Aktori dhe regjisori shqiptar, Diar Xani, ngjitet në skenën e Festivalit prestigjioz të Teatrit në Nju Jork me monodramën e tij “42nd Street” (Rruga 42) përzgjedhur mes dhjetëra konkurrentëve. Festivali i njohur ofron një platformë për artistët që konkurojnë për çmime të ndryshme.
Për Xanin, pjesëmarrja është një realizim i një ëndrre. “New York Theater Festival, është një nga festivalet më prestigjioze në botë, për mua, të jem pjesë e tij është një nder dhe kënaqësi e madhe” u shpreh ai për studion e “Rreze Dielli” nëpërmjet një lidhje skype nga NY.
“42nd Street” është një histori për emigracionin, frymëzuar nga rruga e famshme me të njëjtin emër në Manhattan. Monodrama ndjek historinë e një protagonisti që shkon për herë të parë në Amerikë, dhe gjendet ne Rrugën 42, për të takuar dikë që i ka premtuar ndihmë, por ai mbetet i vetëm dhe pa zgjidhje tjetër… "
Xani, i cili eci për herë të parë në Amerikë pikërisht në këtë rrugë, thotë se shumë emigrantë mund të lidhen me këtë histori. “Shumë njerëz kanë filluar rrugëtimin e tyre në Amerikë nga kjo rrugë” shprehet ai.
Me një karrierë të pasur, Diar Xani ka luajtur për herë të parë në skenë në Kosovë që 12-vjeç dhe ka vazhduar studimet në Maqedoni, Prishtinë dhe më pas ka kryer doktoratën në Radio TV dhe Kinema në Universitetin e Stambollit në Turqi. Ai ka performuar në Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera evropiane, duke fituar çmime të shumta ndërkombëtare
