LIVE: Tensione të mëdha – ky është dështimi i radhës i Rusisë

Evropë

LIVE: Tensione të mëdha – ky është dështimi i radhës i Rusisë

Nga: Bota sot Më: 19 mars 2022 Në ora: 07:23 Përditësuar në ora: 14:44 më 19.03.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Lufta mund të ndalojë eksportet e drithit nga Ukraina

Ukraina mund të mos prodhojë produkte të mjaftueshme ushqimore për t’i eksportuar gjatë këtij viti, nëse ndërpritet procesi i mbjelljes së tokave bujqësore nga pushtimi rus.

Kështu tha të shtunën këshilltari presidencial ukrainas, Oleh Ustenko.

“Ukraina ka rezerva të mjaftueshme të drithit dhe ushqimit për një vit, por nëse lufta vazhdon.... Ukraina nuk do të jetë në gjendje të eksportojë drithëra në botë dhe do të ketë probleme”, tha ai.

Ustenko shtoi se Ukraina është eksportuesja e pestë më e madhe në botë e grurit.

Kërkime për të mbijetuar pas sulmit në Mikolaiv

Punëtorët e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën e tyre në një pirg gërmadhash pasi barrikadat e ushtrisë ukrainase në Mikolaiv, qytet në veri të Ukrainës, pas sulmit të ditëve më parë.

Pas 30 orësh nga sulmi me tri raketa, që goditën një bazë në këtë qytet, ekipet arritën të shpëtonin një person, që kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja.

Teksa po vazhdonin operacionet e kërkimit, ushtarët u thanë gazetarëve që të strehoheshin, pasi u dëgjua një avion që fluturonte sipër ose një raketë, që kaloi mbi ta. Disa sekonda më vonë u dëgjuan shpërthime diku në veriperëndim të qytetit.

 

Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare, BBC ka cituar një burim të ketë thënë se 57 persona po trajtohen për plagët e marra në tri spitale lokale. Një tjetër burim ka thënë se afër 200 ushtarë gjendeshin në barrikada në momentin e sulmit dhe besohet se shumica prej tyre janë vrarë.

Gjatë natës, Mikolaiv është përballur me granatime të vazhdueshme. Ky qytet është i rëndësishëm në bllokimin e përparimit të forcave ruse drejt perëndimit, përgjatë bregdetit të Detit të Zi.

Kozmonautët rusë dalin “kundër” Putinit, veshin ngjyrat e Ukrainës

Kozmonautët rusë kanë arritur në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës të veshur me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, që duket sikur mesazh në kundërshtim të pushtimit të Ukrainës nga vendi i tyre.

Tre burrat janë kozmonautët e parë që arritën në këtë stacion, prej kur Rusia sulmoi fqinjin e saj lindor muajin e kaluar.

Ata u pritën ngrohtësisht në bord, duke u përqafuar dhe përshëndetur me ekuipazhin amerikan, rus dhe gjerman, shkruan BBC.

Treshja kishte veshur kostume hapësinore me ngjyrë të verdhë të ndezur me detaje ngjyrë blu, në vend të uniformës së tyre standarde me ngjyrë blu, çka asocion me ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Kolonë e helikopterëve të shkatërruar rusë në Ukrainë, ja si i bartin ukrainasit

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Ushtria ukrainase ka shkatërruar 115 helikopterë dhe 95 avionë luftarakë të Rusisë, që nga fillimi i luftës me 24 shkurt në Ukrainë.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka publikuar disa pamje të reja, ku shihet se si barten helikopterët e shkatërruar të Federatës ruse.

"Mbrojtësit ukrainas ndihmuan zhvillimin e helikopterëve të rinj modifikues në "forcat ajrore dhe kozmike të Federatës Ruse". 

Video e kolonës e helikopterëve të shkatërruar të Federatës Ruse. #stoprussia", shkruhet në postimin në Facebook.

Copa-copa, shihni se si ukrainasit shkatërruan pajisjet ruse në Kiev

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka publikuar pamje të reja nga betejat kundër agresorit rus.

Në pamjet e publikuara në Facebook, shihen pajisjet ushtarake ruse, të shkatërruara nga ukrainasit.

Pamjet janë kapur në rajonin e kryeqytetit, Kiev, përcjell Bota sot.

"Pajisjet ruse të shkatërruara në rajonin e Kievit.

Gjithashtu, Forcat e Armatosura të Ukrainës forcuan Strela-10 SAM.

#stoprusia", thuhet në postimin në Facebook.

Johnson për Putin: Ka bërë gabim katastrofik, ai ishte i frikësuar nga Ukraina

Duke folur në konferencën e partisë konservatore në Blackpool, kryeministri tha se vendi qëndron me popullin e Ukrainës. “Me çdo ditë që vazhdon rezistenca heroike e Ukrainës, është e qartë se Putini ka bërë një gabim katastrofik”, tha Johnson, shkruan The Guardian, transmeton Bota sot.

Johnson vuri në pikëpyetje pse Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, duke hedhur poshtë idenë se ishte për shkak të shqetësimeve për anëtarësimin e vendit në NATO.

 “Ai ishte i frikësuar nga Ukraina, sepse në Ukrainë ata kanë një shtyp të lirë. Dhe në Ukrainë, ata patën zgjedhje të lira dhe me çdo vit Ukraina ka përparuar, jo gjithmonë lehtë, drejt lirisë, demokracisë dhe tregjeve të hapura, ai i frikësohej shembullit të Ukrainës dhe i frikësohej qortimit të nënkuptuar ndaj vetes" , tha Johnson.

“Sepse në Rusinë e Putinit, ju burgoseni për 15 vjet vetëm sepse e quani pushtimin një pushtim. Dhe nëse qëndroni kundër Putinit, në zgjedhje, ju helmoheni ose pushkatoheni", u shpreh Johnson.

Ai tha se Putin ndihej i kërcënuar nga Ukraina sepse të dy vendet kanë qenë "aq historikisht afër". Është jetike që pushtimi i Moskës të dështojë, tha Johnson, pasi "një Putin fitimtar nuk do të ndalet në Ukrainë".

Ushtria ukrainase arreston 127 agjentë rusë

Forcat ukrainase në Kiev kanë arrestuar 127 diversantë, përfshirë 14 grupe infiltrimi, që nga fillimi i pushtimit rus, thotë kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, Mykola Zhyrnov.

Zhyrnov thotë se bllokimet e rrugëve kanë qenë kyçe në kapjen e agjentëve pro-rusë, të cilët Ukraina i akuzon për sabotim dhe infiltrim.

"Ata janë baza e fortifikimeve, barrierave inxhinierike, pikave të kontrollit për automjetet dhe njerëzit, si dhe për ndërtimin e sistemeve të tjera, duke përfshirë ato për zjarrin e vërtetë," thotë Zhyrnov, sipas agjencisë së lajmeve Unian, shkruan BBC, përcjell "Bota sot".

Me 35 tregje dhe 635 dyqane të hapura, Kievi ka rezerva të mjaftueshme ushqimore, thotë ai, edhe për një mbrojtje afatgjatë.

Ukrainë, hapet korridori humanitar për evakuim

Autoritetet njoftuan hapjen të shtunën e një korridori humanitar në rajonin Luhansk. Guvernatori rajonal Serhiy Gaiday tha se në dispozicion të njerëzve gjatë evakuimit do të ketë ushqim.

“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar rritje të konsiderueshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve”, raportoi të premten Qendra për Zhvillimin Global. Sipas një analize të qendrës “niveli me të cilin janë rritur çmimet do të fusin mbi 40 milionë njerëz në varfëri ekstreme”.

“Qeveritë dhe agjencitë ndërkombëtare duhet të veprojnë shpejt dhe bujarisht për të parashikuar dhe mbështetur nevojat humanitare, por ato duhet të përdorin gjithashtu krizën si një mundësi për të reformuar politikat bujqësore të BE-së dhe SHBA-ve që po minojnë sigurinë ushqimore”, tha qendra/VOA

Lexoni lajmin e plotë KËTU.

Zhvillimet në Ukrainë rëndojnë bashkëpunimin SHBA-Rusi në hapësirën kozmike

Pas sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për sulmin ndaj Ukrainës Rusia e lë të hapur të ardhmen e Stacionit të përbashkët Kozmik ISS pas vitit 2024.

Sanksionet e vendosura ndaj Moskës për sulmin ndaj Ukrainës kanë rënduar shumë edhe bashkëpunimin SHBA-Rusi në hapësirën kozmike. Agjencia Ruse për Hapësirën Kozmike - Roskosmos – e ka lënë të hapur të ardhmen e Stacionit Kozmik ISS pas skadimit të kontratës në vitin 2024. NASA synon një marrëveshje bashkëpunimi deri në vitin 2030.

Sipas njoftimeve të CNN pas përplasjeve javën e kaluar në Twitter mes ish-komandantit të ISS Scott Kelly dhe kreut të Agjencisë Ruse për Hapësirën Kozmike, Dmitry Rogozin NASA ka paralajmëruar astronautët dhe ish-astronautët amerikanë lidhur me sulme të mundshme verbale dhe fyerje ndaj "partnerëve rusë". NASA tha se fyerjet dhe sulmet verbale ndaj zyrtarëve rusë mund të kenë pasoja "të dëmshme" për operacionet e ISS.

Në mes të tensioneve të rënda midis Rusisë dhe Perëndimit në Stacionin Ndërkombëtar Kozmik arriti së fundi një ekuipazh i përbërë vetëm nga kozmonautë rusë. Kozmonautët Oleg Artemyev, Denis Matveyev dhe Sergey Korsakov ankoruan me anijen e tyre kozmike Soyuz MS-21 në ISS.

NASA njoftoi se fillimisht kozmonautët rusë qëndruan në anijen e tyre kozmike, sepse pas ankorimit nevojitej ende pak punë përpara se të hapej porta e Stacionit Ndërkombëtar Kozmik ISS.

Anija kozmike Soyuz, e lëshuar të premten (18.03) mban emrin e projektuesit të raketave sovjetike Sergei Korolev, i cili lindi në Zhytomyr në vitin 1907. Ky qytet gjendet tani në territorin e Ukrainës.

Bellingcat publikon hartën e objektivave civile të shkatërruara në Ukrainë

Grupi hulumtues, Bellingcat, ka publikuar një hartë interaktive të ndërtesave civile të shkatërruara nga Rusia që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Harta bazohet në prova përmes videove dhe fotografive të dokumentuara nga Bellingcat, si dhe grafika që tregojnë kohën dhe vendin të qindra incidenteve që kanë prekur potencialisht civilët që prej se Rusia nisi luftën në Ukrainë më 24 shkurt.

Në mesin e incidenteve janë “goditjet me raketa në zonat e banueshme, shkatërrimi i infrastrukturës civile dhe prania e dukshme e civilëve të plagosur ose trupave të palëvizshëm të civilëve”, tha Bellingcat.

Ky grup hulumtues tha se dokumentimi i rasteve të tilla “është shumë i rëndësishëm në dritën e deklaratave nga autoritetet ruse që thonë se ata nuk po synojnë të sulmojnë civilët dhe po shmangin goditjet nga infrastrukturës civile”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ka verifikuar 43 sulme mbi spitale dhe ndërtesa shëndetësore në Ukrainë, që kanë rezultuar në vdekjen e 12 personave dhe plagosjen e 34 të tjerëve.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mbi 3 milionë refugjatë ukrainas janë larguar nga shteti për shkak të luftës

Hartën mund ta shikoni duke klikuar KËTU 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat