LIVE: Tensione të mëdha – ky është dështimi i radhës i Rusisë

Evropë

LIVE: Tensione të mëdha – ky është dështimi i radhës i Rusisë

Nga: Bota sot Më: 19 mars 2022 Në ora: 07:23 Përditësuar në ora: 12:25 më 19.03.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Polonia i propozon BE-së ndalimin e plotë të tregtisë me Rusinë

Polonia i ka propozuar Bashkimit Evropian që të vendosë një ndalesë të plotë të tregtisë me Rusinë, tha më 19 mars kryeministri polak, Mateus Morawiecki.

Ai u bëri thirrje të gjitha shteteve të bllokut evropian që të vendosin sanksione më të ashpra ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.

“Polonia po propozon që të shtohet bllokada e tregtisë në këtë paketë të sanksioneve sa më shpejt që të jetë e mundur, përfshirë edhe në portet detare... por, po ashtu ndalesë në tregtinë që bëhet përmes transportit rrugor. Shkëputja e plotë e tregtisë me Rusinë do ta shtyjë Rusinë që ta shqyrtojnë mundësinë se është më mirë që ta ndalë këtë luftë mizore”, tha Morawiecki.

Më herët gjatë kësaj jave, shtetet e BE-së u pajtuan për paketën e katërt të sanksioneve kundër Rusisë. Detajet për sanksionet e reja nuk janë publikuar, por presidenca franceze tha se statusi i “shtetit më të favorizuar” në tregti i Rusisë, do të hiqet.

Klitschko kërkon armë për ta mbrojtur hapësirën ajrore ukrainase

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të vazhdojnë ta furnizojnë me armë Ukrainën, teksa ky shtet po lufton kundër Rusisë.

“Ju lutem, na mbështesni”, tha ish-boksieri gjatë një interviste dhënë të shtunën për të përditshmen italiane, Corriere della Sera.

Ai u bëri thirrje aleatëve evropianë dhe NATO-s që të dërgojnë armë esenciale për të mbrojtur hapësirën ajrore mbi Kiev.

“Ne jemi në gjendje që ta mbyllim vetë hapësirën tonë ajrore”, tha Klitscho.

“Por, neve definitivisht na duhen armët e duhura”, shtoi ai.

NATO vazhdimisht ka refuzuar që të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, duke u thirrur në frikën se kjo mund të çojë në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe Perëndimit.

Sipas Klitscho, Kievi deri më tani ka regjistruar mbi 200 civilë të vrarë, ndërkaq afër 2 milionë banorë ende gjenden në qytet.

Mos harroni se ne po mbrojmë shtetin tonë, por në të njëjtën kohë po mbrojmë vlerat thelbësore të demokracisë evropiane. Mesazhi im është i qartë: ju lutem ndaloni çdo marrëdhënie ekonomike me Rusinë sepse [presidenti rus, Vladimir] Putin po përdor çdo euro për të forcuar ushtrinë e tij, që po marshon drejt nesh”, tha ai.

Çfarë lloj armësh janë raketat hipersonike që po përdor Rusia ndaj Ukrainës?

Më herët, Rusia tha se kishte përdorur raketa hipersonike për të shënjestruar një njësi nëntokësore të ruajtjes së armëve në Ukrainën perëndimore, shkruan BBC, transmeton "Bota sot".

Por çfarë lloj armësh janë ato?

Raketat hipersonike mund të fluturojnë në atmosferën e sipërme me më shumë se pesë herë shpejtësinë e zërit

Ato konsiderohen më të manovrueshme se raketat konvencionale dhe janë më të afta të shmangin përgjimin nga mbrojtja ajrore.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se raketa e përdorur për të shënjestruar depon e armëve në Ukrainë ishte në gjendje të arrinte objektivat në një rreze prej më shumë se 2,000 km (1,242 milje).

Vitin e kaluar, Rusia tha se kishte testuar me sukses një raketë hipersonike në Detin e Bardhë në brigjet e saj veriperëndimore.

Së bashku me Rusinë, Kina, SHBA dhe të paktën pesë vende të tjera po punojnë në teknologjinë e raketave hipersonike

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Brown mbështet gjykimin e stilit të Nurembergut për Putinin

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Brown, dëshiron që të krijohet një gjykatë e re ndërkombëtare për të hetuar Vladimir Putin për veprimet e tij në Ukrainë. Brown thotë se lufta ka parë bombardime pa i kursyer civilët, gjë që është kundër ligjit ndërkombëtar, si dhe shkelje të armëpushimeve humanitare dhe "shantazh bërthamor".

Ish-kryeministri i ka thënë BBC-së se që nga rënia e Murit të Berlinit "ne kemi supozuar se demokracia dhe sundimi i ligjit do të mbizotërojnë", por se Putini "po e zëvendësonte atë me përdorimin e forcës". "Nëse mesazhi nuk dërgohet tani, atëherë ne përballemi me agresion në vende të tjera, të cilat gjithashtu mund të mbeten të pandëshkuar." I pyetur nëse e konsideron presidentin rus si kriminel lufte, ai u përgjigj: "Kjo është ajo që tha Presidenti Biden dhe kjo është pikëpamja ime".

Brown është mes 140 akademikëve, avokatëve dhe politikanëve që nënshkruan një peticion që bën thirrje për një sistem ligjor të modeluar sipas gjyqeve të Nurembergut të kriminelëve nazistë të luftës pas Luftës së Dytë Botërore.

Ukraina pretendon se janë vrarë mbi 14,000 trupa ruse

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës ka pohuar se mbi 14,000 trupa ruse janë vrarë në tre javët e para të pushtimit të vendit nga Moska. Në një përditësim operacional të postuar në Facebook, zyrtarët ukrainas thanë se rreth 14,400 ushtarë rusë janë vrarë.

Përditësimi tha gjithashtu se Moska ka humbur një sasi të madhe pajisjesh ushtarake, duke përfshirë rreth 1,470 transportues të blinduar, 60 tanke dhe mbi 100 avionë luftarakë dhe helikopterë.

BBC nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin, megjithëse burimet perëndimore të inteligjencës kanë sugjeruar se rreth 7,000 trupa janë vrarë dhe midis 14,000 dhe 21,000 të tjerë janë plagosur.

Kjo vjen pasi forcat ukrainase pretenduan se kishin vrarë një gjeneral të pestë rus. Gjenerallejtënant Andrei Mordvichev do të ishte komandanti më i lartë rus i vrarë në konflikt deri më tani, megjithëse BBC nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin.

Ushtria e ‘mjerë’ e Putinit/ Këto janë gabimet ushtarake që po i kushtojnë shumë Rusisë

Rusia ka një nga forcat e armatosura më të mëdha dhe më të fuqishme në botë, por kjo nuk ka qenë e dukshme në pushtimin e saj fillestar të Ukrainës. Shumë ekspertë ushtarakë në Perëndim janë befasuar nga performanca e saj në fushën betejën deri më tani, me një që e përshkruan atë si "të mjerë".

Përparimet e saj ushtarake duket se kanë ngecur në masë të madhe dhe disa tani pyesin nëse mund të rikuperohet nga humbjet që ka pësuar. Këtë javë, një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s i tha BBC-së, "rusët qartazi nuk i kanë arritur qëllimet e tyre dhe ndoshta nuk do t'i arrijnë në fund të ditës". Pra, çfarë ka shkuar keq? Unë kam folur me oficerë të lartë ushtarakë perëndimorë dhe zyrtarë të inteligjencës, për gabimet që ka bërë Rusia, shkruan BBC, përcjell "Bota sot".

Supozime të gabuara

Gabimi i parë i Rusisë ishte nënvlerësimi i forcës së rezistencës dhe aftësive të forcave më të vogla të armatosura të Ukrainës. Rusia ka një buxhet vjetor të mbrojtjes prej më shumë se 60 miliardë dollarë, krahasuar me shpenzimet e Ukrainës prej pak më shumë se 4 miliardë dollarë.

Lexoni lajmin e plotë KËTU.

Kryetari i Mariupolit: Luftimet po pengojnë evakuimin e civilëve

Kryetari i Mariupolit tha se luftimet në rrugët në qendër të qytetit po pengojnë përpjekjet për të shpëtuar qindra persona që gjenden të bllokuar në bodrumin e teatrit, që u bombardua nga Rusia të mërkurën.

Kryetari i Mariupolit, Vadym Boychenko, tha se ekipet e shpëtimit po arrijnë të largojnë rrënojat dhe të largojnë qytetarët, vetëm kur po ndërpriten luftimet.

“Ka tanke... dhe granatime me artileri, dhe po luftohet me të gjitha llojet e armëve në këtë zonë”, tha ai.

“Forcat tona po bëjnë gjithçka që është e mundur për të mbajtur pozicionin e tyre në qytet, por fatkeqësisht forcat e armikut janë në numër më të madh”, shtoi ai.

Ai tha se nuk mund të japë një numër se sa persona kanë arritur që të largojnë nga zona gjatë 24 orëve të fundit.

Të premten, autoritetet thanë se 130 persona kanë arritur të largohen nga teatri që u bombardua, e që përdorej si strehim nga civilët. Në momentin e bombardimit, sipas autoriteteve ukrainase, mbi 1,000 persona kanë qenë në ndërtesë, por bodrumi i teatrit nuk është prekur nga sulmi.

Rusia mohon se ka bombarduar këtë ndërtesë.

Boychenko po ashtu tha se 40,000 persona kanë arritur të largohen nga qyteti në pesë ditët e fundit, ndërkaq 20,000 të tjerë po presin që të evakuohen.

Deputeti ukrainas: Kushtet në Mariupol janë “mesjetare”

Një deputet ukrainas i ka përshkruar kushtet në qytetin e rrethuar të Mariupolit si “mesjetare”.

Deputeti Dmytro Gurin, prindërit e së cilit janë bllokuar në Mariupol, që gjendet në jugperëndim të Ukrainës, tha për BBC se furnizimet me ushqim dhe ujë kanë arritur në nivele të ulëta.

“Banorët nuk kanë ushqim, por më e rëndësishmja kanë mungesë të ujit. Dhe disa ditë më parë, tanket filluan të sulmonin ndërtesat nënkatëshe, në mënyrë që njerëzit të mos mund të largoheshin. Të gjithë po qëndrojnë në banesat e tyre dhe në bodrume, duke menduar nëse do të vdesin pas një ore”, tha ai.

“Granatimet nuk ndalen kurrë dhe të shtënat nuk ndalen kurrë”, shtoi ai.

Gurin po ashtu u shpreh pesimist lidhur me mundësinë e hapjes së korridoreve humanitare nga ky qytet, duke thënë se “pala ukrainase po tenton të arrijë marrëveshje për hapjen e tyre, por Rusia gjithmonë ka vetëm fjalë”.

Ai tha se bombardimet kanë shkatërruar 30 për qind të ndërtesave të qytetit dhe 50 për qind e tyre janë dëmtuar rëndë.

“Shtëpia ime është djegur plotësisht”, tha ai.

“Avionët kanë lëshuar qindra bomba gjatë 24 orëve”.

Ushtria ukrainase e vendosë një qytet në shtetrrethim 38-orësh

Ushtria ukrainase ka njoftuar një shtetrrethim 38-orësh në Zaporizhzhia, duke filluar që sot nga ora 14:00 dhe duke përfunduar në orët e para të së hënës.

Nënkryetari i komunës Anatoliy Kurtiev u ka bërë thirrje njerëzve që të mos dalin jashtë brenda kësaj periudhe. Është e paqartë nëse ndonjë gjë e ka nxitur këtë vendim, shkruan Sky News, përcjell "Bota sot".

Qyteti jugor është bërë një pikë e rëndësishme tranziti për rreth 35,000 njerëz që janë larguar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit ditët e fundit.

Megjithatë, Zaporizhzhia nuk ka qenë vetë pa konflikt, ku termocentrali më i madh bërthamor në Evropë është ende në duart e trupave ruse.

Ditët e fundit, Moska shkatërroi municione në zonën Zaporizhzhia "afër rrënojave të qendrës së trajnimit", e cila u dogj nga raketat ruse më herët gjatë konfliktit.

Ukraina shpreson për hapjen e dhjetë korridoreve humanitare

Ukraina shpreson të evakuojë civilët gjatë së shtunës përmes dhjetë korridoreve humanitare në qytetet që gjenden në frontin e luftimeve me forcat ruse, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

Ajo tha se janë pajtuar që të hapen korridore humanitare në qytetin e rrethuar të Mariupolit, edhe pse përpjekjet e mëhershme të autoriteteve ukrainase për të evakuuar banorët nga ky qytet, kryesisht kanë dështuar.

Ukraina dhe Rusia vazhdimisht kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimeve të përkohshme për evakuimet nga Mariupoli. Në këtë qytet besohet se 300,000 banorë kanë mbetur të bllokuar.

Më herët gjatë së shtunës, guvernatori i rajonit lindor ukrainas, Luhansk, tha se më vonë gjatë të gjatë ditës do të hapet një korridor për evakuim.

Në një postim në Telegram, Serhiy Gaiday, tha se forcat ruse janë pajtuar që të lejojnë banorët të evakuohen në disa qytete në rajon pas orës 09:00 sipas kohës lokale, por ai nuk specifikojë se në cilat vende do të evakuohen qytetarët.

“Rusët po vazhdojnë të grasatojnë qytetet tona”, shkroi Gaiday.

“Megjithatë, ne të gjithë po presim deri në ora 09:00, kur ‘regjimi i heshtjes’ duhet të hyjë në fuqi, në mënyrë që të evakuojmë qytetarët e rajonit, të sjellim ushqime, ujë dhe ilaçe për ata që do të qëndrojnë këtu”.

“Për hapjen e korridorit humanitar ka pasur pajtim në nivel të lartë. Shpresoj që marrëveshjet e arritura të respektohen nga rusët”, shtoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat