Ashtu siç është bërë traditë, në qytetin e Elbasanit është mbajtur trofeu “Dita e Verës” në çiklizëm.
Në këtë aktivitetin e zhvilluar të dielën morën pjesë më shumë se 70 sportistë të ekipeve të ndryshme nga vendi ynë në disa kategori grupmoshash, duke nisur që nga më të vegjlit dhe deri te veteranët.
I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Gledian Llatja, i cili gjithnjë ka mbështetur mbajtjen e aktiviteteve të kësaj natyre në qytetin e Elbasanit. Ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, e konsideroi si një ndezje “motorësh” para “Xhiros së Italisë”, që për herë të parë starton nga Shqipëria, me tri etapat e para në vendin tonë më datat 9, 10 dhe 11 maj.
Në fund u shpallën edhe fituesit për të gjitha disiplinat, ku për kategorinë U-23 Elitë vendi i parë i takoi Olsian Veliajt të Tiranës me kohën 1 orë e 19 minuta e 52 sekonda.
Sa i përket kategorisë Junior, vendin e parë e mori sportisti i Studentit, Leo Piku, me kohën 1 orë e 25 minuta e 40 sekonda. Luis Margjoni i Vllaznisë u klasifikua në vendin e parë në kategorinë e kadetëve me kohën 32 minuta e 32 sekonda. Sakaq, për femrat kampione u shpall Marsela Luzi e Vllaznisë me kohën 45 minuta e 6 sekonda.
Në këtë event të dyrrotakut garuan edhe veteranët, ku vendi i parë i shkoi Petrit Doçit të Tiranës me kohën 1 orë e 26 minuta e 53 sekonda.