raketore. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar “planifikon të punojë me miqtë tanë për të përgatitur forcat ukrainase për të mbrojtur vendin e tyre, me potencialin për të trajnuar deri në 10,000 ushtarë çdo 120 ditë”, tha Johnson.
Ndërsa Rusia ka shënuar fitime në Ukrainën lindore, Johnson theksoi dëmtimin e forcave ruse në betejat e rënda, duke thënë se Rusisë do t’i duhen “vite, ndoshta dekada, për të zëvendësuar këtë pajisje. Në fund të majit, zyrtarët ukrainas thanë se njësitë ruse po përforcoheshin me tanke T-62 të epokës sovjetike, të cilat dukej se ishin nxjerrë nga magazinimi.
Kryeministri britanik përshkroi katër hapa thelbësorë për të mbështetur Ukrainën, të cilat përfshinin: ruajtjen e shtetit ukrainas që përfshin: sigurimin që vendi të marrë “armë, pajisje, municione dhe trajnime më shpejt se pushtuesi dhe të krijojë kapacitetin e tij për të përdorur ndihmën tonë;” një “përpjekje afatgjatë për të zhvilluar” rrugë alternative tokësore për të kapërcyer bllokadën ruse të eksportit përtej Detit të Zi.
Këtë fundjavë, Zelensky vizitoi vijat e frontit në qytetin bregdetar të Odesa dhe qytetin jugor të Mykolaiv, të cilat janë të dyja objektiva ruse në përpjekjen e saj për të marrë në kontroll bregun e Detit të Zi.
Johnson shtoi se bllokada ruse e porteve të Detit të Zi nënkupton që rreth “25 milionë ton misër dhe grurë, i gjithë konsumi vjetor i të gjitha vendeve më pak të zhvilluara do të vendosen në kapanone anembanë Ukrainës”.
Në samitin e ardhshëm të NATO-s në Madrid, Stoltenberg tha se një koncept i ri strategjie që do të miratohet “do të deklarojë se Rusia nuk është më një partner, por një kërcënim për sigurinë, paqen dhe stabilitetin tonë”.