LIVE: Shpërthim i fuqishëm në Belgorod të Rusisë - NATO-ja me plan për bllokimin e dronëve iranianë mbi territorin ukrainas

Bota

LIVE: Shpërthim i fuqishëm në Belgorod të Rusisë - NATO-ja me plan për bllokimin e dronëve iranianë mbi territorin ukrainas

Nga: Bota sot Më: 13 tetor 2022 Në ora: 06:50 Përditësuar në ora: 20:31 më 13.10.2022
Foto ilustrim

NATO-ja me plan për bllokimin e dronëve iranianë mbi territorin ukrainas

NATO së shpejti do të furnizojë Ukrainën me sisteme për të bllokuar dronët ushtarakë, tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, në një konferencë për shtyp pas takimit dy-ditor të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare.

Sipas BBC, NATO-ja do t’i dorëzojë Ukrainës pajisje që do t’ua bllokojë sinjalin dronëve të Iranit, që po përdorën nga trupat ruse.

“NATO-ja së shpejti do t’i dorëzojë Ukrainës pajisje për të kundërshtuar mjetet ajrore pa pilot me qindra pajisje për bllokimin e sinjalit të dronit, të cilat do të jenë në gjendje të ndihmojnë në mosefektivitetin e dronëve të prodhuar nga Rusia dhe Irani, si dhe të mbrojnë popullin ukrainas dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Përveç kësaj, sipas tij, NATO ka vendosur të rrisë stoqet e veta të pajisjeve dhe armëve – “në mënyrë që të përshpejtojë mundësitë e furnizimit në Ukrainë.

Ndryshe janë bërë shtatë muaj që kur ka nisur konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës. 

Shpërthim i fuqishëm në një depo municioni në Belgorod të Rusisë

Një depo municioni shpërtheu pasi u godit nga bombardimet ukrainase në një fshat në provincën Belgorod të Rusisë, tha guvernatori i saj, Vyacheslav Gladkov.

Kjo krahinë kufizohet me Ukrainën. Gladov sqaroi se ” në bazë të informacioneve të para, nuk ka as të vdekur e as të lënduar “.

Më herët, guvernatori akuzoi ukrainasit për granatimet e një ndërtese apartamentesh në zonë. Një zyrtar ukrainas pretendoi se një raketë ruse “endacake” ishte përgjegjëse për sulmin .

close

volume_off

 

Sipas Gladkov, një shkollë është dëmtuar në një fshat afër kufirit dhe kati i fundit i një ndërtese banimi është goditur gjithashtu.

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podoliak tha në Twitter se Rusia gjuajti një raketë në drejtim të Kharkiv, por ” diçka shkoi keq dhe goditi ” kompleksin e apartamenteve brenda territorit rus.

Një video tregon mbeturinat pranë një pallati 16-katëshe dhe një vrimë të madhe pranë çatisë. Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte se cila palë ishte përgjegjëse për sulmin.

Gladkov tha se nuk kishte viktima.

Guvernatori i një province tjetër ruse, Kursk, tha se një nënstacion u dëmtua nga granatimet, duke lënë dy fshatra pa energji elektrike. Agjencia nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur këtë informacion.

Çfarë armësh mund të dërgojë SHBA në Ukrainë?

Nga: A.SH

Udhëheqësit ukrainas po i bëjnë presion SHBA-së dhe aleatëve të tjerë perëndimorë për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë me rreze më të gjatë për të mbajtur vrullin në kundërsulmimin e tyre kundër Rusisë dhe për të luftuar kundër sulmeve të intensifikuara të Moskës.

Ka një sërë armësh të profilit të lartë dhe të avancuar që Ukraina dëshiron që SHBA-ja i ka penguar t'i ofrojë për shkak të ndjeshmërisë politike, teknologjisë së klasifikuar ose rezervave të kufizuara.

Image

 

Rusia vë në zbatim planin e gjeneralit “kasap”, 40 vende të bombarduara në 24 orë

Putin ka nisur një sulm gjithëpërfshirës me raketa në 40 vendbanime në Ukrainë vetëm në 24 orët e fundit, ndërsa gjenerali brutal Surovikin ka vënë në veprim planin e Kremlinit.

Raketat ruse goditën më shumë se 40 qytete dhe qyteza të Ukrainës në 24 orët e fundit, thanë zyrtarët ukrainas të enjten, ndërsa komuniteti ndërkombëtar dënoi pa mëdyshje ofensivën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.

Forcat ajrore të Ukrainës kryen 32 sulme në 25 objektiva ruse, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Kryetari i qytetit të Mykolayiv tha në një postim në rrjetet sociale se qyteti ishte “granatuar masivisht”.

“Një ndërtesë pesëkatëshe u godit, dy katet e sipërme u shkatërruan plotësisht, pjesa tjetër është nën rrënoja,” theksoi ai.

Guvernatori i Oblastit të Kievit, Oleksi Kuleba, tha se sulmet u kryen nga dronët iranianë pa pilot, të njohur si “dronë kamikaze”. Nuk mund të kishte njeri më të përshtatshëm për planin barbar të Kremlinit, sesa gjenerali Sergei Surovykin, i njohur edhe me pseudonimin “gjenerali i Harmagedonit” .

Emërimi i tij si komandant i forcave ruse në Ukrainë është një nga lëvizjet e fundit të Putinit dhe politika e bombardimeve masive është specialiteti i tij.

Metoda e tij e bombardimit të qyteteve me raketa, siç shihet në shkatërrimin e tmerrshëm të qyteteve siriane të Alepos dhe Idlib gjatë kohës së tij në Siri, nuk është befasi për këdo që e njeh Surovikin.

“Ai ka qenë gjithmonë një mbështetës i fortë i sulmeve masive me raketa në infrastrukturën civile,” sipas një eksperti ukrainas të mbrojtjes. “Ai nuk është aspak i interesuar për civilët,” tha Oleksandr Danilyuk.

Ai ka shërbyer një veteran i luftërave në Afganistan, Taxhikistan, Çeçeni dhe Siri, dhe ka rifituar reputacion për mizorinë dhe brutalitetin e tmerrshëm.

Një raport i Human Rights Watch e identifikoi Surovikin si një nga figurat kryesore ushtarake që “pa dallim” goditi “shtëpitë, tregjet, shkollat ​​dhe objektet e kujdesit shëndetësor” duke përdorur armë të shumta vdekjeprurëse.

Gjashtë orë nën rrënojat e bombardimit, nxirret gjallë 11-vjeçari në Ukrainë

Një djalë 11-vjeçar është nxjerrë i gjallë pas gjashtë orësh nën rrënoja, pasi bombardimet e rënda ruse gjatë natës në Mykolaiv në Ukrainën jugore shkatërruan një ndërtesë pesëkatëshe.

Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për shtatë persona të tjerë, ka bërë të ditur guvernatori Vitaliy Kim, i cili publikoi edhe foto të momentit kur zjarrfikësit lokalizojnë fëmijën.

Vetë kryetari i bashkisë së Mykolaiv, Oleksandr Sienkevych, konfirmon se qyteti është “bombarduar rëndë”, duke shtuar se “forcat ruse kanë goditur një ndërtesë banimi pesëkatëshe” dhe se “grupet e shpëtimit po punojnë në vendngjarje.

Për momentin nuk ka asnjë informacion për viktimat.”

Çka thonë në Kremlin para takimit Erdogan-Putin?

Turqia po vazhdon të shfaqë potencialin dhe aftësitë e saj duke u përpjekur që përmes dialogut me Rusinë, ta bëjë këtë të fundit t’i jap fund luftës me Ukrainën, të nisur muaj më parë.

Presidenti rus Vladimir Putin pritet të takohet me homologun e tij turk, Rexhep Tayyip Erdogan në një samit rajonal në Kazakistan.

Zyrtarët nga Kremlini kanë thënë se mes temash që mund të zhvillohen mund të jetë edhe dëshira e Erdoganit për të diskutuar për bisedimet e paqes mbi luftën në Ukrainë, shkruan BBC.

Presidenti turk ka kërkuar që vazhdimisht të ndërmjetësojë midis Rusisë dhe Ukrainës gjatë luftës, duke promovuar një qëndrim “të balancuar” për Turqinë anëtare të NATO-s, ndërsa kundërshton sanksionet perëndimore ndaj Rusisë.

Pasi dyshja u takuan në shtator, Erdogan pati deklaruar se përshtypja e tij ishte se “Putini dëshironte “t’i jepte fund kësaj lufte sa më shpejt të ishte e mundur”.

Nuk ndalet Rusia, bombardon sërish kryeqytetin ukrainas

Rusia ka kryer sulme ndaj infrastrukturës kritike në rajonin e kryeqytetit ukrainas dhe ka nisur sulme ajrore në qytetin jugor të Mikolajivit më 13 tetor.

Sulmet e reja vijnë një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që e quan “ilegal” aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia.

Guvernatori rajonal i Kievit, Oleksiy Kuleba, tha se sulmet janë kryer me dronë të prodhuar nga Irani, që njihen si dronë kamikazë. Sipas tij, ekipet e shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes, por ende është e paqartë nëse ka viktima nga këto sulme.

Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i Zyrës presidenciale të Ukrainës, tha se dronët kanë goditur ndërtesa të infrastrukturës kritike.

Në Mikolajiv gjatë natës është bombarduar një ndërtesë banimi, teksa luftimet po vazhdojnë në mbarë frontin jugor të Ukrainës.

“Një ndërtesë pesëkatëshe e banimit është goditur, dy katet e sipërme janë shkatërruar plotësisht, ndërkaq pjesa tjetër e ndërtesës është nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit janë duke punuar në vendngjarje”, tha kryetari i Mikolajivit, Oleksandr Sienkovych, duke shtuar se ky qytet jugor ukrainas është “bombarduar në mënyrë masive”.

Ende është e paqartë nëse ka viktima nga bombardimet në këtë qytet.

Mikolajivi, një qytet-port buzë lumit Bug, afër Detit të Zi, ka qenë cak i bombardimeve të ashpra qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

NATO do të vazhdojë me stërvitjen vjetore të gatishmërisë bërthamore

NATO ka thënë se do të vazhdojë me stërvitjen e saj vjetore të gatishmërisë bërthamore të quajtur "Steadfast Noon" javën e ardhshme, në të cilën forcat ajrore praktikojnë përdorimin e bombave bërthamore amerikane me bazë në Evropë me fluturime stërvitore, pa armë të gjalla.

Anulimi i stërvitjeve për shkak të luftës në Ukrainë do të dërgonte një "sinjal shumë të gabuar", tha këtë javë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Rreth 50 vende u mblodhën në selinë e NATO-s dje dhe u angazhuan për të armatosur Ukrainën gjatë dimrit dhe më tej, duke përfshirë mbrojtjen e re ajrore.

Sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin tha sot se mbështetja ishte e pafund./A.ZH

Austin: SHBA e përkushtuar të mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO-s

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, riafirmoi përkushtimin e Uashingtonit për të mbrojtur “çdo centimetër” të territorit të NATO-s.

Këto deklarata ai i bëri para nisjes së takimit të 30 ministrave të Mbrojtjes së NATO-s. Në takimin e 13 tetorit, ministrat pritet të mbajnë diskutime të mbyllura lidhur me planin bërthamor të aleancës.

Po ashtu, deklaratat e Austinit vijnë pas kërcënimeve të maskuara të presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, pasi ushtria e tij po pëson humbje në fushëbetejë në Ukrainë.

“Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, nëse vjen puna deri aty”, tha sekretari Austin.

Në Bruksel, anëtarët e NATO-s të enjten mbajnë takimin e Grupit të Planifikimit Bërthamor, që është një trup i lartë i aleancës për çështjet bërthamore, por edhe që merret me politikat e lidhura me forcat bërthamore.

Ndërkaq, në margjinat e takimit në Bruksel, një grup prej 13 anëtarësh të NATO-s dhe Finlanda – që është në proces të anëtarësimit në këtë aleancë ushtarake – nënshkruan një marrëveshje për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, sikurse Arrow 3 dhe Patriot.

Grupi që ka nënshkruar këtë marrëveshje përfshin Gjermaninë, Britaninë, Sllovakinë, Norvegjinë, Letoninë, Hungarinë, Bullgarinë, Belgjikën, Çekinë, Finlandë, Lituaninë, Holandën, Rumaninë dhe Slloveninë.

Disa prej shteteve anëtare të NATO-s po kërkojnë që të forcojnë sistemet e mbrojtjes ajrore, në dritë të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës. Disa shtete të tjera po zëvendësojnë apo përditësojnë sistemet aktuale, teksa po vazhdojnë të armatosin Ukrainën.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dënon aneksimin rus të katër rajoneve ukrainase

Me shumicë të madhe vendet anëtare të OKB-së miratuan një rezolutë, përmes së cilës dënojnë aneksimin kundër së drejtës ndërkombëtare të territoreve ukrainase nga Rusia. Vota në OKB tregon për izolimin e Moskës.    

Ishte parashikuar një shumicë e qartë në OKB kundër aneksimit në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të territoreve ukrainase nga Rusia. Por rezultati përfundimtar i votimit në Asamblenë e Pergjithshme të OKB-së i tejkaloi parashikimet: 143 nga 193 vendet anëtare të OKB-së votuan në forumin më të madh të kësaj organizate pro rezolutës, që dënon aneksimin nga Rusia të rajoneve ukrainase dhe e shpall atë të pavlefshëm.

Kremlinit i kërkohet që të rikthejë rajonet e pushtuara Lugansk, Donjeck, Saporishshja dhe Kerson.

Vendimi ndonëse nuk është i detyrueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, tregon megjithatë izolimin e qartë ndërkombëtar të Moskës. Në rezolutë theksohet gjithashtu sovraniteti, pavarësia, uniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Siria, Nikaragua, Koreja e Veriut dhe Bjellorusia e Rusia votuan kundër. 35 vende të tjera abstenuan, ndër to partnerët strategjikë të Rusisë Kina, India, Afrika e Jugut dhe Pakistani. Ndër vendet që e miratuan rezolutën janë edhe Brazili, Turqia dhe Arabia Saudite, vende këto për të cilat fillimisht u spekulua se si mund të komportoheshin gjatë votimit të rezolutës.

Gjermania gjatë një mbledhjeje urgjente mbështeti hartimin e rezolutës. "Pseudoreferendumet dhe aneksimi ilegal i Rusisë janë zero dhe të pavlefshme", tha diplomati gjerman Michael Geisler përpara votimit në Asamblenë e Pergjithshme. „Ne të gjithë jemi të detyruar ligjërisht që të refuzojmë t'i pranojmë ato."

Një projekturezolutë e ngjashme si kjo që u miratua tani dështoi gjatë votimit në shtator në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak të kundërshtimit të Rusisë. Në Këshillin e Sigurimit rezolutat kanë efekt detyrues sipas së drejtës ndërkombëtare. Anëtarët e përhershëm të këtij forumi Rusia, Kina, SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe me veton e tyre mund t'i bllokojnë vendimet./DW

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat