Luftime të ashpra me agresorin rus/ OKB ndihmon Ukrainën, edhe një shtet ia kthen shpinën Putinit

Evropë

Luftime të ashpra me agresorin rus/ OKB ndihmon Ukrainën, edhe një shtet ia kthen shpinën Putinit

Nga: Bota sot Më: 18 mars 2022 Në ora: 06:26 Përditësuar në ora: 15:45 më 18.03.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Mbi 1,300 persona të bllokuar nën rrënojat e teatrit në Mariupol

Nën rrënojat e teatrit në Mariupol gjenden edhe 1,300 persona.

Kjo sipas komisioneres së Verkhovna Rada për të drejtat e njeriut, Liudmyla Denisova.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se puna e shpëtimit ishte duke vazhduar, shkruan Skynews.

Ai shtoi se granatimet e vazhdueshme nga forcat ruse i kanë penguar autoritetet të krijojnë korridore efektive humanitare në qytetin port të rrethuar.

816 civilë të vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Zyra e Organizatës së Kombëve të Bashkuara bën të ditur se që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë të paktën 816 civilë.

Kjo shifër është bërë e ditur pasi OKB-ja ka përfshirë vetëm vdekjet e konfirmuara, shkruan Skynews.

Kujtojmë se pushimi rus në Ukrainë ka që nga 24 shkurti.

Ndërsa, Ukraina bëri të ditur se ka vrarë 14, 200 ushtarë ruse.

Cilat janë zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë?

Shkatërrohet centrali për riparim të aeroplanëve: Rusia ka nisur disa raketa afër aeroportit ndërkombëtar të Lvivit, në perëndim të Ukrainës, duke shkatërruar një central për riparim të aeroplanëve, kanë thënë autoritetet lokale. Lvivi është qytet afër kufirit polak dhe është konsideruar strehë e sigurt për mijëra refugjatë

Bombardohen qytete tjera: Disa qytete janë përballur po ashtu me sulme ajrore. Në qytetin lindor Harkiv, një ndërtesë universiteti dhe dy blloqe të banesave janë bombarduar, duke lënë të vdekur një person dhe dy plagosur 11 të tjerë. Më në jug, në Kramatorsk, dy persona janë vrarë dhe gjashtë janë plagosur në një sulm me raketa. Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, një person është vrarë pasi një raketë e rrëzuar ka shpërthyer në një lagje banimi

Shtrëngohet laku në Mariupol: Rusia ka thënë se separatistët në lindje të Ukrainës, me ndihmën e forcave të armatosura, janë duke “shtrënguar lakun” rreth qytetit të Mariupolit, në jug të Ukrainës. Mijëra civilë besohet se janë të bllokuar atje

Shpëtohen disa të mbijetuar nga teatri: Autoritetet ukrainase kanë thënë se kanë nisur të dalin civilët e parë nga një teatër i bombarduar nga forcat ruse. Ata janë futur në bodrumin e teatrit për t’iu ikur sulmeve ruse. Deri më tani besohet se janë shpëtuar 130 persona

Dy milionë njerëz kalojnë kufirin me Poloninë: Garda kufitare e Polonisë ka thënë që më shumë se dy milionë refugjatë nga Ukraina kanë kaluar kufirin, shumica prej tyre gra dhe fëmijë

Bullgaria dhe vendet baltike dëbojnë diplomatë rusë: Bullgaria ka dëbuar 10 diplomatë rusë, duke thënë se ata kanë kryer aktivitete që konsiderohen në mospërputhje me statusin e tyre diplomatik. Ndërkohë, Letonia dhe Estonia kanë thënë se do të dëbojnë nga tre diplomatë rusë, derisa Lituania u kanë thënë katër rusëve që të largohen nga shteti. Moska është zotuar se do të përgjigjet

Britania bllokon RT-në: Rregullatori britanik, Ofcom, i ka hequr licencën kanalit rus, që financohet nga shteti, RT

“Abuzim pervers i pushtetit": Papa Françesku e ka quajtur luftën në Ukrainë si “abuzim pervers të pushtetit”, e cila i ka dënuar njerëzit e pambrojtur me dhunë

Televizioni shtetëror rus ndërpret fjalimin e Putinit

Televizioni shtetëror rus ka ndërprerë papritur fjalimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, teksa ai i është drejtuar audiencës në Stadiumin Luzhniki në Moskë.

Ai e ka mbajtur këtë fjalim për të shënuar përvjetorin e tetë të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Aneksimi i Krimesë është dënuar nga Perëndimi dhe Ukraina, andaj edhe nuk e njohin si territor rus.

Fjalimi i Putinit është ndërprerë papritur dhe televizioni ka shfaqur disa këngë që janë kënduar në stadium.

Një pjesëmarrës i koncertit ka thënë se Putin e ka përfunduar fjalimin dhe e ka lënë skenën.

Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.

Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si "operacion special ushtarak".

Vendet baltike dëbojnë diplomatë rusë

Letonia dhe Estonia kanë thënë se do të dëbojnë nga tre diplomatë rusë, derisa Lituania u kanë thënë katër rusëve që të largohen nga shteti.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka thënë në Twitter se Riga është duke dëbuar tre punëtorë të Ambasadës ruse “në lidhje me aktivitete që janë në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik, dhe duke marrë parasysh agresionin e vazhdueshëm rus në Ukrainë”.

“Ky vendim është koordinuar me Lituaninë dhe Estoninë”, ka thënë ai.

Estonia ka thënë se tre diplomatëve, që u ka kërkuar të largohen, “kanë qenë duke minuar sigurinë e Estonisë dhe duke përhapur propagandë për të arsyetuar veprimet ushtarake të Rusisë".

Papa Françesku: Lufta në Ukrainë,

Papa Françesku e ka quajtur luftën në Ukrainë si “abuzim pervers të pushtetit”, e cila i ka dënuar njerëzit e pambrojtur me dhunë.

“Tragjedia e luftës që është duke ndodhur në zemër të Evropës na ka lënë neve të shokuar”, ka thënë ai.

Papa nuk e ka përmendur Rusinë gjatë fjalimit të tij, mirëpo ka shfrytëzuar frazat si “agresion i armatosur i papranueshëm”.

Deklarata e tij ka ardhur në një mesazh dërguar Kishës Katolike në Bratislavë, e cila ka hapur dyert për refugjatët.

OKB: Kriza humanitare është duke u rritur në mënyrë eksponenciale

Nevojat humanitare në Ukrainë janë “duke u rritur në mënyrë eksponenciale”, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR).

Matthew Saltmarsh, nga kjo Agjenci, ka thënë se situata do të vazhdojë të përkeqësohet nëse nuk i jepet fund luftës.

Shumë njerëz vazhdojnë të jenë të bllokuar në zonat ku po përshkallëzohet konflikti, pa kushte elemente, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, për shkak të pengimit të dërgesave.

Ai ka thënë se situata është veçanërisht e vështirë në jug, ku qytetet ukrainase janë të rrethuara nga trupat ruse.

“Situata humanitare në qytetet si Mariupol dhe Sumi është jashtëzakonisht e vështirë, pasi banorët po përballen me mungesa kritike të ushqimit, ujit dhe ilaçeve”, ka thënë ai.

Saltmarsh ka thënë se Kombet e Bashkuara janë duke vëzhguar negociatat për korridore të sigurta dhe se janë të gatshme të dërgojë furnizime në Sumi “aq sa lejojnë kushtet”.

Ukraina: 130 të shpëtuar pas sulmit në teatër

Komisionarja për të Drejta të Njeriut në Ukrainë, Lyudmyla Denisova ka thënë se 130 persona janë shpëtuar nga rrënojat e një teatri të goditur nga një sulm ajror rus në Mariupol.

Qindra persona kanë qenë duke u strehuar në bodrum kur teatri është bombarduar nga Rusia, kanë thënë autoritetet ukrainase.

Në një adresim televiziv, Lyudmyla Denisova, ka thënë se puna për kërkim-shpëtim është duke vazhduar edhe se 1,300 persona besohet se janë ende në bodrum.

Biden: Putin është “diktator vrasës”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka quajtur presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, “diktator vrasës” dhe “bandit të vërtetë”, teksa ka folur në “Drekën e Miqve të Irlandës”.

Britania lëshon 6,500 viza nën skemën e re për ukrainasit

Rreth 6,500 viza janë lëshuar nga autoritetet britanike për refugjatët ukrainas, në skemën e re për banorët që i ikin luftës në Ukrainë.

Një ditë më parë, autoritetet britanike kanë lëshuar 6,100 viza.

Qeveria britanike ka krijuar edhe një skemë tjetër – Shtëpi për Ukrainën – për njerëzit që duan të strehojnë refugjatë.

Qeveria britanike është përballur me kritika – përfshirë nga deputetët e saj – për shpejtësinë dhe shkallën e përgjigjes ndaj krizës që ka shkaktuar pushtimi rus në Ukrainë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat