Ministria e Ekonomisë (ME) njofton se ka përfunduar aplikimi për Thirrjen Publike për Mbështetje të Konsumatorëve Familjarë për Investimin në Pajisje Efiçiente për Ngrohje.
Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të një numri të mjaftueshëm të aplikimeve për shumën e caktuar për këtë thirrje, thuhet në njoftim, sipas të cilit deri në mbylljen e thirrjes gjithsej kanë aplikuar 13.415 qytetarë.
Pajisjet që subvencionohen përfshijnë: pompë termike 30% e vlerës investive deri në 2000 euro, kondicioner/klimë efiçiente 40% e vlerës investive, deri në 400 euro, për prindërit vetushqyes dhe ata në ndihmë sociale (kategoria I e II), 60% e vlerës investive, deri në 550 euro, kalda me biomasë (dru, pelet dhe briket): 70% e vlerës investive deri në 1.200 euro, stufa individuale: 70% e vlerës investive, deri në 435 euro; për prindërit vetushqyes dhe qytetarët në ndihmë sociale, 90% e vlerës investive, deri në 560 euro.
Komisionet për vlerësimin e aplikacioneve kanë filluar punën e tyre të procesit të verifikimit të aplikacioneve dhe dokumentacionit të nevojshëm, ndërsa aplikuesit do të njoftohen për ecurinë e procesit përmes mjeteve të informimit dhe rrjeteve sociale të Ministrisë së Ekonomisë.
Thirrja Publike për Mbështetje të Konsumatorëve Familjarë ka qenë e hapur nga data 12 shtator 2024 dhe ishte planifikuar të përfundojë më 11 tetor 2024.
Subvencionimi i efiçiencës së energjisë mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Ministria e Ekonomisë.