LIVE: “Nuk do gjakderdhje ruse”, ndalet Wagneri - Bideni flet me Macronin, Sunakun e Steinmeier për situatën në Rusi

Bota

LIVE: “Nuk do gjakderdhje ruse”, ndalet Wagneri - Bideni flet me Macronin, Sunakun e Steinmeier për situatën në Rusi

Nga: Bota sot Më: 24 qershor 2023 Në ora: 06:17 Përditësuar në ora: 10:11 më 24.06.2023
Ushatrët e Wagner-it

Policia mësyn në selinë e Wagner në Shën Peterburg

Forcat ruse të rendit mësohet se kanë kryer një bastisje në zyrën e Ëagner në Shën Petersburg.

“Zbatuesit e ligjit kanë hyrë në Qendrën PMC Wagner në rrugën Zolnaya të Shën Petersburgut,” thuhet në mediat vendase.

Sipas mediave dy autobusë me polici të trazirave dhe roje kombëtare kanë mbërritur në ndërtesë, raportohet se kanë hyrë së bashku me njerëz me rroba civile.

Sipas informacioneve pretendohet se “njerëz me maska ​​dhe me pushkë automatike” janë vendosur pranë urës Blagoveshchensky të Shën Petersburgut, ku ndodhen një hotel dhe një restorant i lidhur me shefin e Ëagner, Yevgeni Prigozhin.

Prigozhin ia mësyn Moskës, Putin i drejtohet kombit rus: Kjo është tradhti, thikë pas shpine për Rusinë

Presidenti rus, Vladimir Putin tha në një fjalim të jashtëzakonshëm televiziv të shtunën se “rebelimi i armatosur” nga forcat mercenare të grupit Wagner përbënte tradhti dhe se do të ndëshkohen ata që drejtojnë armët kundër ushtrisë ruse.

Putin shtoi se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur Rusinë dhe se do të ndërmerren “veprime të fuqishme” për të stabilizuar situatën në Rostov-on-Don.

Udhëheqësi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin deklaroi se forcat që drejton kanë marrë kontrollin e të gjitha njësive ushtarake në qytetin jugor të Rusisë.

Putin u kërkoi rusëve të jenë të bashkuar dhe se ka një përpjekje për t’i thyer në luftën kundër ukrainasve, raporton skynews.

“Kjo është thikë pas shpine”, tha ai. “Kjo është tradhti, ne do ta mbrojmë atdheun”, shtoi presidenti dhe e krahasoi situatën aktuale me atë të Luftës së Parë Botërore.

“Përgjigja do të jetë e ashpër. Unë po bëj gjithçka për t’iu përgjigjur këtij sulmi dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë. I bëj thirrje të gjithëve që në asnjë mënyrë të mos marrin pjesë në këtë”, tha lideri rus.

Presidenti rus paralajmëron gjithashtu “dënime të ashpra” për ata që përçajnë shoqërinë ruse.

Ndryshe, Putin nuk e përmendi Prigozhinin ose Wagnerin në asnjë moment gjatë fjalimit të shkurtër, por foli ekskluzivisht për rebelimin.

Prigozhin lajmërohet nga rajoni rus: Aeroporti dhe objektet ushtarake janë nën kontrollin tonë

Shefi i grupit mercenar, Wagner, Yevgeny Prigozhin deklaroi se forcat që drejton tashmë kontrollojnë objektet kryesore ushtarake në qytetin jugor rus, Rostov-on-Don.

“Objektet ushtarake të Rostovit, përfshirë aeroportin, janë nën kontrollin tonë”, tha Prigozhin në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Ai tha se forcat e tij kontrollojnë selinë e ushtrisë ruse në jug të vendit në një qytet me mbi një milion banorë në zonën kufitare me Ukrainën.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë nuk ka komentuar ende pretendimet e kreut të Wagnerit ndërsa është paralajmëruar se kombit rus do t’iu drejtohet presidenti Vladimir Putin.

Prigozhin tha gjithashtu në video se aeroplanët luftarakë vazhduan të ngriheshin nga aeroporti i Rostovit siç ishte planifikuar, “Aeroplanët … do të ngrihen siç ishte planifikuar drejt caqeve ukrainase”.

Prigozhin pretendoi më parë se ushtarët rrëzuan një helikopter ushtarak që po qëllonte në një kolonë civile. Ai nuk dha prova dhe ato nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Prigozhin ia mësyn Moskës, merr nën kontroll qytetin rus Rostov-on-Don

Yevgeny Prigozhin ka pohuar se së bashku me trupat e tij ka arritur në Rostov-on-Don.

Në pamjet e publikuara në mediat sociale, shefi i grupit mercenar rus, Wagner duket se gjendet në qendër të qytetit rus.

E vendosur në Rusinë jugore, ajo është shtëpia e selisë ushtarake ruse që mbikëqyr luftimet në Ukrainë, raporton skynews.

Banorëve të rajonit të Rostovit në kufi me Ukrainën u është thënë të qëndrojnë brenda sepse forcat e sigurisë po veprojnë në zonë.

Prigozhin është zotuar të largojë udhëheqjen e ushtrisë ruse ndërsa ia ka mësy Moskës pas largimit nga Ukraina.

Ndryshe, Wagner kishin luftuar në Ukrainë së bashku me ushtrinë ruse, por që në mungesë të armëve, janë larguar nga fronti i luftës në shtetin ukrainas.

Moska rrit sigurinë pasi shefi i Wagnerit akuzohet për nxitje të rebelimit

Kreu i grupit mercenar rus, Wagner po hetohet për nxitje të rebelimit, pasi akuzoi ushtrinë ruse për një sulm vdekjeprurës me raketa kundër trupave të tij.

Yevgeny Prigozhin tha se “e keqja” në udhëheqjen ushtarake duhet të ndalet dhe u zotua se “do të marshojë për drejtësi”.

Autoritetet e mohuan sulmin dhe kërkuan nga Prigozhini që t’i ndalojë “veprimet e paligjshme”.

Presidenti rus, Vladimir Putin është njoftuar për situatën dhe po merren të gjitha masat e nevojshme, tha zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, shkruan Rel. Ngjarja paraqet një përshkallëzim befasues të grindjeve brenda Rusisë. Raportohet se u rrit siguria në ndërtesat qeveritare dhe lokacione të rëndësishme në Moskë.

Grupi Wagner është një organizatë paraushtarake që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Në muajt e fundit, Prigozhin është bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.

Në një audio-mesazh, të postuar në platformën e mediave sociale, Telegram, ai tha se “një numër i madh” i luftëtarëve të tij është vrarë në një sulm të ushtrisë ruse në një kamp të Wagnerit, ndonëse nuk nxori asnjë provë që do t’i mbështeste deklaratat e tij.

“Ata që vranë djemtë tanë dhe dhjetëra mijëra ushtarë rusë [në luftën në Ukrainë], do të ndëshkohen. Ju kërkoj të mos rezistoni. Kushdo që e bën këtë, do të konsiderohet kërcënim dhe do të shkatërrohet”, tha Prigozhin.

“Pushteti presidencial, Qeveria, policia dhe garda ruse do të punojnë si zakonisht. Ky nuk është një grushtshtet ushtarak, por një marshim për drejtësi”, shtoi Prigozhin.

Zëvendësshef i forcave ruse në Ukrainë, Gjenerali Sergei Surovikin i bëri thirrje atij që “t’i ndalojë autokolonat dhe t’i kthejë ato në bazat e tyre”.

“Ne jemi të një gjaku”, tha ai në një video-mesazh. “Nuk duhet të luani në duart e armikut, në një kohë të vështirë për vendin tonë”, u shpreh Surovikin.

Media shtetërore ruse raporton se FSB-ja - shërbimi i sigurisë në vend - ka hapur rast penal kundër Prigozhinit, duke e akuzuar atë për “thirrje për rebelim të armatosur” dhe përpjekje për fillimin e konfliktit të armatosur civil në Rusi.

FSB-ja raportohet se u ka bërë thirrje luftëtarëve të Wagnerit që të mos u binden urdhrave të Prigozhinit dhe të ndërmarrin hapa për ta arrestuar atë, shkruan Rel. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha përmes një deklarate se të gjitha raportet e Prigozhinit - të përhapura në mediat sociale - për sulmet ruse në kampet e Wagnerit, “nuk janë të vërteta”/

Shtëpia e Bardhë lëshoi, po ashtu, një deklaratë të shkurtër për zhvillimet në Rusi.

“Ne po monitorojmë situatën dhe do të konsultohemi me aleatët dhe partnerët për këto zhvillime”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adam Hodge.

Prigozhin ka qenë dikur aleat i Putinit. Në janar të këtij viti, SHBA-ja e ka shpallur grupin e tij, Wagner, organizatë kriminale transkombëtare, për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Prigozhin, po ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.

Rebelimi i Prigozhin mund të shkaktojë krizën më serioze të brendshme të Putinit

Një rebelim i jashtëzakonshëm i kreut të grupit mercenar rus Wagner mund të shkaktojë krizën më të rëndë të brendshme për Vladimir Putin që nga pushtimi i tij në shkallë të plotë të Ukrainës, shkruan redaktori i sigurisë dhe mbrojtjes i Sky, Deborah Haynes. Yevgeny Prigozhin, i cili ka qenë një aleat i ngushtë i presidentit, akuzoi të premten ushtrinë ruse për vrasjen e njerëzve të tij në Ukrainë, edhe pse ata duhet të luftojnë në të njëjtën anë.

Ai kërkoi një "marshim për drejtësi" kundër gjeneralëve të lartë, duke këmbëngulur se ky nuk ishte një grusht shteti ushtarak, megjithëse veprimet e tij i shtynë shërbimet e sigurisë të hapnin një hetim penal. Me dramën që po shpaloset ende të shtunën, nuk ishte e mundur menjëherë të matej ndikimi i shpërthimit verbal të shefit të Wagner-it mbi regjimin.

Megjithatë, siguria është forcuar në Moskë dhe zoti Putin ishte duke u informuar për ngjarjet. Për një president që mbështetet te stabiliteti dhe bindja për të qëndruar në pushtet, ky shpërthim me siguri do të jetë minimalisht shqetësues dhe mund të çojë në destabilitet më të gjerë, megjithëse kjo është diçka që shërbimet e sigurisë do të përpiqen ta pengojnë.

Një faktor tjetër që mbetet i turbullt është se sa mercenarë do të dëgjojnë thirrjen për veprim. Një komandant i lartë rus tashmë ka hyrë në mediat sociale për t'u bërë thirrje luftëtarëve të Wagner - shumë prej tyre të dënuar me pak besnikëri ndaj Prigozhin - të injorojnë fjalët e tij.

Një gjë është e sigurt, përshkallëzimi i luftimeve të brendshme nga pala ruse do të jetë një nxitje për forcat e Ukrainës, të cilat me gjasë do të kërkojnë të shfrytëzojnë rrëmujën ndërsa përparojnë një kundërofensivë të madhe.

Kreu i Wagner nuk është i panjohur për polemika. Gjatë 16 muajve të fundit, ai shpesh ka sulmuar liderët më të lartë ushtarakë të Rusisë, konkretisht Sergei Shoigu, ministri i mbrojtjes dhe gjenerali Valeriy Gerasimov, kreu i forcave të armatosura të Rusisë, duke i akuzuar ata për paaftësi për përpjekjet e luftës në Ukrainë.

Marrëdhënia e tij e ngushtë me presidentin – z. Prigozhin u quajt “kuzhinieri i Putinit”, sepse bizneset e hotelierisë që ai zotëronte gjithashtu i siguronin ushqim Kremlinit – mendohet se e kishin mbrojtur atë, duke i mundësuar atij të bënte vërejtje që do të kishin çuar të tjerët në burg. Por ky akt i fundit sfidues duket se ka kaluar kufirin.

Kremlini hedh poshtë paralajmërimin e Macron për rolin e Rusisë në Afrikë

Kremlini hodhi poshtë komentet e presidentit francez Emmanuel Macron se Rusia po luante një rol destabilizues në Afrikë, duke përmendur dislokimin e grupeve mercenare nga Moska atje.

“Rusia po zhvillon marrëdhënie miqësore, konstruktive të bazuara në respektin reciprok dhe shqetësimin për problemet e njëri-tjetrit,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Marrëdhëniet tona me të gjitha vendet afrikane nuk janë të drejtuara dhe nuk mund të drejtohen kundër vendeve të treta,” shtoi ai.

Macron kishte akuzuar më herët Rusinë se ishte “një forcë destabilizuese në Afrikë”, duke thënë se ndikimi i Moskës në rajon në përgjithësi nuk luante një rol të dobishëm për komunitetin ndërkombëtar.

“Kjo është një forcë destabilizuese në Afrikë përmes milicive private që kryejnë abuzime ndaj popullatës civile,” tha Macron në një intervistë me median franceze në periferi të një samiti global që kërkon të riparojë sistemin financiar ndërkombëtar.

“Rusia me dëshirën e saj e ka vënë veten në një situatë në të cilën nuk respekton më ligjin ndërkombëtar, duke u bërë në thelb një nga të vetmet fuqi koloniale të shekullit të 21-të, duke zhvilluar një luftë perandorie kundër fqinjit të saj, Ukrainës”, shtoi ai .

Grupi mercenar rus Wagner dhe lideri i tij biznesmen Yevgeny Prigozhin janë sanksionuar në mënyrë të përsëritur nga Bashkimi Evropian, përfshirë për abuzime të të drejtave të njeriut në Afrikë.

Prigozhin kishte ngrirë asetet e tij në Bashkimin Evropian në vitin 2020 dhe u vendos në listën e zezë të vizave për vendosjen e luftëtarëve të Wagner në Libinë e shkatërruar nga lufta, një vendim që ai e apeloi pa sukses.

Një samit Rusi-Afrikë, i dyti në seri, do të mbahet në Shën Petersburg në fund të korrikut.

Vendet afrikane janë goditur keq nga rritja e inflacionit të shkaktuar nga lufta, veçanërisht në drithërat, nga të cilat ato janë importuesit kryesorë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat