LIVE/ Rritet frikshëm numri i viktimave nga tërmeti katastrofik, në Turqi ‘shpërthen’ zemërimi

Bota

LIVE/ Rritet frikshëm numri i viktimave nga tërmeti katastrofik, në Turqi ‘shpërthen’ zemërimi

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 06:10 Përditësuar në ora: 00:24 më 10.02.2023
Pamje nga tërmeti në Turqi

Rritet numri i viktimave, mbi 21 mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri

Numri i të vdekurve pas tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën është rritur në të paktën 21,051, sipas autoriteteve.

Në Turqi , numri i të vdekurve është rritur në të paktën 17,674 dhe numri i të plagosurve është 72,879, tha të enjten nënpresidenti Fuat Oktay.

Në Siri , të paktën 3,377 njerëz u vranë, përfshirë 2,030 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim, sipas grupit të mbrojtjes civile të Helmetave të Bardha – dhe 1,347 vdekje në pjesët e kontrolluara nga qeveria të Sirisë, sipas medias shtetërore siriane.

Numri i personave të lënduar në Siri në të gjitha territoret e prekura u rrit në 5245—2295 në zonën e kontrolluar nga qeveria dhe 2950 në zonën e kontrolluar nga rebelët.

Të paktën 78,124 njerëz në Siri dhe Turqi u plagosën pas tërmeteve, sipas shifrave nga qeveria turke, Helmetat e Bardha dhe media shtetërore siriane.

Vizitoi të afërmit në Turqi, një familje nga New Yorku u shua si pasojë e tërmetit

Një familje nga New Yorku që vizitonte të afërmit në Turqi, ishte në mesin e mijëra njerëzve të vrarë në tërmetin me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën.

Burak Firik, një ish-anëtar bordi i Kapitullit të Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike të New Yorkut (CAIR-NY), u vra së bashku me gruan e tij Kimberly dhe djemtë e tyre Hamza, 2 vjeç dhe Bilal, 1, Drejtori Ligjor i CAIR-NY, Ahmed M. Mohamed tha për CNN.

Familja ishte në një pallat të vendosur në rajonin Kahramanmaraş të Turqisë – epiqendra e tërmetit vdekjeprurës të së hënës, sipas Mohamed. Ndërtesa e banesës u shemb gjatë tërmetit.

Mohamed tha se ai e njihte Firikun që nga viti 2019 dhe për herë të fundit foli me të disa muaj më parë para se të shkonte në Turqi për të qenë me babain e tij, i cili po bënte një operacion në zemër.

”Ai ishte një individ shumë aktiv në komunitetin e tij, një shtyllë për familjen e tij, shtyllë për komunitetin mysliman, komunitetin turko-amerikan dhe me të vërtetë, ai ishte një udhëheqës shërbëtor që e vuri në veprim besimin e tij”, tha Mohamed.

Mohamed tutje u shpreh se Firik ishte i interesuar për kompjuterët dhe teknologjinë, studionte tregjet dhe i pëlqente të lexonte – ai e kishte vendosur si synim të lexonte një libër çdo ditë.

Mohamed shtoi se Firik “ishte një burrë familjar” që e donte familjen e tij.

SHBA jep 85 milionë dollarë ndihmë për të prekurit nga tërmetet në Turqi dhe Siri

SHBA ka njoftuar për një paketë fillestare prej 85 milionë dollarësh në ndihmë emergjente për njerëzit e prekur nga tërmetet vdekjeprurëse në Turqi dhe Siri.

Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar tha në një deklaratë se fondet do t’u shkojnë partnerëve në terren për të ofruar ndihmën e nevojshme urgjente për miliona njerëz, duke përfshirë ushqimin, strehimin dhe shërbimet shëndetësore emergjente.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka folur me ministrin e financave të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, se si SHBA mund të ofrojnë ndihmë në Turqi dhe Siri.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA do të vazhdojë të kërkojë qasje të papenguar humanitare në Siri dhe i kërkoi qeverisë së Bashar al-Assadit të lejojë menjëherë ndihmën përmes të gjitha pikave kufitare, duke shtuar se SHBA pret që së shpejti të ketë më shumë për të thënë për ndihmën për Turqinë. Ai shtoi se Uashingtoni do të bëjë gjithçka që mundet për të përmbushur nevojat që turqit kanë paraqitur.

Price tha se helikopterët amerikanë po ndihmonin personelin e shpëtimit të arrinte në zonat me qasje të vështirë dhe tha se Uashingtoni po parapoziciononte pajisjet e ndihmës që shpresonte se do t’i bashkoheshin përpjekjeve të rimëkëmbjes.

Shtetet e Bashkuara po ofrojnë një ekip të ndihmës kundër katastrofave prej rreth 200 personash, duke përfshirë dy ekipe urbane të kërkimit dhe shpëtimit.

Paramedikët, reaguesit e urgjencës, teknikët e materialeve të rrezikshme dhe të tjerë kanë mbërritur tashmë, raporton Guardian.

Uashingtoni po dërgon gjithashtu shkatërrues betoni, gjeneratorë, furnizime mjekësore, tenda, ujë dhe sisteme të pastrimit të ujit.

Mbi 20 mijë të vdekur nga pasojat e tërmetit në Turqi dhe Siri

Ekipet e shpëtimit nxorën më shumë të mbijetuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura të enjten, por shpresat për gjetjen e më shumë të gjallëve kanë filluar të zbehen më shumë se tre ditë pas një tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke vrarë më shumë se 20 mijë veta.

Ekipet e emergjencave që punuan gjatë natës në qytetin e Antakias arritën të shpëtojnë një vajzë të re nga rrënojat e një ndërtese dhe dy orë më vonë shpëtuan të atin e saj, raportoi agjencia e lajmeve IHA.

Në Dijarbakir, në lindje të Antakias, shpëtimtarët nxorën një grua të plagosur nga një ndërtesë e shembur në orët e hershme të mëngjesit, por pranë saj gjetën trupat e tre personave të vdekur, raportoi agjencia e lajmeve DHA.

Numri i të vdekurve në Turqi u rrit në 17 mijë e 134, tha agjencia e menaxhimit të emergjencave. Në Sirinë e shkatërruar nga gati 12 vjet luftë civile, më shumë se 3 mijë e 200 njerëz kanë vdekur, sipas qeverisë dhe një shërbimi shpëtimi në veriperëndim të vendit të kontrolluar nga kryengritësit.

Dhjetëra mijëra besohet se kanë humbur shtëpitë e tyre. Në Antakia, ish-banorët e një ndërtese të shembur u grumbulluan rreth një zjarri nën qiellin e hapur gjatë natës së të enjtes, duke u mbështjellë fort me batanije.

Lajmi i plotë KËTU.

Gjeologu që parashikoi tërmetin në Turqi, paralajmëron një tjetër goditje

Gjeologu Frank Hoogerbeets, i cili arriti të parashikonte tërmetin që goditi juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë, të hënën e 6 shkurtit ka bërë një tjetër parashikim të frikshëm.

Në një postim në Twitter ai shkruan se duke u bazuar te gjeometria hënore, një tërmet i fortë do të godasë gjatë 1 deri në 4 ditët e ardhshme, zonën në afërsi ose brenda shiritit lejla në foton e mëposhtme.

Potenciali për aktivitet më të fortë sizmik në ose afër brezit të purpurt 1-4 ditë. Ky është një vlerësim. Nuk përjashtohen edhe rajonet e tjera”, shkruan gjeologu.

Më 3 shkurt, 3 ditë përpara se të binte tërmeti me magnitudë 7,8, me epiqendër në Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë, ai parashikoi se një tërmet me nagnitudë 7,5 në këtë rajon do të godiste Turqinë qendrore-jugore, Jordaninë, Sirinë dhe Libanin midis datave 4-6 shkurt.

Në komentin e tij, punonjësi i Solar System Geometry Survey (SSGS) bashkangjiti një foto me hartën e Turqisë, e cila shfaqte një pikë të kuqe që tregon zonën më të prekur nga tërmeti.

Pas tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë dhe që aktualisht ka lënë mbi 20 mijë viktima, gjeologu shprehu solidaritetin e tij me viktimat.

Mbi 19 mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Më shumë se 19 mijë e 300 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe Siri pas tërmetit të së hënës.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, sot ka thënë se 16 mijë e 170 njerëz kanë vdekur vetëm në vendin e tij.

Në Siri janë raportuar 3 mijë e 162 vdekje, shkruan BBC..

Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka frikë se shumë të mbijetuar mund të humbasin ende jetën e tyre, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ajo thotë se ekziston rreziku se do të ketë një fatkeqësi dytësore që mund të shkaktojë dëm për më shumë njerëz sesa tërmeti fillestar.

Gjashtë kamionë të OKB-së që transportonin ndihma tani kanë kaluar kufirin nga Turqia në Siri - ndihma e parë ndërkombëtare që njerëzit atje kanë pasur.

Të mbijetuarit mbesin pa ujë dhe nxehtësi, pasi numri i vdekjeve arrin në 17,000

Më shumë se 17,000 njerëz tashmë dihet se kanë vdekur pas tërmeteve të së hënës në Turqinë jugore dhe Sirinë veriore.

Pa strehim, ujë, karburant ose energji elektrike, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka frikë se shumë të mbijetuar mund të humbasin ende jetën e tyre, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ajo thotë se ekziston rreziku se do të ketë një fatkeqësi dytësore që mund të shkaktojë dëm për më shumë njerëz sesa tërmeti fillestar.

Gjashtë kamionë të OKB-së që transportonin ndihma tani kanë kaluar kufirin nga Turqia në Siri - ndihma e parë ndërkombëtare që njerëzit atje kanë pasur.

Ekipet e shpëtimit në të dy vendet po vazhdojnë punën e tyre të mundimshme, por shpresat po zbehen për shumë njerëz ende të bllokuar nën rrënoja.

Video emocionuese! Ndodh mrekullia në Turqi pas 61 orësh, kjo ishte pyetja që u ktheu buzëqeshjen ekipit të shpëtim-kërkimit

Një vogëlushe tetë vjeçare, e cila ishte nën rrënoja pas tërmetit në Kahramanmarasit, u shpëtua pas 61 orëve nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën e tyre në terren pas tërmeteve me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballësh të Rihterit, epiqendra e të cilit është në Elbistan dhe preku dhjetë provinca të tjera.

Ekipet e kërkim-shpëtimit të bashkisë Kahramankazan kryen një operacion kërkim-shpëtimi në rrënojat e banesës tetë katëshe në Kahramanmara.

Ekipet arritën tek vogëlushja Zubeyde, e cila ishte nën rrënoja dhe duket se nuk ishte në dijeni se ka ndodhur një fatkeqësi.

Pyetjes së Zubeydes, “si hyrët në shtëpi” ekipet iu përgjigjën, “u futëm nga dritarja”, e cila gjë shkaktoi të qeshura tek të gjithë pjesëtarët e kërkim-shpëtimit.

Ndryshe, autoritetet turke dhe siriane kanë raportuar se rreth 12 mijë njerëz kanë vdekur dhe mijëra të tjerë kanë pësuar lëndime.

Çfarë po ndodh në Turqi? Pas tërmetit të fundit katastrofik, po ‘shpërthen’ zemërimi

Në Turqi po rritet zemërimi dhe acarimi që zbatimi i rregulloreve që lë për të dëshiruar, është bërë shkak për shembjen e shumë ndërtesave në tërmetet e fundit që kanë goditur vendin.

BBC ka verifikuar shembuj të godinave të larta të ndërtuara së fundmi që u shembën në tërmetin katastrofik të muajit shkurt 2023.

Një ndërtesë në Malatya kishte përfunduar vitin e kaluar dhe në mediat sociale qarkulloi një reklamë që thoshte se ishte “përfunduar në përputhje me rregulloret më të fundit të tërmeteve”.

Reklama thoshte se të gjitha materialet e përdorura ishin “cilësi e klasit të parë”.

Nuk ka asnjë gjurmë të kësaj reklame tani, por shumë njerëz i kishin bërë foto dhe video dhe i kishin postuar ato në internet.

Një tjetër bllok apartamentesh i ndërtuar së fundmi në qytetin port të Iskenderun është fotografuar i shkatërruar.

Kompania e ndërtimit për këtë godinë kishte postuar një foto që tregon se ka përfunduar në vitin 2019.

BBC ka verifikuar se imazhi i ndërtesës së shkatërruar përputhet me vendndodhjen e fotografisë reklamë të bllokut të kompanisë.

Një tjetër ndërtesë e cila u bë e banueshme në Antakya në vitin 2019 mund të shihet e shkatërruar kryesisht në një foto të verifikuar nga BBC.

Megjithëse tërmetet ishin të fuqishme, ekspertët thonë se ndërtesat e ndërtuara siç duhet duhet të kishin qenë në gjendje të qëndronin në këmbë.

“Intensiteti maksimal i këtij tërmeti ishte i fortë, por jo domosdoshmërisht i mjaftueshëm për të rrëzuar godinat e ndërtuara mirë,” thotë David Alexander, profesor i Planifikimit dhe Menaxhimit të Emergjencave në University College London.

“Në shumicën e vendeve niveli i lëkundjeve ishte më i vogël se maksimumi, kështu që mund të konkludojmë nga mijëra ndërtesa që u shembën, pothuajse të gjitha nuk i qëndrojnë asnjë kodi ndërtimi të arsyeshëm të përballimit të tërmeteve.”

Rregullat e fundit kërkojnë që strukturat në rajonet e rrezikuara nga tërmeti të përdorin beton të cilësisë së lartë të përforcuar me shufra çeliku. Kolonat dhe trarët gjithashtu duhet të shpërndahen për të absorbuar në mënyrë efektive ndikimin e tërmeteve.

Megjithatë, këto ligje janë zbatuar keq.

“Pjesërisht problemi është se ka shumë pak rinovim të ndërtesave ekzistuese, por ka gjithashtu shumë pak zbatim të standardeve të ndërtimit në ndërtesat e reja,” thotë Prof Alexander.

Qeveria turke ka parashikuar periodikisht “amnisti ndërtimi” – praktikisht përjashtime ligjore për pagesën e tarifës, për ato struktura të ndërtuara pa certifikatat e kërkuara të sigurisë. Këto janë kaluar që nga vitet 1960 (me të fundit në 2018).

Kritikët kanë paralajmëruar prej kohësh se amnisti të tilla rrezikojnë katastrofë në rast të një tërmeti të madh.

Deri në 75,000 ndërtesa në të gjithë zonën e prekur nga tërmeti në Turqinë jugore u është dhënë amnisti ndërtimi, sipas Pelin Pinar Giritlio?lu, kreu i Unionit të Dhomave të Inxhinierëve Turkë dhe Arkitektëve të Dhomës së Planifikuesve të Qytetit.

Vetëm pak ditë përpara katastrofës së fundit, media turke raportoi se një projektligj i ri po pret miratimin parlamentar i cili do të jepte një amnisti të mëtejshme për ndërtimet e fundit.

Gjeologu Celal Sengor tha në fillim të këtij viti se miratimi i amnistive të tilla ndërtimore përbën një “krim”.

Foto sa një mijë fjalë! I kërcënuan “do vijmë papritur një natë”, shpëtimtari grek mban në duar foshnjën turke

Fotografia e publikuar nga një gazetar turk ka bërë xhiron e rrjetit. Në foto shihet një pjesëtar i ekipit të shpëtimit grek që ka shpëtuar një fëmijë turk.

“Greqia që e kërcënuam ‘do të vijmë papritur një natë’ i dha një mësim humanizmi diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij”, shkruan gazetari HasanCucuk në statusin e tij të publikuar në Twitter.

Turqia dhe Siria u goditën nga tërmeti shkatërrimtar 7.7 ballë, ku mbi 17 mijë persona humbën jetën, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur.

Greqia është solidarizuar me shtetin turk. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi menjëherë për dërgimin e ekipit të shpëtim-kërkimit në Turqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat