LIVE: Pas vizitës së Biden në Ukrianë, ky shtet alarmon se kërcënimi rus po rritet - SHBA paralajmëron Kinën!

Bota

LIVE: Pas vizitës së Biden në Ukrianë, ky shtet alarmon se kërcënimi rus po rritet - SHBA paralajmëron Kinën!

Nga: Bota sot Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 07:44 Përditësuar në ora: 18:33 më 20.02.2023
Qytet në Suedi.

SHBA paralajmëron Kinën për pasoja nëse furnizon me armë Rusinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të hënën se ai është “i shqetësuar” se Kina po shqyrton mundësinë e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë përmes furnizimit me armë.

“Jemi të shqetësuar se Kina po shqyrton mundësinë për të mbështetur Rusinë në Ukrainë me ndihmë vdekjeprurëse. Ne po e ndjekim nga afër situatën. Theksova, njësoj siç tha Presidenti Biden kur bisedoi me Presidentin Xi Jinping kur nisi agresioni në Ukrainë, se do të kishte pasoja për marrëdhëniet mes dy vendeve tona nëse Kina furnizon me armë Rusinë ose e ndihmon në mënyrë sistematike për shmangien e sanksioneve”, tha Antony Blinken , Sekretari Amerikan i Shtetit .

Një përshkallëzim i tillë do të nënkuptonte “pasoja reale” për Kinën, u tha zoti Blinken gazetarëve në Ankara.

“Nga bisedimet me përfaqësues të vendeve të tjera, përfshirë gjatë konferencës së Mynihut, di se shumë vende të tjera do ta merrnin shumë seriozisht nëse Kina ofronte një mbështetje të tillë për Rusinë. Dhe ky do të ishte një problem real për Kinën në marrëdhëniet e saj me shumë vende të tjera, jo vetëm Shtetet e Bashkuara. Kështu që ne shpresojmë dhe presim që ata të tregohen të duruar për të përshkuar atë udhë”, tha zoti Blinken.

Zoti Blinken nuk tha konkretisht se çfarë masash do të merrte SHBA-ja për t’iu përgjigjur mbështetjes ushtarake kineze për Rusinë.

Kina reagoi menjëherë duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në pozita për të bërë kërkesa të tilla ndaj Kinës.

“Partneriteti i bashkëpunimit të Kinës me Rusinë bazohet tek parimet e pavarësisë, moskonfrontimit dhe mosvënies në shënjestër të palëve të treta dhe është çështje e sovranitetit të dy vendeve të pavarura”, tha Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës

Deri më tani, mbështetja e Kinës ndaj Rusisë ka qenë politike, Pekini ka ndihmuar në parandalimin e përpjekjeve për të dënuar Moskën në Kombet e Bashkuara.

Por në një kohë që Shtetet e Bashkuara lëshuan paralajmërimin për autoritetet kineze, diplomati më i lartë i Kinës, Wang Yi po viziton sot Moskën, në kuadër të një turi 8 ditor në Europë. Ai pritet të takohet me zyrtarët rusë disa ditë pasi u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetiti, Antony Blinken, gjatë punimeve të konferencës së Mynihut. Pas takimit me diplomatin e lartë kinez, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara se Kina mund të furnizonte me armë Rusinë. Po ashti ai i bëri të qartë zotit Wang Yi se lëshimi i balonës kineze në Shtetet e Bashkuara ishte i papranueshëm dhe nuk mund të përsëritej. Kina deri tani nuk ka kërkuar falje. Media shtetërore kineze raportoi se Pekini u kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të ndryshonin qëndrim dhe të riparonin dëmet që i janë shkaktuar marrëdhënieve mes dy vendeve.

Inteligjenca ushtarake suedeze thotë se kërcënimi nga Rusia është rritur

Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë Ushtarake i Suedisë (MUST) thotë se Rusia përbën një kërcënim të qartë ushtarak në zonën e afërt të vendit.

“Rendi Evropian i Sigurisë siç e njohim ka pushuar së ekzistuari…dhe me këtë janë rritur edhe rreziqet për sigurinë suedeze”, tha Lena Hallin, kreu i MUST në një konferencë shtypi.

Suedia ka aplikuar për t'u bashkuar me aleancën ushtarake transatlantike të NATO-s në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, por oferta e saj për anëtarësim aktualisht po pengohet nga Hungaria dhe Turqia.

Hallin tha se ajo priste që Rusia të forconte aftësinë e saj ushtarake në zonën e afërt të Suedisë kur të ishte e mundur, në përgjigje të kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO.

 

Biden njofton për gjysmë miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

Presidenti amerikan, Joe Biden, sot njoftoi një ndihmë shtesë prej gjysmë miliardë dollarësh për Ukrainën gjatë një vizite të papritur në Ukrainë.

Biden bëri të ditur se paketa do të përfshijë më shumë pajisje ushtarake, duke përfshirë municion artilerie.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se ai dhe Biden folën për "armët me rreze të gjatë dhe armët që mund të furnizohen ende në Ukrainë, edhe pse nuk ishte furnizuar më parë".

Biden foli për qëndrueshmërinë e rezistencës ukrainase, shkruan CNN.

Biden u takua me Zelensky, si dhe zonjën e parë, Olena Zelenska, në pallatin presidencial të Kievit të hënën.

Vizita historike erdhi vetëm disa ditë para se të bëhet një vjet nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Zelensky falënderon Bidenin: Negociatat ishin shumë të frytshme

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot gjatë një deklarate të përbashkët me presidentin amerikan, Joe Biden, u shpreh "bota demokratike" duhet të "fitojë këtë luftë historike".

"Është vizita më e rëndësishme në të gjithë historinë e marrëdhënieve SHBA-Ukrainë", tha Zelensky, duke shtuar se "nënvizon rezultatet që kemi arritur tashmë".

"Sot negociatat tona ishin shumë të frytshme", u shpreh Zelensky.

Ai shtoi se rezultatet e kësaj vizite me siguri do të shihen dhe do të kenë reflektim në fushën e betejës.

“Vendimi i SHBA-së për t'i dhënë tanke Abrams Ukrainës në fillim të janarit ka kontribuar tashmë në forcimin e mbrojtjes së Ukrainës”, tha Zelensky, duke shtuar se ai dhe Biden folën gjithashtu për armë me rreze të gjatë.

"Unë e di se do të ketë një paketë shumë të rëndësishme mbështetjeje për Ukrainën... duke shërbyer një sinjal të qartë se agresioni i Rusisë nuk ka asnjë shans", tha Zelensky, shkruan BBC.

"Ukraina është mirënjohëse për ju, z.President", i tha Zelensky Bidenit.

Fjalimi i fuqishëm i Joe Biden në Ukrainë: Putinit i dolën llogaritë gabimisht, jemi të bashkuar dhe do të fitojmë

Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Ukrainë për një vizitë të papritur. Nga Kievi, presidenti amerikan ka dhënë një deklaratë të fuqishme duke konfirmuar përkrahjen e madhe ndaj Ukrainës.

Biden ka thënë se llogaritë e Putinit kanë dalur të gabuara dhe se Rusia do të humbë luftën.

“Ndërsa bota përgatitet për të shënuar një vjetorin e pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, unë jam sot në Kiev për t’u takuar me Presidentin Zelensky dhe për të rikonfirmuar angazhimin tonë të palëkundur dhe të palodhur ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Kur Putin filloi pushtimin e tij, ai mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë.

Por ai ka gabuar rëndë. Rusia donte të fshinte Ukrainën nga harta. Putin do ta humbas këtë luftë. Rusia deri më tani ka humbur gjysmën e territoreve të pushtuara në Ukrainë Ne do të dërgojmë armë shtesë, duke përfshirë municione artilerie, sisteme antitanke dhe radarë vëzhgimi për të mbrojtur popullsinë ukrainase kundër sulmeve ajrore” ka thënë Biden.

Panik në Kyiv, dëgjohen sirenat e sulmit ajror gjatë vizitës së Biden në Ukrainë

Sirenat e sulmit ajror tingëllojnë ndërsa presidenti i SHBA-ve, Joe Biden po zhvillon një takim me kryeministrin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Kiev.

BBC se, Joe Biden ka shkuar në Ukrainë në kuadër të 1 vjetorit të ofensivës ruse, e cila filloi më datë 24 shkurt.

Në momentin që dyshja largohet nga Katedralja e Shën Michael në qendër të Kyivit, dëgjohen sirenat e sulmit në të gjithë kryeqytetin.

BBC raporton se, vizita në Kyiv mbeti sekret për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Biden arrin në Kiev

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, arriti për një vizitë të paparalajmëruar në Kiev.

