Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të angazhohej në bisedime për zgjidhjen e konfliktit me Rusinë, me kushtin që të sigurohet mbështetje e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa. Ai theksoi se Ukraina nuk dëshiron të përsërisë dështimet e bisedimeve të kaluara që nuk kanë sjellë rezultate dhe që kontribuan në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Në një intervistë për mediat britanike, Zelenskyy theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë garanci sigurie për të parandaluar rikthimin e agresionit nga ana e Rusisë. Ai paralajmëroi se një “konflikt i ngrirë” do të çonte në një humbje të përgjithshme për të gjitha palët e përfshira.
“Nëse Amerika dhe Evropa nuk do të na braktisin dhe do të na mbështesin me garanci sigurie, do të isha gati për çdo format të bisedimeve,” tha Zelenskyy.
Këto deklarata vijnë pas një serie komentesh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili bëri të ditur se ka pasur nëj bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ka shprehur optimizëm për mundësinë e një marrëveshjeje për të përfunduar luftën. Trump gjithashtu ka theksuar se do të vazhdojë të zhvillojë bisedime të tjera për të siguruar një fund të shpejtë të konfliktit.