LIVE: “Nuk do gjakderdhje ruse”, ndalet Wagneri - Bideni flet me Macronin, Sunakun e Steinmeier për situatën në Rusi

Bota

LIVE: “Nuk do gjakderdhje ruse”, ndalet Wagneri - Bideni flet me Macronin, Sunakun e Steinmeier për situatën në Rusi

Nga: Bota sot Më: 24 qershor 2023 Në ora: 06:17 Përditësuar në ora: 15:48 më 24.06.2023
Ushatrët e Wagner-it

Cilat janë qëllimet e deklaruara të Prigozhin?

Duke folur në Rostov-on-Don më herët sot, udhëheqësi Wagner tha: "Ne kemi ardhur këtu dhe duam të marrim shefin e shtabit të përgjithshëm dhe [ministrin e mbrojtjes Sergei] Shoigu, përcjell Bota sot.

“Derisa ata të jenë këtu, ne do të qëndrojmë këtu dhe do të bllokojmë Rostovin dhe do të shkojmë në Moskë.

"Kemi ardhur këtu për t'i dhënë fund turpit të vendit ku jetojmë."

Ai sugjeron se veprimet e tij do të përfitojnë përpjekjet e luftës në Ukrainë në planin afatgjatë, edhe nëse zyrtarët e Kievit do të festojnë sot.

Më pas, Prigozhin duket se iu drejtua urdhrave të dhëna nga Kremlini javët e fundit për t'ia dorëzuar kontrollin e Wagner ministrisë ruse të mbrojtjes.

Nëse do të kishim folur me një ton normal, nuk do të kishim ardhur këtu me tanke”.

Bastiset prona e Prigozhin

Shërbimi i sigurisë ruse ka bastisur një pronë të grupit Wagner në Shën Petersburg, përcjell Bota sot.

Njoftimet e pakonfirmuara të mediave ruse thonë se ata gjetën 47 milionë dollarë para të gatshme në kuti kartoni pranë zyrës së Yevgeny Prigozhin.

Udhëheqësi i grupit paraushtarak tha se paratë ishin për të mbuluar pagat dhe shpenzimet e tjera për luftëtarët e tij Wagner.

Borrelli zhvillon bisedë telefonike me ministrat e Jashtëm të G7-ës për situatën e krijuar në Rusi

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka reaguar për situatën e krijuar në Rusi.

Borrelli, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ka zhvilluar një telefonatë me ministrat e Jashtëm të G7-ës për të shkëmbyer mendime rreth situatës në Rusi.

Ai shtoi se tashmë është aktivizuar qendra e reagimit ndaj krizave.

“Kishim një telefonatë me ministrat e Jashtëm të G7-ës për të shkëmbyer mendime për situatën në Rusi. Përpara Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të hënën, unë jam koordinuar brenda Bashkimit Evropian dhe kam aktivizuar qendrën e reagimit ndaj krizave”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Ai theksoi se mbështetja e BE-së për Ukrainën do të vazhdon pa ndërprerje.

Situata në Rusi, Putin bisedon me Lukashenkon

Presidenti rus Vladimir Putin në lidhje me situatën e krijuar në Rusi gjatë orëve të fundit ka informuar homologun e tij bjellorus.

Putin përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ka komunikuar me presidentin bjellorus Alexander Lukashenko për situatën në Rusi.

Ky është kontakti i parë me një udhëheqës të huaj që Putin ka pasur zhvilluar nga dita e premte kur filloi rebelimi i organizatës mercenare Ëagner, Yevgeny Prigozhin, e cila u rebelua kundër hierarkisë ushtarake ruse.

Presidenti rus e përshkroi atë në fjalimin e tij drejtuar popullit rus si një “rebelim të armatosur” dhe u zotua ta shtypë atë.

Zelensky: Dobësia e Rusisë është e qartë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se secili që zgjedh “rrugën e djallit, e shkatërron vetveten”.

Sipas tij dobësia e Rusisë është e qartë.

Ndonëse nuk e ka përmendur presidentin rus, Vladimir Putin me emër, Zelensky duket se e ka kritikuar liderin rus për dërgimin e “qindra mijëra njerëzve” në luftë.

Sa më gjatë që Rusia i mban trupat dhe mercenarët në Ukrainë “aq më shumë kaos, dhimbje dhe probleme do të ketë brenda vetes”, ka thënë Zelensky.

Mercenarë të Wagnerit pretendojnë kontrollin e bazës së dytë ushtarake

Transmetuesi britanik BBC është duke raportuar se pjesëtarë të Wagnerit po pretendojnë se e kanë fituar kontrollin e bazës ushtarake edhe në qytetin tjetër rus, Voronezh.

Më herët gjatë ditës, ky grup mercenar rus ka pretenduar se e ka fituar edhe kontrollin e qytetit në jug të Rusisë, Rostov-on-Don.

Sipas BBC-së në Voronezh ka shpërthyer një zjarr i madh në një depo të naftës.

Guvernatori rajonal, Alexander Gusev ka thënë se 100 zjarrfikës janë duke luftuar me flakët.

Voronezhi është në mes të qytetit Rostov-on-Don dhe kryeqytetit të Rusisë, Moskës.

Wagner raportohet se ka rrëzuar një aeroplan rus, dalin pamjet

Gjithnjë e më shumë informacione po publikohen se në Rusi kanë filluar luftime të ashpra midis ushtrise së rregullt ruse dhe mercenarëve të Wagner.

Yevgeny Prigozhin ka pohuar se këtë mëngjes kanë rrëzuar të paktën një helikopter.

Ndërkohë, mediat ruse kanë publikuar një video të rrëzimit të një aeroplani rus, i cili raportohet se është shkatërruar nga të besuarit e Prigozhinit.

“AN-24 u rrëzua në rajonin e Voronezh. Me siguri është goditur. Është rrëzuar afër fshatit Kantemirovka. Sipas informacioneve fillestare, tre persona kanë mbetur të vdekur”, njoftoi agjencia ruse e mediave Baza.

Theksojmë se presidenti rus, Vladimir Putin sot e ka akuzuar për tradhti shefin e Wagnerit, Prigozhinin.

Ky i fundit i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet për një grusht shteti ushtarak dhe se për synim ka vetëm largimin e ministrit rus të Mbrojtjes, Sergey Shoigu.

Kaos në Rusi, ushtria bombardon qytetet e veta: Frikë, zjarr dhe tym pas rebelimit nga Wagner

Situata është bërë shumë serioze për Putinin dhe ushtrinë ruse teksa mercenarët e Wagner kanë marrë tashmë edhe kontrollin e qytetit të rendësishëm Voronjezh duke iu drejtuar Moskës.

Pak minuta më parë, aviacioni rus bombardoi një depo karburanti në Voronjezh me qëllimin që ajo të mos binte nën kontrollin e Wagner, për ta përdorur më pas kundër forcave ruse.

Ka raportime se pas marrjes së këtij qyteti nën kontroll, Wagner po nisen në veri në drejtim të Moskës.

Putini e cilësoi këtë rrebelim si një thikë pas shpine për shtetin rus duke thënë se të gjithë ata që kanë ngritur krye do të marrin ndëshkimin e duhur, ndërsa forcat ruse kanë planifikuar edhe shkatërrimin e tre urave të rendësishme që lidhin kryeqytetin me pjesën jugore të vendit me qëllim ndalimin e futjes së forcave Wagner në veri.

Raportohet se aviacioni rus po bombardon autokolonat e Wagner qëjanë nisur drejt Moskës pasi morën kontrollin e rajonit të Rostov dhe Voronjezh.

Më shumë se një grusht shteti i mirëoganizuar, ky duket si një rrebelim i Yevgeniy Prigozhin, ndaj ushtrisë ruse, të cilët i akuzon për vdekjen e qindra luftëtarëve të tij.

Pse?

Mediat e huaja raportojnë se një numër i madh ushtarësh rusë janë duke dorëzuar garnizonet e tyre te Wagner, ndërsa pikëpyetja më e madhe tani lidhet me frontin në Ukrainë, pasi furnizimet e rusëve mund të mbarojnë për çështje ditësh duke bërë që ukrainasit të fitojnë avantazhin në front.

