LIVE: Rusia nuk ndal bombardimet – Putini vjen me urdhrin e ri për rusët!

Bota

LIVE: Rusia nuk ndal bombardimet – Putini vjen me urdhrin e ri për rusët!

Nga: Bota sot Më: 7 gusht 2023 Në ora: 06:29 Përditësuar në ora: 21:48 më 07.08.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Dy të vrarë nga bombardimet ruse të Pokrovsk

Të paktën dy civilë janë vrarë nga bombardimet ruse të Pokrovsk në rajonin e Donetskut, sipas Andriy Yermak, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës.

Raportohet se raketa ka goditur një ndërtesë banimi, ku janë shkatërruar disa banesa.

Shumë civilë të plagosur janë raportuar, me një numër njerëzish që besohet të jenë nën rrënoja.

"Për momentin dihet për dy persona të vdekur - një grua dhe një burrë. Katër të plagosurit u morën me ambulancë. Ekipet e shpëtimit dhe mjekët po punojnë", tha Yermak në kanalin e tij Telegram.

Më poshtë është një video e postuar në X, e njohur më parë si Twitter, nga skenat.

Putin urdhëron që të prodhohen më shumë dronë sulmues

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar shefin e konglomeratit shtetëror të mbrojtjes Rostec të rrisë prodhimin e dronëve sulmues, përcjell Bota sot.

Në pamjet televizive, Putin shihet duke iu drejtuar kreut të Rostec, Sergei Chemezov, gjatë një takimi.

Gjatë diskutimit të tyre, udhëheqësi rus bëri thirrje që të rritet prodhimi i modeleve ruse të dronëve si Kub dhe Lancet.

Në një deklaratë të veçantë, Chemezov zbuloi se Rostec do të fillojë prodhimin e aeroplanit të pasagjerëve MC-21 deri në vitin e ardhshëm.

Putin theksoi se prodhuesit rusë tani mund të zënë një hendek në treg pasi kompanitë e huaja tërhiqen.

Parashikimi i Kremlinit: Putin do t’i fitojë lehtësisht zgjedhjet e reja me mbi 90 % të votave

Një vit para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Rusi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha New York Times se presidenti Vladimir Putin, “do të rizgjidhet vitin e ardhshëm me mbi 90 për qind të votave”.

Putin, që ka qenë në pushtet si kryeministër dhe president që nga fundi i vitit 1999, gjerësisht ka larguar elementet e demokracisë dhe lirisë që u vendosën tri dekada më parë pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Gjatë sundimit të tij, ai ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, që është konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në intervistën më 6 gusht, Peskov bëri një deklaratë befasuese për zgjedhjet presidenciale ruse, duke thënë se “nuk është demokraci, është një burokraci e kushtueshme”.

Putin, i cili ka përdorur shtypjen më të ashpër ndaj opozitës ruse që nga kohët sovjetike, pritet t'i fitojë lehtësisht zgjedhjet.

Ai ka burgosur kundërshtarët, ka nënshtruar sistemin politik dhe ka shtypur lirinë e medias, duke i shndërruar zgjedhjet në një farsë të mbushjes së kutive të votimit dhe mashtrimeve zgjedhore.

Megjithatë, Kremlini ka vazhduar të insistojë se zgjedhjet ruse janë të lira. Pas publikimit të artikullit nga New York Times më 6 gusht, Peskov pretendoi se është keqcituar nga kjo media amerikane.

Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve RBK më 6 gusht, Peksov tentoi të riformulonte komentet e tij, duke thënë se “teorikisht” Rusia nuk ka nevojë të mbajë zgjedhje presidenciale sepse “është e qartë se Putin do të rizgjidhet”.

Është e paqartë se kush do ta sfidojë në zgjedhje Putinin, në një mjedis ku pothuajse çdo kritikë ndaj udhëheqësve rusë, çon në hetime.

Javën e kaluar, Rusia dënoi me 19 vjet burgim liderin opozitar, Aleksei Navalny, i cili do të jetë prapa grilave deri në vitin 2040.

Navalny, që ka hetuar korrupsionin në nivelet më të larta të Qeverisë ruse, u dënua nën akuza për ekstremizëm. Ai tha se akuzat ndaj tij janë të pabaza.

Ai është vetëm njëri nga disa liderë të opozitës që janë dënuar me burime të gjata për akuzat të sajuara që kur Putini nisi pushtimin e Ukrainës 17 muaj më parë.

Vladimir Putinit po i vjen fundi, presidenti rus do të largohet brenda një viti, ja skenari më i tmerrshëm

Ai ka dominuar Rusinë, pa lënë aspak vend për kundërshti për më shumë se 20 vjet, duke e çuar vendin në një luftë shkatërruese me Ukrainën, por një ish-spiun britanik beson se “mbretërimi” i Vladimir Putin mund të përfundojë shumë shpejt.

Ish-spiuni britanik, i cili shkroi një dosje për Donald Trump dhe ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, thotë se beson se Vladimir Putin do të largohet nga pushteti "brenda vitit të ardhshëm".

Christopher Steele, i cili ishte pjesë MI6 në Londër midis 2006 dhe 2009, the për “Sky News” se Perëndimi duhet "të përgatitet për fundin e epokës së Putinit ". Përçarjet në kontrollin e presidentit rus u ekspozuan gjatë grushtit të shtetit të dështuar të Wagner-it, dhe Steele ka përmendur disa skenarë të mundshëm që mund t'i japin fund mbretërimit të tij.

Vdekja e Putin

Thashethemet për shëndetin e Putinit kanë qenë të shumta, duke përfshirë edhe se ai është i sëmurë rëndë me kancer. Steele thotë se sëmundja nga e cila vuan Putin, nëse vuan nga ndonjë e tillë, është e paqartë, por "burime shumë të besueshme thonë se ai ka qenë i sëmurë për disa kohë", duke rritur mundësinë që ai mund të vdesë papritur.

Është gjithashtu e mundur që ai të vritet, ndoshta nga element brenda Kremlinin, ose nga një komplot nga jashtë Rusisë. Steele thotë se ky do të ishte skenari më i keq për Perëndimin pasi "të gjitha bastet do të prisheshin". Drejtori i FSB-së, Aleksandër Bortnikov mund të jetë një nga favoritët për të marrë pushtetin në një skenar të tillë, thotë ish-spiuni.

Humbja në Ukrainë

Putin besonte se një fitore e shpejtë ishte e mundur kur ai pushtoi Ukrainën: por realiteti ka qenë shumë ndryshe, me shumë vdekje dhe demoralizim mes trupave ruse. Ish-spiuni britanik thotë se përparimi i ngadaltë i kundërofensivës së Ukrainës mund t'i ketë dhënë Putinit “kohë të marrë frymë", por shqetësimi për pushtimin dhe pasojat e sanksioneve mbi ekonominë ruse dhe të pasurit dhe të fuqishmit mund të jetë thelbësor.

Steel beson se ky është skenari më i mundshëm, që të rrëzohet Putin dhe në vend të tij të vendoset një oligark ose zyrtar i lartë sigurie, i gatshëm për të negociuar për t'i dhënë fund luftës realisht me Perëndimin." Ai thotë se "ylli në rritje" Aleksey Dyumin, guvernatori i rajonit Tula, është një pasardhës i mundshëm. Të tjerët janë oligarku Igor Sechin, me nofkën “Darth Vader” si dhe ish-kryeministri rus Viktor Zubkov.

Tërheqja e Putin

Pas më shumë se 20 vjetësh në pushtet dhe me presione në rritje, 70-vjeçari mund të vendosë se është koha të largohet dhe të japë dorëheqjen në zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për në mars 2024.

Steele thotë se zgjedhjet i japin atij një "mundësi të jashtëzakonshme" dhe se Putini mund të zgjedhë të mbështesë një pasardhës si Dmitry Patrushev, djali i sekretarit të Këshillit të Sigurimit rus, ose Aleksey Dyumin.

Ish-njeriu i MI6 thot se si pjesë e një marrëveshjeje për të hequr dorë, Putini mund të kërkojë gjithashtu imunitet për të dhe familjen e tij, në mënyrë të ngjashme me marrëveshjen e arritur në 1999, në ratsin e Boris Jelcin.

Grusht-shteti

Përpjekja për grusht shteti nga mercenarët e Wagner-it u ndalua nga udhëheqësi i saj përpara se trupat të arrinin në Moskë. Por Steele thotë se një tjetër hipotetike do të ishte një komplot i orkestruar nga oficerë të lartë nga forcat e armatosura kryesore të vendit "të zhgënjyer nga dështimet dhe humbjet në Ukrainë".

Ai thotë se kjo mund të rezultojë në një regjim kalimtar me një figurë të tillë si gjenerali Surovikin, komandant i forcave ajrore ruse, si president. Megjithatë, ai e vlerëson këtë skenar si "shumë të pamundur".

Kryengritje popullore

Një tjetër rrugë më pak e mundshme që Putini mund të rrëzohej do të ishte një kryengritje, ose nga një figurë nacionaliste si shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, ose një veprim demokratik nga mbështetësit e liderit të opozitës ruse të burgosur, Alexei Navalny.

Ish-spiuni thotë se kjo do të ishte "shumë e paparashikueshme dhe ndoshta e përgjakshme në afat të shkurtër", me rezultate dukshëm më të favorshme për Perëndimin dhe Ukrainën nëse figurat demokratike do të ishin në gjendje të merrnin kontrollin.

Dokumentet sekrete zbulojnë skandalin, si Gjermania merrte para fshehurazi nga Rusia dhe vononte armët për Ukrainën

Përfaqësuesit e AfD-së në Bundestag, ndërsa përgatisnin një padi kundër qeverisë gjermane për shkak të dorëzimit të armëve në Ukrainë, prisnin ndihmë financiare nga Moska.

Kjo është “bomba” e “Spiegel”, që duket se ka hedhur dritë mbi një fenomen që mund të ketë zënë vend në gjithë Europën. Ishte portali javor dhe kërkimor gjerman “The Insider”, ai që publikoi dokumente që vërtetojnë lidhjet e AfD-së së ekstremit të djathtë me Rusinë.

Aktivisti Vladimir Sergienko, 52 vjeç jeton në Berlin dhe punon për përfaqësuesin e AfD Eugen Schmidt, por sipas dokumenteve, ai është në fakt një “ndërmjetës” mes Moskës dhe ekstremit të djathtë gjerman. Ai flet shkëlqyeshëm rusisht, shpesh shfaqet në televizionin rus. Sergiyenko bëri disa udhëtime në Moskë duke kërkuar para për AfD, me qëllim që që të vononte dërgimin e armëve gjermane në Ukrainë, sipas “Spiegel”.

Marrëveshja

Gazeta ka marrë dokumente, mesazhe dhe e-mail nga punonjës dhe aktivistë të AFD-së, mes të cilave ka biseda lidhu me një person në Moskë.

Thuhet se ai mund të jetë një spiun rus, i dyshuar i shërbimeve të inteligjencës evropiane. Bazuar në listën e telefonatave, shihet se ky person komunikon me një celular që e përdor pothuajse ekskluzivisht për biseda me Sergienkon. Kjo është një taktikë e zakonshme mbulimi e përdorur nga shërbimet e inteligjencës ruse. Dokumentet tregojnë se AfD shpresonte në ndihmën ruse, në këmbim të vonesave të armëve për Kievin.

Sipas dokumenteve, AfD donte të punësonte një firmë të njohur ligjore që kërkon 450 euro në orë për të ngritur një padi kundër dërgesave gjermane të armëve. Ndoshta do të kërkonte 25 mijë euro në muaj për shpenzimet ligjore plus 10 mijë euro të tjera, thuhej në komunikimin me Moskën. Katër muaj më vonë, AfD në fakt ngriti një padi kundër qeverisë.

Më 4 korrik, grupi i partisë gjermane të ekstremit të djathtë ngriti një padi në Gjykatën Kushtetuese gjermane, duke argumentuar se qeveria e Olaf Scholz nuk duhej të kishte dorëzuar tanke dhe pajisje të tjera luftarake në Ukrainë pa pëlqimin e Bundestagut. Deputeti i AfD-së, Stephan Brandner, kujtoi se deri vonë, rregulli i mos dërgimit të armëve në zonat e luftës dhe të krizës ishte i vlefshëm në Gjermani.

“Ura lidhëse”

Duket se Vladimir Sergienko është një lloj ndërmjetësi mes AfD-së dhe Moskës, shkruan “Spiegel”.

Për afërsinë e Sergienkos me Rusinë tregon edhe fakti se ai ka udhëtuar në Rusi rreth njëzet herë në tre vitet e fundit. Ai fluturoi për në Moskë një ditë para se trupat ruse të pushtonin Ukrainën. Që atëherë, ai e ka vizituar Rusinë të paktën 17 herë, kryesisht përmes Turqisë. Vladimir Sergiyenko shfaqet shpesh në televizionin shtetëror rus, autoritetet ukrainase së fundmi e vendosën në listën e personave dhe institucioneve nën sanksione për qëndrimin e tyre armiqësor ndaj Ukrainës.

Sergienko ka lidhje veçanërisht të ngushta me Ulrich Oehme, një anëtar i AfD në shtetin lindor të Gjermanisë, Saksoni. Oehme është një nga fansat më të shquar të Putinit në mesin e politikanëve të AfD, sipas “Spiegel”. Sergienko mban kontakte me përfaqësues të shumtë rusë, përfshirë Maria Butinën, e cila u dënua në SHBA si agjente e Moskës dhe u deportua në Rusi. Ndër kontaktet e tij janë propagandues të rëndësishëm si Margarita Simonjan, drejtuese e kanalit televiziv RT dhe Vladimir Soloviev nga televizioni shtetëror rus.

Sipas dokumenteve ruse të siguruara nga Spiegel, duket se Sergienko jo vetëm që ka udhëtuar shpesh në Moskë, por ka edhe një apartament atje në lagjen Zamoskvorechye të Moskës.  Kur udhëton për në Moskë, Sergiyenko shpesh përdor pasaportën e tij ruse, me numër serial 76-7509293. Një herë, kur Sergienko u kthye nga një udhëtim në Rusi, doganierët i zbuluan 9000 euro.

Në qershor e ndaluan sërish dhe sërish zbuluan se në bagazh mbante 9000 euro, pak më poshtë se kufiri 10,000 euro në Gjermani. A ishin paratë e destinuara për një operacion për të zgjeruar ndikimin rus në Gjermani? A është në të vërtetë një padi nga AfD projekti për të cilin Sergienko mori para në Rusi? “Spiegel” nuk jep përgjigje përfundimtare. AfD e mohon lidhjen, por dyshimet mbeten.

Sistemet amerikane dhe gjermane ‘po japin rezultate’ në Ukrainë

Ukraina po sheh “rezultate të rëndësishme” nga sistemet e mbrojtjes ajrore nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pavarësisht valëve të sulmeve ajrore ruse që Kievi thotë se po shënjestrojnë civilët dhe ndërtesat rezidenciale.

Rusia ka raportuar se ka rrëzuar një dron që ishte nisur drejt Moskës – sulmi i tretë i këtij lloji ditëve të fundit – ndërkaq zyrtarët nga të dyja anët kanë thënë se Ukraina ka sulmuar dy urat që lidhin gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë me Rusinë.

Të dyja shtetet kanë shpeshtuar sulmet ndaj trupave të palës tjetër, ndaj armatimeve dhe infrastrukturës që mbështet luftës, përderisa Ukraina po tenton të largojë trupat ruse nga jugu dhe lindja e Ukrainës, që kur ka nisur pushtimi vitin e kaluar.

Kreu i emëruar nga Moska në Krime tha se ura Çonhar në këtë gadishull, që Moska e ka aneksuar më 2014, është dëmtuar nga një sulm me raketa. Edhe tri rrugë që lidhin Krimenë me pjesët e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, afër qytetit Heniçesk, janë granatuar dhe një civilë është plagosur, tha zyrtari i emëruar nga Moska.

Gjatë adresimit në orët e vona të së dielës, Zelensky tha se sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore, përshirë Patriotët e prodhimit amerikan dhe IRIS-T të prodhimit gjerman, po tregohen “shumë efektive” dhe veçse “kanë dhënë rezultate të mëdha”.

Zelensky tha se Ukraina ka parandaluar një numër të madh të sulmeve ruse gjatë javës së kaluar, përfshirë edhe 65 sulme me raketa dhe 178 sulme me dronë, përfshirë 87 me dronë Shahed.

Më vonë, ushtria ukrainase tha se Rusia kishte kryer 30 sulme me raketa dhe 48 sulme ajrore.

“Fatkeqësisht ka viktima dhe të plagosur në mesin e popullatës civile. Ndërtesat e banuara dhe infrastruktura tjetër civile ka pësuar dëme”, tha ushtria përmes një deklarate.

Sulmet erdhën pas një sulmi gjatë të shtunës, i cili sipas Zelenskyt u krye në një qendër për transfuzionin e gjakut në qytetin Kupiansk, rreth 16 kilometra nga vija e frontit në rajonin lindor të Harkivit. Presidenti ukrianas tha se ky sulm përbën krim lufte.

Rusia mohon se qëllimshëm shënjestron civilët apo spitalet ushtarake në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, luftë që la vrarë mijëra persona dhe detyroi miliona persona të zhvendoseshin.

Për dy muaj me radhë, Ukraina po zhvillon kundërofensivën e saj për të larguar forcat pushtuese ruse nga pothuajse një e pesta e territorit.

Gjatë fundjavës, afër 40 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën, dhe Indinë, zhvilluan bisedime për luftën në Ukrainë. Takimi u mbajt në Arabinë Saudite, po u përmbyll pa asnjë veprim konkret përtej zotimit për konsultime të mëtejme.

Takimi në Arabinë Saudite ishte pjesë e përpjekjes diplomatike të Ukrainës për të forcuar mbështetjen përtej aleatëve të saj Perëndimor.

Në takim nuk mori pjesë Rusia. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se ky takim reflektoi “përpjekjet e dështuara” të Perëndimit për të mobilizuar shtetet e zhvilluara për të mbështetur Zelenskyn./REL

Erdogan pritet që t’i propozojë Putinit një armëpushim të hershëm në Ukrainë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan së fundmi ka deklaruar se synon që në komunikimin e parashikuar me presidentin rus Vladimir Putin ti propozojë atij një rifillim të bisedimeve për paqe me Ukrainën.

Sipas mediave ruse thuhet se Erdogan ka konfirmuar se një nga temat në këtë komunikim me homologun rus do të jetë armëpushimi i hershëm mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Erdogan do të ofrojë ndërmjetësimin e tij duke ripërsëritur tezën se nuk do të ketë fitues në luftë dhe humbës në procesin e paqes”, shkruajnë mediat.

Ku ndër të tjera theksojnë se presidenti turk është “I vetmin lider botëror” që gëzon “besimin e sinqertë” të Putinit dhe Zelensky”.

Rusia nuk di të ndalet, sulmon një qendër të transfuzionit të gjakut në Ukrainë

Rusia e ka goditur me bombë një qendër të transfuzionit të gjakut në verilindje të Ukrainës, duke vrarë dhe plagosur njerëz, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Zelensky nuk ka treguar hollësisht se sa persona janë vrarë apo plagosur në sulmin e së shtunës në Kupiansk, në rajonin e Harkivit.

“Vetëm ky krim lufte tregon gjithçka për agresionin rus”, tha Zelensky.

Rusia nuk ka komentuar rreth kësaj ngjarjeje. Në të kaluarën, ajo i ka mohuar akuzat se i po i sulmon civilët – apo se ka kryer krime lufte.

Qyteti Kupianski dhe vendbanimet përreth u pushtuan nga trupat ruse në ditët e para të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, i cili nisi në shkurt 2022.

Por, kjo zonë u çlirua gjatë një kundërofensive ukrainase në shtator.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky i përshkroi kryerësit e sulmit si “kafshë”.

T’i mposhtesh terroristët është çështje nderi për secilin njeri që çmon jetën”, shtoi ai.

Ky sulm ndodhi vetëm një ditë pasi Moska tha se një cisternë nafte ruse u dëmtua nga një sulm ukrainas me dronë gjatë natës së 4 gushtit në Ngushticën e Kërçit, pranë një ure që e lidh Krimenë e aneksuar nga Moska me Rusinë.

Agjencia e lajmeve e Rusisë, TASS, e citoi Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit Detar (QKSHD) të ketë thënë se është dëmtuar motori i cisternës ruse SIG nga një sulm ukrainas.

Kanalet ruse në Telegram raportuan fillimisht më 5 gusht se shpërthimet ndodhën në Ngushticën e Kërçit, duke e dëmtuar një cisternë nafte dhe duke e bllokuar përkohësisht trafikun mbi urë.

Cisterna e naftës SIG u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, për shkak se i kishte furnizuar forcat ruse në Siri me karburant për aeroplanë.

Pak ditë më parë, një anije e Marinës ruse u dëmtuan rëndë në portin Novorossiisk nga një sulm me dronë, për të cilin përgjegjësinë e mori Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SHSU).

Sulmet brenda dhe përreth Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia nuk pranoi ta vazhdojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për eksportimin e drithërave ukrainase përmes detit.

Kërcënimet në Detin e Zi, Rusia siguron se është e aftë t’i eliminojë

Rusia ka kapacitete të mjaftueshme ushtarake dhe teknike për të eliminuar kërcënimet ndaj sigurisë në Detin e Zi, ka thënë agjencia e lajmeve TASS e vendit.

Ai citoi zëvendësministrin e jashtëm Sergei Ryabkov.

I cili fajësoi gjithashtu SHBA-në dhe Britaninë e Madhe për përshkallëzimin e tensioneve në rajon.

Ai vjen pasi dronët ukrainas sulmuan një anije luftarake ruse pranë portit të Novorossiysk të premten dhe një cisternë kimike ruse pranë urës Kerç që lidh Krimenë e pushtuar me Rusinë të shtunën.

Rusia nuk ndalet, raportohet për sulme të vazhdueshme ajrore gjatë natës në Ukrainë

Rusia sulmoi gjatë natës Ukrainën me goditje të vazhdueshme ajrore, duke përdorur raketa kruz dhe hipersonike, si dhe dronë të prodhuar nga Irani, tha të dielën Forca Ajrore të Kievit.

Të paktën 10 raketa duket se depërtuan përmes mbrojtjes ajrore. Mediat lokale thanë se një person ishte plagosur në sulmin që dukej të ishte përqendruar në një zonë të Ukrainës perëndimore, larg vijës së frontit.

Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se kishte pasur të vrarë dhe plagosur nga një goditje e mëparshme në një qendër transfuzioni gjaku në qytetin Kupiansk, një qendër hekurudhore, rreth 15 kilometra nga vija e frontit në rajonin lindor të Kharkiv.

Punonjësit e shpëtimit po shuanin një zjarr në vendin e ngjarjes, tha ai të shtunën në mbrëmje, duke e përshkruar goditjen si një “krim lufte”. Zoti Zelensky nuk përmendi shifra për viktimat. Rusia mohon që të ketë vënë me qëllim në shënjestër civilë.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës shkatërroi 30 nga 40 raketa kruz dhe të 27 dronët Shahed që Rusia lëshoi gjatë natës, tha Forca Ajrore në kanalin e mesazheve Telegram. Po ashtu Ukraina tha se Rusia lëshoi tre raketa hipersonike Kinzhal, por nuk dhe ndonjë informacion të mëtejshëm për to. Nuk është e qartë se çfarë ndodhi me 10 raketat kruz që nuk arritën të neutralizohen nga mbrojtja ukrainase.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat