Kur adhuruesit e letërsisë, artit dhe muzikës së mirëfilltë shqiptare marrin rrugë të gjatë nga të gjitha zonat e Gjermanisë, nga Zvicra, Belgjika, Kosova etj. për në qytetin e bukur buzë Rajnës Düsseldorf, ata patjetër do jenë pjesë e takimeve letrare kushtuar poetit të madh shqiptar Azem Shkreli.
Autorë nga të gjitha trevat shqiptare prezantojnë krijimet e tyre letrare, lexojnë poezi e shkëmbejnë libra, njohtohen e bisedojnë me njëri-tjetrin, pinë një gotë verë, këndojnë ca këngë të bukura e në këtë mënyrë shuajnë sadopak mallin për atdhe.
Autori dhe gazetari ynë i njohur Gani Mehmetaj na nderoi dhe emocionoi të gjithëve me pjesëmarrjen e tij aktive në manifestim, duke prezantuar dy librat e tij "Zogjtë e qyqes" dhe "Rugova, si e kam njohur". Një njeri i kulturuar, komunikativ, modest dhe shumë i talentuar. Një aktivist i palodhur i çështjes kombëtare. Shumë i guximshëm. Përgëzimet e mia për suksesin e madh me krijimtarinë e tij. Për mua ishte një nder i madh prezantimi i përbashkët që patëm.
Faleminderit për të gjitha fjalēt e mira për librin tim "Sapere aude", miku im i çmuar Faruk Tasholli dhe urime të përzemërta për çmimin e parë me librin satirik "Akademia e zuzarëve".
Faleminderit dhe poetes e moderatores së shkëlqyer, mikes sime Pranvera Gjoni për emocionet që na dhuron përherë dhe për leximin e veçantë të rrëfimit për mërgimtarët shqiptarë nga libri im.
Faleminderit shoqatës së shkrimtarëve, Lidhja e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë ne Gjermani (LSHAKSH), kryesisë së përbërë nga Dibran Demaku dhe Pal Sokoli për mirënjohjen që më dhanë si dhe për ftesën dhe vlerësimin e veprave të mia.
Faleminderit mikut tim artist Bekim Gashi për mbështetjen, frymëzimin dhe përcjelljen profesioniste me kitarë. Edhe këngët dalin më mirë, kur ke miq të tillë!