Është ky udhëtimi i tij i parë në Ukrainë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e këtij vendi, gati një vit më parë.

Fotografitë e shpërndara në mediat sociale shfaqën presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke pritur homologun e tij amerikan në qendër të kryeqytetit Kiev.

Ndonëse paraprakisht u dëgjuan sirena paralajmëruese, nuk u raportua për ndonjë sulm.

Zelensky tha se vizita e Bidenit "është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme e mbështetjes për të gjithë ukrainasit".

Biden tha se ndodhet në Kiev për të konfirmuar angazhimin e palëkundur të SHBA-së "ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës".

"Kur [presidenti rus, Vladimir] Putin nisi pushtimin gati një vit më parë, ai mendoi se Ukraina është e dobët dhe se Perëndimi është i përçarë. Ai mendoi se mund të na mposhtë, por e kishte gabim", tha Biden.

Ai shtoi se SHBA-ja po përgatit një dërgesë të re të "pajisjeve kritike" për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore.

Dy liderët u takuan për herë të fundit në dhjetor, kur Zelensky qëndroi për vizitë zyrtare në Uashington.

Asokohe, Biden e siguroi homologun e tij se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën “do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë nevojë”.

Paralajmëron Zelensky: Nëse forcat ruse humbasin në Donetsk, Ukraina mund ta fitojë luftën!

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky është shprehur se lufta mund të përshpejtohet pasi sipas tij, Rusisë i mungojnë burimet për të luftuar.

Ndërkohë situata në Donetsk është shumë e vështirë dhe se forcat ukrainase po u shkaktojnë humbje të jashtëzakonshme Rusisë, shkruajnë mediat italiane.

Presidenti ukrainas ka thënë se sa më shumë Rusia të humbasë në këto zona aq më shpejt Ukrainë do të jetë në gjendje t’i japë fund luftës dhe të arrijë fitore.

Sipas tij në rast se rusët humbasin në Donetsk, Ukraina mund ta fitojë luftën. Gjatë 24 orëve të fundit, forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulmet ruse në zonat e shtatë vendbanimeve në rajonet Kharkiv, Lugansk dhe Donetsk. Kjo u raportua nga Ukrainska Pravda, duke cituar Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës. 

Sipas Shtabit të Përgjithshëm, rusët po përqendrojnë përpjekjet e tyre kryesore për të kryer veprime sulmuese në drejtimet Kupyansk, Lymansk, Bakhmut, Avdiivka dhe Shakhtarsk.

Vizita e Biden në Poloni përcakton të ardhmen e konfliktit në Ukrainë, media greke: Presidenti amerikan ka në duar “bombën”!

Java e ardhshme pritet të zgjidhë një enigmë të fortë në skenën diplomatike globale. Teksa Vladimir Putin mbetet mbetet  i vendosur për pushtimin e Ukrainës, Perëndimi ndodhet para kushteve dhe kërkesave për të dërguar më shumë armatime në Ukrainë.

Vetëm disa ditë para përvjetorit të një viti të pushtimit rus më 24 shkurt, paralajmërimet për përshkallëzim të agresionit nga Moska po rriten.

Çështja thelbësore është nëse presidenti amerikan do të japë dritën jeshile për përforcim të mëtejshëm ushtarak të Ukrainës.

Po aq vendimtar është fjalimi i Putinit , që pritet të nesërmen, pasi do të sinjalizojë nëse ai do të përshkallëzojë armiqësitë dhe do të nisë një ofensivë pranverore, për të cilën Perëndimi ka paralajmëruar më herët, shkruan media greke.

Volodymyr Zelensky, nga ana e tij, vuri në dukje se ofensiva e re ka filluar, dhe duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Konferencës së Mynihut, e quajti Putinin njeri të pabesë, ndërsa kërkoi rritje të ndihmës ushtarake nga Perëndimi.

BE-ja është pozitive për dërgimin e ndihmës së re ushtarake në Ukrainë, siç u pa edhe në Mynih.

Berlini për herë të parë nuk qëndroi aq i dukshëm në forcimin e mbrojtjes dhe krijimin e një “ushtrie fleksibël”. Në një kohë kur Kontinenti i Vjetër ka miratuar në pjesën më të madhe një linjë të përbashkët për rritjen e pajisjeve ushtarake, e interpretuar duke dërguar, ndër të tjera, tanke dhe municione në Kiev, nga Zelensky dërgohen presione ndaj anëtarëve të Kongresit në mënyrë që administrata Biden të japë “dritën jeshile” për sigurimin e avionëve luftarakë F-16 . Megjithatë, presidenti amerikan deri një muaj më parë dha deklarata negative lidhur me këtë kërkesë, pasi i frikësohet një përshkallëzimi të paprecedentë.

Diskutimet dhe proceset e ethshme, prapaskenave vijnë përpara vizitës së Biden në Poloni, një vend që ka kritikuar ashpër Gjermaninë për vonesën e saj për të dërguar tanke Leopard në Kiev.

Varshava është në një pozicion gatishmërie për zgjerimin e agresionit rus, ndërsa pret rezultate të prekshme nga vizita e Bidenit, e cila përkthehet në një rritje të pranisë ushtarake në tokën polake. Presidenti amerikan mban në duar “bombën”, me vendimet e orëve në vijim, për sigurimin e avionëve luftarakë dhe zgjerimin e mbështetjes ushtarake, duke i lënë hapësirë ​​skenarëve të pasur.

Sytë e komunitetit ndërkombëtar do të jenë te fjalimi i Bidenit të hënën.

Pas takimit me homologun e tij polak Andriy Duda dhe liderët e vendeve të tjera aleate të Evropës Lindore, ai pritet të zbulojë brenda 24 orëve se si do të veprojë kundër Putinit dhe sa do t’i japë ndihmën ushtarake Ukrainës, ndërkohë që lufta po rezulton të jetë një e gjatë.

Nga ana tjetër, Putini dhe aleatët e tij po organizojnë plane të reja për të kapur Ukrainën lindore, duke vazhduar të bombardojnë Kherson , i cili është kthyer në një qytet fantazmë.

Me luftën të ndezur dhe hendekun midis Perëndimit dhe Rusisë në dukje të pakalueshëm, roli i ndërmjetësit tani po tentohet nga lideri bjellorus Alexander Lukashenko , i cili shprehu gatishmërinë e tij për të ngritur tryezën e dialogut në të cilën do të ulen Putin dhe Biden.

Instituti amerikan i Luftës: Probleme financiare, Putin ka dështuar t’i paguajë mercenarët

Kremlini ka dështuar t’iu paguajë mercenarët dhe ka dëmtuar përpjekjet e ardhshme të rekrutimit të luftëtarëve të rinj.

Mercenarët për Rezervën e Ushtrisë Luftarake Ruse (BARS) iu premtuan 50 deri në 120 euro në muaj për një kontratë trevjeçare, e cila ka filluar të zbatohet në vitin 2021, por nuk u paguan asnjëherë, tha Instituti amerikan për Studimin e Luftës (ISW).

Tani blogerët ushtarakë rusë pohojnë se është bërë e pamundur për rekrutët që të marrin dokumente që vërtetojnë se kanë luftuar gjatë pranverës dhe verës së vitit 2022, të cilat u kërkohen për të tërhequr pagesat, raporton skynews.

Ushtarët që luftuan rreth Svatove dhe Kreminna në muajin shtator të vitit 2022 gjithashtu nuk kanë marrë kompensim për lëndimet e tyre, pretendojnë blogerët.

Realizimi i pagesave të premtuara dhe angazhimeve të përfitimeve do të “shteronte buxhetet e shtetit rus”, njoftoi ISW.

“Mos interesimi i Kremlinit për të paguar formacionet vullnetare mund të nxit rusët që mos të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes ruse gjatë ose pas luftës për shkak të mosbesimit në rritje”, shtoi ai.

Kjo do ta detyrojë ushtrinë ruse të mbështetet më shumë në rekrutimin e detyruar ose të integrojë forca të parregullta.

ISW beson se kjo e fundit mund të tjetërsojë luftëtarët që përbëjnë ato forca të parregullta, të cilët shpesh udhëhiqen nga një përkushtim ideologjik ndaj nacionalizmit në vend të profesionalizmit ushtarak.

Ndryshe, Rusia tashmë ka një formacion paraushtarak i njohur si grupi Wagner ndërsa së fundi, aleati i presidentit rus, Vladimir Putin, Ramzan Kadyrov ka paralajmëruar themelimin e një grupi tjetër të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat