Akademia përkujtimore filloi me intonimin e himnit të Kosovës dhe më pas atë të Dardanisë. Përgatitjen e PowerPoint-it mbi jetën dhe veprën e presidentit historik e shpirtëror e përgatiti sekretari organizativ i LDK-së Dega Jugore Suedi, z. Isuf Kurbogaj.
Moderimin e kësaj akademie përkujtimore për presidentin Ibrahim Rugova e udhëhoqi Alejna Emini, e cila ftoi të pranishmit të nderonin figurën e presidentit me një minutë heshtje. Kjo heshtje ishte një simbolikë e përulësisë dhe respektit për presidentin historik e shpirtëror, Dr. Ibrahim Rugova.
Moderatorja uroi të pranishmit për një mirëseardhje në akademinë e 19-vjetorit të vdekjes së presidentit Rugova dhe përshëndeti kryetarin e LDK-së Dega Jugore Suedi, prof. Isuf Bajraktari.
Tani më lejoni të ftoj në skenë kryetarin e nëndegës së LDK-së në Malmë, z. Remzi Basha, ta bëjë hapjen dhe të përshëndesë të pranishmit.
Lidhja Demokratike e Kosovës Dega Jugore Suedi, me 25 janar 2025, organizoi akademi përkujtimore në bashkëpunim me nëndegën e LDK-së në Malmë, me rastin e vdekjes së presidentit historik e shpirtëror të popullit shqiptar, arkitektit të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe urtësisë e udhëheqësit të miqësisë dhe lidhjes me botën demokratike, si ato të Amerikës, Anglisë, Gjermanisë, Francës, Vatikanit, etj. Presidentin Ibrahim Rugova, njeriun që la pas vetes një trashëgimi të pavdekshme në rrugëtimin e popullit shqiptar drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ibrahim Rugova, i lindur dhe i rritur në një familje të thjeshtë, arriti të bëhej një shembull i shkëlqyer i njeriut që përqafoi dijen dhe kulturën si armët më të fuqishme për përparimin e kombit. Që nga ditët e tij si student, gazetar, redaktor, studiues dhe kritik letrar, Rugova tregoi pasion dhe përkushtim për gjuhën, historinë dhe kulturën e shqiptarëve.
Ai nuk ishte vetëm një studiues, por edhe një shkrimtar i mendimit të thellë dhe një udhëheqës me vizion. President Rugova besonte fort në fuqinë e dialogut dhe diplomacisë. Ai ndërtoi ura miqësie dhe mirëkuptimi me botën demokratike, duke siguruar mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë dhe duke e shndërruar çështjen e Kosovës në një kauzë globale për drejtësi dhe liri. Vizionin e tij për një Kosovë të lirë dhe të pavarur e mbajti gjallë në zemrat tona edhe në kohët më të vështira.
Kjo akademi përkujtimore i shërbeu komunitetit shqiptar në Suedi për t’i bërë nderin dhe respektin burrështetasit dhe presidentit, duke e kujtuar rrugëtimin e tij drejt shtetformimit dhe fitores mbi serbosllavizmin, mbi një shekull në token e Dardanisë antike.
Akademia u mbajt në Malmë, sepse ishte më e përshtatshme për të takuar anëtarët, simpatizantët, bashkudhëtarët dhe veprimtarët që dhanë kontribut në kohën e presidentit Ibrahim Rugova. Kjo akademi, përmes pjesëmarrjes dhe fjalës së kryetarit të LDK-së Dega Jugore Suedi, prof. Isuf Bajraktari, përkujtoi jetën dhe veprën e mundit dhe sakrificës së figurës së presidentit Rugova. Siç tha kryetari Isuf Bajraktari, janari është muaj i dhimbjes dhe krenarisë kombëtare, me vdekjen e Gjergj Kastriotit të Skënderbeut më 17 janar 1468, vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka më 17 janar 1982, vrasjen e Enver Malokut më 11 janar 1999, vrasjen e Ismail Hajdarit më 17 janar 2002 dhe vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova më 21 janar 2006, njeriu i pajtimit dhe arkitekti i Republikës së Kosovës. Humbja e tij la boshllëk të madh në udhëheqjen e popullit shqiptar.
Akademia ishte dhe është një aktivitet dhe dëshmi e angazhimit të përhershëm të LDK-së në Suedi, e cila ka mbajtur plot 19 akademi përkujtimore për presidentin Rugova, ka dëshmuar dhe ka ruajtur traditën e dashurisë për presidentin e tyre, duke e kujtuar si një personalitet të pavdekshëm. Në këtë akademi, një kontribut të mirë dhanë edhe dy protagonistët e kohës së presidentit Rugova, të cilët kishin bashkëpunuar dhe takuar gjatë jetës në kohë të vështira, krenarie dhe guximi. Ish-kryetari i LDK-së Dega Suedi, z. Hysen Ibrahimi, kujtoi dy takime me motive kohore që i rezistojnë edhe sot dhe në të ardhmen e popullit shqiptar.
Dr. Ibrahim Rugova tha: “Prano realitetin sado i hidhur që është, pa u ndalur së punuari për të krijuar realitetin e ri me interes kombëtar; Lëri ato mosmarrëveshje për një moment që ishin më parë dhe puno me përkushtim, që mosmarrëveshjet të shndërrohen në marrëveshje me interes të çështjes kombëtare.” Dhe: “Momenti kur nuk duhet të hiqni dorë nga padrejtësia, krijohet momenti i ri, që duhet të filloni dhe të vazhdoni edhe më fuqishëm për drejtësinë kombëtare, por jo pa miq, sidomos me SHBA-në.”
Si duket, të gjitha idetë e presidentit Rugova, një nga një, po bëhen realitet. Këto janë vetëm disa nga kujtimet gjatë takimeve të mia me kryetarin Rugova, që për ne janë një busull e domosdoshme për të kuptuar se ku duhet të shkojmë dhe si të realizojmë synimet tona kombëtare për pavarësinë e Dardanisë, drejt së ardhmes për një shtet të bashkuar siç është Shqipëria.
Major Nazif Ramabaja, në kumtesën e tij të titulluar “Presidenti Rugova jetoi pak, por me punën dhe veprën e tij ndryshoi një shekull”, ish epror ushtarak i njësive operative të UÇK-së FARK-ut, luftëtar aktiv në vijat e para të frontit në zonën Operative të Dukagjinit, aty ku ishin vatrat më të rrezikshme mes kufirit shqiptar-shqiptar dhe të sunduar nga serbosllavët e kohës, evokoi kujtimet nga koha e luftës dhe qëndrimin dhe vendosmërisë ndaj presidentit Rugova dhe takimet me të pas mbarimit të luftës.
Majori ngriti lart në piedestal figurën e presidentit historik, arkitektit të shtetit të pavarur dhe komandantit suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ai që Skënderbeu bëri me shpatë, presidenti Rugova e bëri me penë dhe mençuri, duke e vlerësuar figurën më të rëndësishme kombëtare pas Skënderbeut.
Majori Ramabaja elaboroi prej nga rrjedh fjala “arkitekt i shtetit të pavarur të Kosovës”, e përdorur për herë të parë dhe e thënë për presidentin Rugova në telegramin e dërguar nga ai më 21 janar 2006, ditën që presidenti ndërroi jetë. Më tej, majori pohoi se është i kënaqur që kjo fjalë është përdorur nga shumë personalitete, analistë, dhe prononcues të ndryshëm.
Liria e Kosovës hyri kryesisht nëpër dyert që i hapi Ibrahim Rugova. Të tjerët vijnë pas tij. Rugova nuk ka nevojë për lulet e askujt, por pa nderuar atë, Kosova e vetëdijshme politike nuk do të merrte seriozisht askënd si politikan.
I urtë, por me qëndrime të pa ndryshueshme. I tillë ishte presidenti Rugova, një udhëheqës me vizion të qartë, qëndrim të palëkundur dhe një urtësi që buronte nga përkushtimi për paqen dhe lirinë e Kosovës. Më lejoni ta parafrazoj një thënie që më së miri i përshtatet presidentit Rugova: "I urti kurrë nuk ngutet, prej burrërie e jo prej tutës." Një thënie e tillë përshkruan filozofinë e tij politike, e cila përqendrohej në durimin, mençurinë dhe vendosmërinë e tij.
Njeriu i mençur nuk nxiton, sepse vepron me kujdes dhe mendon para se të veprojë. Ai nuk nxiton jo sepse ka frikë, por sepse është i matur dhe i mençur.
Një fjalë rasti pati edhe aktivisti i LDK-së Dega Danimarkë, ish-nënkryetar i kësaj dege, z. Naim Abazi, i cili evokoi kujtime nga koha e lëvizjeve të mëdha, si pajtimi i gjaqeve, themelimi i LDK-së, dhe mërgimi në Danimarkë. Ai kujtoi takimin me presidentin Ibrahim Rugova në Danimarkë, si nënkryetar i LDK-së Dega Danimarkë, dhe tha se atëherë presidenti Rugova ishte pritur si burrështetas në shtetin e Danimarkës dhe ishte nderuar me çmimin më të lartë për liri, "LP Fondacion". Ai përmendi një porosi të presidentit Rugova, ku u kishte thënë bashkatdhetarëve: "Punoni të krijoni kapital që nesër të investoni në Kosovë dhe edukohuni që vlerat e juaja intelektuale t'ia bartni në Kosovë."
U recituan edhe dy poezi nga poetët që jetojnë e veprojnë në Suedi. Z. Remzi Basha deklamoi poezinë “Ibrahim Rugova”, dhe poeti Idriz Gashi deklamoi poezinë “Malli për Ibrahim Rugovën”. U këndua kënga më e re për presidentin Ibrahim Rugova, "Burrë i Dardanisë", kënduar nga ngaz. Sherif Hasani, dhe shoqëria kulturo-artistike "Dardania Dans", me dy valle autoktone shqiptare. Fëmijët e lindur dhe rritur në Suedi ishin fluturakët e dashura që, me vallëzimin e tyre, emocionuan të pranishmit.
Moderimin për këtë akademi përkujtimore e udhëhoqi Alejna Emini. Skena dhe programi muzikor iu besuan koreografit Naser Sopjani, ndërsa zërimi u bë nën përkujdesjen e Isak Bunjakut.
Në përmbyllje të kësaj akademie, moderatorja Alejna Emini së bashku me kryetarin Isuf Bajraktari lexuan telegramet e dërguara, në emër të familjes së kolonel Tahir Zemaj, dërguar nga deputeti i Kosovës nga radhët e LDK-së, z. Armend Zemaj, nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i LDK-së Dega Gjilan, z. Lutfi Haziri, Ramadush Emini, kryetar i Degës së Parë të LDK-së në Zvicër, Abetare Bejta, kryetare e LDK-së Dega në Baden-Wurttemberg, Bahtir Kastrati, kryetar i Degës së LDK-së në Beneluks. Akademinë e kanë përshëndetur edhe nënkryetarja e LDK-së, zonja Hykmete Bajrami, kryetari i LDK-së Dega Ferizaj, Visar Azemi, dhe z. Naser Rugova nga familja Rugova.
Pas leximit të telegrameve, moderatorja kishte një kërkesë dhe ftoi në skenë kryetarin e LDK-së Dega Jugore Suedi, prof. Isuf Bajraktari, nënkryetaren zonjën Albana Bunjaku dhe majorin Nazif Ramabaja.
Majori Nazif Ramabaja, për punën dhe veprimtarinë e Albana Bunjakut, motivoi dhënien e dhuratës - shallin e fitores së LDK-së nga viti 2001, me mbishkrimin "LDK-RUGOVA-KOSOVA". Me këto fjalë: “Kam dëgjuar deklaratën e Albanës: ‘Unë mund ta ndryshoj dhe ndërroj ngjyrën e flokëve, mund ta ndryshoj imazhin, por RUGOVIZMIN dhe LDK-në se ndërroj kurr.’ Urime Albana, shalli i Rugovës dhe fitores.”
Për kryetarin e LDK-së Dega Jugore Suedi, z. Isuf Bajraktari, majori dhuroi foton e presidentit, një pikturë e piktorit Murat Murati, e bërë në kohërat më të vështira, në vitin 1999, me motivimin: “Profa dhe kryetari ynë Isuf Bajraktari, me punën dhe veprimtarinë e tij për më shumë se tre dekada e gjysmë, është i nderuar dhe respektuar tejet shumë, një Rugovist dhe LDK-ist i përbetuar, edhe atëherë kur LDK-ja pati problemet e saj të brendshme. Prof. Isuf i mbeti besnik LDK-së dhe filozofisë politike të presidentit Rugova. Edhe me pak vetë nuk ndryshoi mendim dhe qëndrim. Për këtë, si dhuratë, kam zgjedhur portretin e Dr. Ibrahim Rugovës. Urime kryetari Isuf Bajraktari, do ta keni për zemër këtë pikturë, sikurse unë e kam pasur deri më tani, tash e tutje ia kaloj në pozitat tuaja.”
Kjo akademi ishte një mundësi e shkëlqyer për të kujtuar dhe rikujtuar të kaluarën dhe ndier obligim për ta ndërtuar të ardhmen në frymën Rugoviane.
Për Këshillin Organizativ dhe Kryesinë e LDK-së Dega Jugore Suedi, Kryetari Isuf Bajraktari.