Gjithçka nisi disa javë më parë teksa drejtuesi i Wagner Yevgeny Prigozhgin akuzoi fillimisht shefin e Shtabit të Përgjitshëm të ushtrisë ruse se nuk po i furnizonin me armatimin e duhur për të luftuar ukrainasit.

Më pas, kur morën Bakhmutin, Wagnerat u urdhëruan që të tërhiqeshin na kazerma pasi qyteti ukrainas do të kalonte nën kontrollin e ushtrisë së rregullt ruse. Ndërkohë që tërhiqeshin, forcat Wagner u bombarduan me në rrugën e kthimit, gjëpër të cilën Prigozhin akuzoi ushtrinë ruse.

Këtu nisi edhe rrebelimi i Wagner kundër ushtrisë ruse.

Putin zotohet për ndëshkim të mercenarëve të Wagnerit të akuzuar për rebelim

Udhëheqësi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, është zotuar se do t’i provojë të gjitha mënyrat për të rrëzuar udhëheqësinë ushtarake të Rusisë, disa orë pasi Kremlini e ka akuzuar atë për “rebelim të armatosur”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë të shtunën kombit se, disa rusë janë “mashtruar në aventurë kriminale” – pa i përmendur në mënyrë specifike luftëtarët e Wagnerit.

Ai ka thënë se e ardhmja e Rusisë është rrezikuar, duke i përshkruar veprimet e kryengritësve si “thikë pas shpine”.

Pa e përmendur as emrin e Prigozhinit, Putin ka thënë se “ambiciet” e mëdha, kanë çuar në “tradhti".

Presidenti rus ka paralajmëruar për “ndëshkim të pashmangshëm” për ata që e ndajnë shoqërinë ruse.

Ai ka thënë se gjendja shtetërore kundër terrorizmit është duke u zbatuar në Moskë dhe në disa rajone tjera.

Putin e ka përfunduar adresimin duke thënë se i ka marrë të gjitha vendimet e duhura për t’u përballur me krizën, dhe është zotuar se do ta mbrojë Rusinë.

Ndërkohë, Prigozhin ka thënë më 24 qershor se forcat e tij janë duke e pushtuar selinë e ushtrisë ruse në qytetin Rostov-on-Don, dhe do ta marrin kontrollin e zonave ushtarake dhe aeroportit të këtij qyteti.

Sipas tij, burrat e Wagnerit do ta shkatërrojnë secilin që u del përpara.

“Ne jemi brenda selisë ushtarake, është ora 7:30 e mëngjesit”, ka thënë Prigozhin.

“Zonat ushtarake në Rostov, përfshirë një aeroport, janë nën kontroll”, duke shtuar se pajisjet luftarake janë duke u nisur si zakonisht në luftën kundër Ukrainës, dhe se forcat e tij e kanë marrë kontrollin e aeroportit “që aeroplanët të mos na sulmojnë neve, por ukrainasit”.

Rostov-on-Don është baza kryesore logjistike për operacionet luftarake të Rusisë në Ukrainë.

Prigozhin ka thënë se përkrahet nga mijëra ushtarë që ta rrëzojë nga pushteti ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit të forcave të armatosura ruse, Valery Gerasimov.

Guvernatori lokal u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të qëndrojnë në ambiente të brendshme.

Prigozhin ka pretenduar se forcat e tij e kanë rrëzuar një helikopter ushtarak rus, që “ka nisur zjarr ndaj një konvoji me civilë”.

Ai nuk ka dhënë hollësi për lokacionin dhe këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Grupi Wagner është një ushtri private mercenarësh, që është duke luftuar bashkë me ushtrinë e rregullt ruse në Ukrainë.

Tensionet mes dy ushtrive janë rritur rreth mënyrës se si është duke u zhvilluar lufta në Ukrainë – e nisur nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Të premten, Prigozhin, 62-vjeçar, e ka akuzuar ushtrinë për lansim të sulmeve vdekjeprurëse me raketa kundër trupave të tij dhe është zotuar për ndëshkim.

Autoritetet ruse kanë mohuar të kenë kryer sulme të tilla, dhe kanë kërkuar që Prigozhin t’iu japë fund “veprimeve ilegale”.

Prigozhin ka thënë se udhëheqësia “djallëzore” në ushtrinë ruse duhet të ndalohet dhe është zotuar se “do të marshojë për drejtësi”.

“Ata që kanë vrarë pjesëtarët tanë, dhe që kanë marrë dhjetëra mijëra jetë të ushtarëve rusë [në luftën në Ukrainë] do të ndëshkohen”, ka thënë ai përmes një audio-mesazhi të publikuar në platformën Telegram.

“U kërkoj të mos rezistoni. Secili që reziston do të konsiderohet kërcënim dhe do të shkatërrohet”.

“Pushteti në presidencë, qeveri, polici dhe roje kufitare, do të punojë si zakonisht. Ky nuk është puç ushtarak, por marsh për drejtësi. Veprimet tona nuk përfshijnë trupat ushtarake, në asnjë mënyrë”.

Siguria në Moskë është rritur në orët e vona të së premtes, kanë raportuar mediat ruse.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke e monitoruar situatën dhe do të konsultohet me aleatët.

Gjenerali Sergei Surovikin, zëvendësshef i forcave ruse në Ukrainë - udhëheqësinë e të cilit Prigozhin e ka lavdëruar në të kaluar - i ka bërë thirrje shefit të Wagnerit “që t’i ndalojë konvojet dhe t’i kthejë në baza”.

“Ne e kemi një gjak, ne jemi luftëtarë. Mos bjerni në duart e armikut në këtë kohë të vështirë për shtetin tonë”.

Një tjetër komandant i lartë rus, Vladimir Alekseyev, i ka përshkruar veprimet e shefit të Wagnerit si “thikë pas shpine ndaj shtetit dhe presidentit”.

Mediat ruse kanë thënë se Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) në Rusi, e ka hapur një rast penal kundër Prigozhinit, duke e akuzuar për “thirrje për rebelim të armatosur”, dhe tentime për të nisur konflikt të armatosur civil në Rusi.

Raportohet se FSB-ja u ka bërë thirrje luftëtarëve të Wagnerit që të mos pranojnë urdhrat e Prigozhinit dhe të marrin masa për kapjen e tij.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka thënë se “të gjitha raportimet e Prigozhinit, të shpërndara në rrjetet sociale” për sulme ruse në kampet e Wagnerit “nuk janë të vërteta dhe janë provokime”.

Këto deklarata vijnë pas një video-mesazhi të publikuar nga Prigozhini në maj, i cili është parë atëbotë i rrethuar me trupa të ushtarëve të vdekur.

Në atë material, ai i ka kritikuar shefat e ushtrisë së Rusisë, që nuk po i ofrojnë WagnerIt municion të mjaftueshëm në luftën kundër Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

​Putin: Shefi i Wagnerit “tradhtoi” Rusinë për “ambicie personale”

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është zotuar të shtunën se do t’i ndëshkojë kryengritësit, pasi grupi mercenar Wagner, ka thënë se do ta rrëzojë udhëheqësinë e ushtrisë ruse.

Në fjalimin e mbajtur ai ka kërkuar konsolidimin e të gjitha forcave dhe ka thënë se veprimet ishin tradhti dhe “një thikë në shpinë ndaj popullit rus”, pas deklaratave të fundit të shefit të Wagnerit Yevgeny Prigozhin.

Pa e përmendur emrin e Prigozhinit, Putin është zotuar për t’i ndëshkuar ata që janë mbrapa rebelimit.

Ai e ka pranuar se situata në Rostov-on-Don – qytet ku janë stacionuar pjesëtarë të Wagnerit – është e vështirë. Wagner ka pretenduar se e kontrollon këtë qytet rus afër kufirit me Ukrainën, ku banorëve u është thënë të qëndrojnë brenda.

Në orët e vona të së premtes, Rusia e ka rritur sigurinë në të gjitha aspektet: e ka kufizuar internetin dhe tanket ushtarake janë parë nëpër rrugët e Moskës.. Prigozhin e ka akuzuar ushtrinë se ka nisur sulme vdekjeprurëse ndaj forcave të tij në Ukrainë – ku trupat e Wagnerit luftojnë përkrah ushtrisë ruse. Moska ka hedhur poshtë diçka të tillë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat