Kapiteni i anijes me kontejnerë, e cila u përplas me një tanker që transportonte naftë për ushtrinë amerikane, është shtetas rus, ka bërë të ditur pronari i anijes. Sipas kompanisë së anijeve Ernst Russ, pjesa tjetër e ekuipazhit përbëhej nga shtetas rusë dhe filipinas.
Kjo ka ndodhur pas një përplasjeje të ndodhur të hënën në brigjet e East Yorkshire, ku policia arrestoi një burrë 59-vjeçar, i cili është ndaluar për dyshimin e vrasjes nga pakujdesia. Hetuesit kanë nisur një hetim penal për shkakun e përplasjes ndërmjet anijes “Stena Immaculate” dhe “Solong” dhe janë në bashkëpunim me Agjencinë Detare dhe Rojet Bregdetare për të zbardhur ngjarjen.
Tankeri “Stena Immaculate” ishte në shërbim të programit të sigurisë për cisternat e qeverisë amerikane, një program që përdor anije komerciale për transportin e karburantit ushtarak.
Analizat e softuerit të gjurmimit treguan se “Stena Immaculate” qëndronte e palëvizshme, ndërkohë që “Solong” u përplas me të. Po ashtu, dështimi i anijes “Solong” në kontrollet e sigurisë të vitit të kaluar është ngritur si një problem i mundshëm në këtë ngjarje.