Turqi, një 42-vjeçare nxirret e gjallë nga rrënojat pas 222 orësh
Një grua 42-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat, 222 orë pasi tërmeti i fortë goditi goditi Turqinë dhe Sirinë. Sipas mediave turke gruaja u nxorr nga rrënojat e një godine në qytetin Kahramanmaras, aty ku ishte dhe epiqendra e tërmetit. Ekipet e shpëtimit thanë se gruaja e shpëtuar është Melike Imamoglu.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan njoftoi të martën se më shumë se 35 mijë njerëz kanë vdekur në Turqi si pasojë e tërmetit të javës së kaluar, duke e bërë atë fatkeqësinë më vdekjeprurëse që nga themelimi i vendit 100 vjet më parë.
Ndërsa numri i të vdekurve është pothuajse i sigurt se do të rritet edhe më tej thonë autoritetet. Shumë të mbijetuar të mbetur të pastrehë janë duke luftuar për të përmbushur nevojat themelore, si gjetja e strehimit apo ushqimi.
Presidenti turk, i cili i është referuar tërmetit si “katastrofa e shekullit”, tha se më shumë se 13,000 njerëz po marrin ndihmë mjekësore në spitale.
Shumë në Turqi kanë fajësuar ndërtuesit për numrin e lartë të viktimave, ndërsa mediat raportojnë se nuk janë zbatuar rregullat e ndërtimit./VOA
Siri, pas termetit shkatërrues shembja e digës përmbyt fshatin
Fshatrat në veriperëndim të Sirisë po përballen me një fatkeqësi të dyfishtë. Fillimisht ato u goditën nga tërmeti shkatërrues i së hënës së kaluar, ndërsa shembja e pritave mbrojtëse të një lumi ka shkaktuar pëmbytjen e një fshati dhe rrezikohen edhe shumë fshatra të tjera.
Siria po përballet me një tragjedi të dyfishtë, pas tërmetit shkatërrues, shembja e pritave ka shkaktuar përmbytjen e fshatit Tulul në provincën Idlib të Sirisë veriperëndimore. Samira Al-Ali, banore e fshatit, tregon për Zërin e Amerikës atë që ndodhi.
“Nuk mund të përshkruhet ajo që ndodhi dhe jehona e rrëkesë së ujit. Ishte një fatkeqësi.
Fshati Tulul, ashtu si pjesa tjetër e rajonit, po përpiqej ta merrte veten nga termeti shkatërrues. Por vazhdimi i pasgoditjeve çoi në shembjen e pritave që mbrojnë fshatin nga ujërat e lumit Orontes. Ayman Abdo Mohamed është kryetar i këshillit të fshatit Al-Tulul.
“Tërmeti ndikoi shumë tek argjinatura, duke çarë tokën dhe digën mbrojtëse pranë fshatit tonë. Pritat u shembën dhe uji vërshoi në fshat duke shkatërruar plotësisht më shumë se 40 shtëpi”./VOA
E pabesueshme ajo që ka ndodhur në Turqi pas 208 orësh
Një 65-vjeçar sirian dhe një vajzë e mitur u shpëtuan sot nga rrënojat e një ndërtese të shembur në provincën Hatay të Turqisë, 208 orë pasi tërmeti me magnitudë 7.8 goditi rajonin.
Shpëtimi ka ringjallur shpresat e ekuipazheve të shpëtimit që po garojnë me kohën për të gjetur anëtarët e gjallë të familjes nga rrënojat e shtëpisë së shembur.
Deri më tani, nëntë persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat, tetë ditë pas tërmetit vdekjeprurës.
(VIDEO) Miracles continue as more survivors are pulled alive from the rubble nine days after strong earthquakes hit southern Türkiye
Lastly, a child has been rescued alive from rubble in Adiyaman 207 hours after the earthquake
A e shpjegon shkenca mbijetesën nën rrënoja? Historitë që qarkullojnë në Turqi dhe po bëjnë namin në gjithë botën
Gazetari Abdylvehab Ejupi i cilësoi mrekulli nga Zoti të mbijetuarit e tërmeteve në kufirin turko-sirian që u shpëtuan nga rrënojat edhe pas shumë orëve të zënë poshtë.
Ai tha në një intervistë për Euronews Albania se ka pasur qindra raste duke u fokusuar kryesisht te fëmijët.
“Nga aspekti shkencor trajtohet për shkak se fëmijët janë më të vegjël dhe zënë hapësirë më të vogël dhe kjo është arsyeja se përse edhe pas shembjeve të banesave, për shkak se ata zënë hapësira më të vogla mbijetojnë,” – u shpreh Ejupi.
Ndërkaq, thotë gazetari, ka një tjetër aspekt që nuk mund të shpjegohet shkencërisht se si fëmijët mund të jetojnë qindra orë pa ngrënë e pa pirë.
E trishtë: Çifti i të moshuarve humbet të gjithë familjen në rrënoja
30 vjet më parë, Mahmut Sulayici ndërtoi një shtëpi në Kahramanmaras qendrore, pa e ditur se ajo do të shembej nga një tërmet, duke i vrarë djalin, dy vajzat, një dhëndër dhe katër nipërit e tij.
Duke folur për Anadolu, gruaja e tij Elif tha se ata kishin humbur një djalë nga kanceri rreth 20 vjet më parë.
“Dhe tani, i kam humbur të gjithë fëmijët e mi. Nuk mundëm të shpëtonim asnjërin prej tyre. Kanë ikur edhe nipërit e mi. Kjo dhimbje është e padurueshme”, tha ajo.
Tani që ata kanë humbur të gjithë fëmijët dhe nipërit e tyre, Mahmuti dhe Elif po përpiqen të jetojnë me mbështetjen e të afërmve dhe miqve të tyre që po vizitojnë çiftin në çadrën e tyre jashtë ndërtesës së shembur.
Flet sipërmarrësi nga Kosova që ishte në Gaziantep kur ra tërmeti
Fatmir Feta është një sipërmarrës nga Kosova i cili gjatë ditës së tërmetit, rastisi që ishte në Turqi dje konkretisht në Gaziantep duke përjetuar kështu edhe goditjet e tmerrshme që duket se nuk do të kishin fund. Pak ditë më vonë ai u kthye në Kosovë nga ku edhe do të lidhemi tani.
Në një intervistë për emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, ai theksoi se në momentin që ra tërmeti ishin në gjumë dhe nga dridhja e fortë u hodhën 50 centimetra nga krevati.
Më tej ai theksoi se pa mbaruar dridhjet e tërmetit nuk mund të lëvizje dot.
“Fluturimet i kam pasur pas orës 12. Kam qenë me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Familjen e mora për herë të parë. Tërmeti ra në orën 4 të mëngjesit. Tërmeti ishte i fuqishëm., Ka qenë përplasja 50 centimetra prej shtratit. Unë u çova në këmbë ndërsa bashkëshortja ime jo, ishte dridhje shumë e fortë. S’ka pas shanse që të lëvizësh pa mbaru tërmeti. Ka qenë stafi i hotelit që ka ardhur dhe ka trokitur në derë.”- tha ai.
Mbi 200 orë pas tërmetit, një 77-vjeçare shpëtohet nga rrënojat në Turqi
Më shumë se nëntë ditë pasi tërmeti i fuqishëm ka tronditur Turqinë dhe Sirinë, ekipet e shpëtimit po tërheqin ende njerëzit nga rrënojat. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë, sot ka publikuar një video që tregon shpëtimtarët duke nxjerrë një grua 77-vjeçare nga rrënojat në qytetin e Adiyaman të martën, rreth 212 orë pas tërmetit.
Të mërkurën, një grua tjetër, e moshës 45-vjeçare, është shpëtuar pas 222 orësh në rrënoja në qytetin e Kahramanmaras, sipas televizionit shtetëror të Turqisë, TRT Haber.
Më herët, ekipet në Turqinë jugore kanë deklaruar se po dëgjonin ende zërat e të mbijetuarve të bllokuar, shkruan CNN.
Ndryshe, në mbi 40 mijë ka arritur numri i viktimave nga tërmeti i 6 shkurtit, në Turqi dhe Siri.
Erdogan: Do të nisim ndërtimin e 30 mijë shtëpive në fillim të Marsit
Presidenti turk, Erdogan është shprehur se së shpejti do të nisë ndërtimi i 30 mijë shtëpive të para për të prekurit nga tërmeti katastrofik. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kabinetit, presidenti turk tha se synojnë që të përfundojnë ndërtimin e banesave për të prekurit brenda këtij viti.
“Nuk kemi asnjë minutë për të humbur. Do të fillojmë menjëherë punimet në çdo vend ku ka përfunduar vlerësimi i dëmeve. Mund të fillojmë ndërtimin e 30 mijë shtëpive në fillim të marsit. Synimi ynë është të përfundojë brenda një viti ndërtimi i banesave cilësore dhe të sigurta në të gjithë zonën e tërmetit.” tha ai.
Kujtojmë që deri më tani më shumë se 35,400 persona kanë humbur jetën nga tërmeti në Turqi. Në Siri janë raportuar 5,800 vdekje.
Imazhet satelitore tregojnë shkatërrimin e një qyteti në Sirinë veriperëndimore
Imazhet satelitore të një qyteti të vogël në Sirinë veriperëndimore tregojnë shkallën e shkatërrimit të shkaktuar nga tërmeti i javës së kaluar.
Kreu i grupit të “Helmetave të Bardha”, i cili ka udhëhequr përpjekjet e shpëtimit në rajonin, e përshkroi situatën në Jidayris si katastrofike, me “skena të tmerrshëm” dhe shkatërrim kudo
Rreth 200 ndërtesa u shkatërruan plotësisht nga tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi afër Turqinë jugore më 6 shkurt.
Ndërsa “Helmetat” thonë se mijëra trupa janë nxjerrë nga rrënojat atje, megjithëse 813 të mbijetuar të tjerë të plagosur janë gjetur të gjallë.
Ndërsa nga ana e saj OKB-ja ka thënë se 7,400 ndërtesa janë shkatërruar plotësisht ose pjesërisht në të gjithë Sirinë dhe se gjithsej 8.8 milionë njerëz janë prekur.
Tërmeti goditi në një kohë kur nevojat humanitare ishin në nivelin më të lartë që nga fillimi i luftës civile në vend gati 12 vjet më parë, duke e vështirësuar edhe më shumë situatën në vend.
Po shemben ndërtesat me njerëz brenda
Një denoncim i rëndë vjen nga Turqia dhe këtë herë nga ekipet ndërkombëtare që kanë shkuar në këtë vend për të dhënë kontributin e tyre për shpëtimin e njerëzve të bllokuar në rrënoja si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 9 ditëve më parë që numërojnë në këto momente mbi 40 mijë viktima.
Janë pikërisht zjarrfikësit spanjollë nga Valladolidi ata që pas kthimit nga qyteti i Adiyaman në Turqi rrëfejnë se autoritetet turke po i shembin banesat e dëmtuara nga tërmeti ndonëse brenda tyre ka ende njerëzit.
Një prej tyre shprehet se ka parë në disa lokalitete të shemben ndërtesa ku mund të kishte dhjetëra njerëz brenda, për të cilat dihej se kishte 180 banorë dhe se vetëm 10 prej tyre kishin shpëtuar.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq Spanjoll po organizon dërgimin e mbi 105 tonëve ndihma humanitare drejt Turqisë dhe Sirisë.
Këto materiale janë pjesë e stoqeve që Kryqi i Kuq ka përgatitur për situata emergjente në magazinat e tij në Katalonjë, Valencia, Madrid dhe Ishujt Kanarie, nga ku paketohen për t’u dërguar sa më shpejt në vendet në nevojë.